Reforma zgjedhore, peng për zgjedhjet e parakohshme

0
51

Nga Mero Baze, 4 Maj 2012

Ashtu siç pritej, Sali Berisha filloi bllokimin e reformës zgjedhore. Me një nga marifetet e tij të neveritshme rreth hapjes apo mos-hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, ai ka krijuar prishje të konsensusit duke vënë në dyshim përfundimin e reformës brenda afatit. Në një plan më afatgjatë ai do të nxjerrë probleme të tjera dhe me kushtet e tjera që i duhen Shqipërisë për të marrë ftesën për në Bashkimin Evropian, po problemi tek reforma zgjedhore duket se është më urgjent për të.

Frika e Berishës është se rrotull tij po gëlojnë zëra për aleanca fluide mes opozitës dhe faktorëve të tjerë numerikë dhe politikë në Kuvend për zgjedhjen e presidentit. Edhe pse është naivitet të besosh në një shumicë të re përmes marifeteve, Berisha e shikon me shqetësim faktin që shumë nga deputetët e shumicës së tij qeverisëse mund ta tradhtojnë tek letra e bardhë kur të vijë puna për të votuar Jozefina Topallin, për të cilin ai duket se është i gatshëm të hyjë në luftë.

Pas kësaj përballë Berishës ka vetëm një skenar, zgjedhjet e parakohshme. Një reformë zgjedhore e përfunduar në afat, pra më 30 prill, do të mundësonte një kuadër ligjor të përmirësuar për zgjedhjet, me më shumë elemente sigurie. E shtyrë për 15 maj, ajo ngjall dyshimet e para. E krisur siç ndodhi të premten në mesditë, ajo duket shumë larg miratimit. Duket se Berisha po mendon ta përdorë reformën zgjedhore si një siguresë për të kërcënuar palët për zgjedhje të jashtëzakonshme me kuadrin e vjetër ligjor. Në thelb ai nuk kërkon zgjedhje të parakohshme dhe do të bëjë ç’është e mundur t’i shmangë ato, por në opinion ai do të bëjë një beteje fallco për to.

Ai kërkon të trembë çdo të lëkundur brenda shumicës së tij, se nëse nuk i qëndron besnik, do të futen në zgjedhje të menjëhershme parlamentare për 45 ditë, me kuadrin e vjetër ligjor dhe natyrisht me konsekuenca të mëdha personale për ata individë që do të tentojnë t’i prishin shumicën. Duke bllokuar reformën zgjedhore, duke prekur pikërisht tema të ndjeshme për socialistët siç është hapja apo mos-hapja e kutive të materialeve të votimit, të cilat herën e shkuar ishin arkivoli i krimit elektoral, ai tenton të ngjallë dëshpërim dhe frikë për zgjedhje të parakohshme, me qëllim që nën frikën e tyre të votohet kandidati i tij për president. Kërcënimi i tij bëhet i besueshëm dhe kur bëhen llogaritë me partinë e re të zotit Topi, e cila mund të mos ketë mundësinë dhe kohën për tu bërë gati për zgjedhje të menjëhershme në rast krize, kur Topi është ende president në detyrë.

Ajo që ndodhi dje në komisionin e reformës zgjedhore është një mistrecllëk tipik i Berishës, nga ato marifetet që ai shpik për të krijuar probleme aty ku nuk ka. Të gjithë e mbajmë mend se si shpiku si problem kushtetues mandatin e deputetit të Krujës, që do të zëvendësonte zonjën Seseri, dhe pastaj e zgjidhi për dhjetë minuta. Të gjithë e shohim se si ka shpikur si problem kushtetues emërimin e nënkryetarit të KLD, i cili në të vërtetë është kompetencë direkte e presidentit dhe nuk përbën asnjë problem. Të gjithë e dimë se si ai betohej se hapja e kutive të votimit do ishte fundi i proceseve zgjedhore në Shqipëri, kurse hapja e kutive të materialeve ishte korrekte. Pasi u pranua kjo e dyta, të gjithë ishim dëshmitarë si shkoi me urgjencë dhe i dogji ato në Breg të Lumit, vetëm që të mos i hapte, duke harruar çfarë kishte thënë.

Aftësia e tij për të shpikur probleme të paqena me qëllim që të harxhohen energji politike për një punë boshe është e spikatur. Kjo është mënyra se ai ruan veten nga ekspozimi i problemeve reale që ka me qeverisjen dhe institucionet në vend. Sa herë që ai bën një gjë të rëndë, që përballet me skandale korrupsioni apo histori të krizës ekonomike dhe qeverisëse, ai shpik një problem tjetër me qëllim që energjitë e kundërshtarëve të vet të harxhohen për një problem, i cili kur zgjidhet në të vërtetë, nuk ka zgjidhur asgjë.

E tillë është kriza që ai po provokon me reformën zgjedhore. Arsyeja që ai ka shpikur është false, dhe kur ajo do të zgjidhet pas pak kohësh, të gjithë do të shikojmë se ishte një trill i tij. Por ai ndërkohë me të ka mundur të fusë në panik aleatët, të rrisë tensionin me opozitën, të bëjë presion mbi të vetët dhe e gjitha kjo që kriza e presidentit të mos prodhojë ndonjë shumicë të re.