Nga Mehmet Kraja
Retrospektive- Shkruar në TemA si sot dy vjet më parë
Në njërin nga këto mëngjeset e zymta vjeshtore, më pat zgjuar nga gjumi një zë nga radioja, pak i zvargur dhe disi mpiksur, tek thërriste anëtarësinë e vjetër të LDK, t’i kthehej kësaj partie dhe vlerave të saj tradicionale, ose kështu disi. Ncuk! Thash me vete, kjo s’paska të bëjë me mua, duke u rrotulluar në krahun tjetër dhe duke u përpjekur të kotesha edhe për një kohë, në jermin e zërit që vinte nga radioja dhe të mesazheve të mjegullta që dilnin prej tij. Këtë episod do ta kisha harruar prej kohësh, sikur gjatë këtyre ditëve, tani krejt esëll dhe qiqër nga mendja, dëgjova dhe i pashë të shkruara shqetësimet më të fundit të krerëve të LDK për reformën e mundshme dhe të pritshme të kësaj partie, të kapërthurur dhe të ngatërruar në këmbët e veta.
Unë tashmë nuk kam sentimente, që domethënë se jam krejt i shpenguar të gjykoj për këto zhvillime, sepse LDK e sotme, përveç emrit, nuk ka asgjë të përbashkët me LDK e dikurshme, kështu që të thërrasësh në ndihmë anëtarësinë e vjetër dhe vlerat tradicionale, është njësoj si të kërkosh të rikthehet historia, të kërkosh (përmes magjisë) riinkarnimin e saj virtual.
Unë e kuptoj se krerët e sotëm të LDK janë zënë ngushtë dhe e kërkojnë shpëtimin kudo që munden, por nuk e kuptoj përse këtë shpëtim e kërkojnë me ngulm pikërisht atje ku nuk mund ta gjejnë. Ata nuk e dinë ose kanë harruar se LDK e dikurshme ishte një lëvizje politike idealiste, e cila u shfaq në çastet kritike për Kosovën, kur ajo u la në udhëkryq nga komunistët dhe nuk dihej se nga mund ta çonin rrebeshet e reja që dukeshin në horizont.
Kurse LDK e sotme është (ose duhet të jetë) parti politike qytetare, e cila, si çdo parti politike në rrethana normale, lufton për pushtet, që domethënë se Kosovën e sheh jo si “nocion abstrakt”, si ideal, si rrëzëllitje inkandeshente, por si një sinor, si lëmë e qenve (ashtu siç e shohin edhe të gjitha partitë e tjera), ku mund të realizohen interesa krejt pragmatike dhe të kësobotshme. Prandaj, është fyerje dhe lëndim për krejt racën njerëzore të idealistëve t’i barazosh këto dy gjëra. Është po kaq fyese dhe lënduese, si të mbash fjalim për një hero ose dëshmor të rënë në luftën e fundit dhe mbi varrin e tij të thuash se ai derdhi gjakun për t’u bërë kryetar komune. Krahasime dhe barazime nuk mund të bëhen as në shumë pika të tjera. Njerëzit që u gjenden në krye të LDK njëherë e një kohë, ishin të afërt nga vokacioni dhe në këtë pikë lidheshin dhe barazoheshin mes veti.
Krerët e tashëm të LDK janë një konglomerat interesash, pa vokacion tjetër. Ata do të duhej të lidheshin mes veti mbi bazën e një programi politik, si në çdo parti tjetër moderne. Por ai program politik mungon prej kohësh dhe ata nuk dinë ta bëjnë atë. Nuk mund ta bëjnë, sepse, pikësëpari, ata vetë nuk janë të profilizuar në pikëpamje konceptuale dhe botëkuptimore. Dikush është i majtë, dikush i djathtë; dikush me trashëgimi titiste, dikush enveriste. Dikush intelektual, dikush gjysmë analfabet. Fuqia e interesit deri-diku i rrafshon dallimet midis tyre, për aq sa u lejon të mbijetojnë, por nuk u jep tipare të liderëve partiakë.
Ndërkaq, programi politik i LDK së dikurshme, së paku në fillimet e hershme, pavarësisht nëse ka qenë i shkruar ose jo, ka qenë Kosova me të gjitha synimet e saj. Ai ka pushuar së funksionuari jo me shpalljen e pavarësisë, as më 1999, por disa vite më parë, kur LDK filloi ta improvizonte dhe ta luante lojën e pushtetit në Kosovën e rrafshuar përtokë. Ajo nuk arriti të transformohej nga një lëvizje populiste në parti politike bashkëkohore, kur u krijuan rrethanat për këtë.
Për një kohë mbijetoi si parti lideriste, duke mbajtur të lidhura skajshmëritë e papajtueshme: idealet me interesat, pushtetin pragmatik (përfshirë edhe keqpërdorimin e tij) me projektin e një lëvizjeje kombëtare. Tani ka ardhur një fund i natyrshëm, natyror, i pashmangshëm, sepse, më duhet ta them jo pa ndjenjë respekti për një kohë të hershme (edhe përkundër kundërthënieve që kam pasur me njërin dhe me tjetrin), se Fatmir Sejdiu nuk është Ibrahim Rugova dhe Eqrem Kryeziu nuk është Fehmi Agani. LDK e sotme duhet të mbështetet në potencialin që ka. Mungesat aktuale nuk mund t’i kompensojë duke spekuluar me të kaluarën ose me historinë.
Po tani? E para, LDK njëherë e mirë duhet të ndahet nga e kaluara e saj, sepse nuk mund të barazohet me të dhe nuk mund ta përdorë historinë e vet për t’u profilizuar në rrethanat e reja. Në të vërtetë, ajo as që është histori e saj, është më shumë histori e Kosovës, nëse mund të quhet e tillë.
Së dyti, ajo duhet të ndërtojë (që nga fillimi) konceptin e partisë qytetare, përfshirë programin dhe strukturën organizative.
Së treti, anëtarët e Kryesisë së LDK duhet ta heqin nga mendja njëherë e mirë se mund të bëjnë reformën e partisë duke u mbajtur aq fort pas posteve të veta. Kjo nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk mund të ndodhë asnjëherë. Në këtë rrethanë, anëtarësia e gjerë e LDK duhet ta dijë se është “e kapur” nga udhëheqja e saj e papërgjegjshme. Pse i them të gjitha këto? Natyrisht, jo për shkak të ndonjë interesi specifik dhe as për faktin se LDK e konsideroj “pasuri kombëtare”.
Thjesht, për të bërë të ditur se opinioni i Kosovës nuk është aq analfabet politik, sa të mos i kuptojë disa gjëra dhe të mos pandehë dikush se atij mund t’i shiten gjithmonë dëngla të këtilla, duke ia fyer madje edhe intelektin.