Referendumi dhe mungesa e seriozitetit

0
63

Nga Mero Baze, 7 Gusht 2012

Në gjithë debatin fallco për propozimin për referendum, e vetmja gjë serioze është fakti që Berisha e paska varrosur me vetëdije referendumin për importin e plehrave në Shqipëri. Propozimi i tij për referendum rreth çështjes së imunitetit është e qartë se nuk synon referendumin, por një alibi për humbjen e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian. Por meqë kjo çështje është banalizuar aq shumë qysh nga viti 2009, askush nuk ka më emocione për përsëritjen e të njëjtit film. Meqë ai e nisi këtë lojë, i duhet ta bëjë dhe të besueshme për të mos u dukur karagjoz qysh ditën e parë dhe po përpiqet të gjejë arsyetime ligjore nëse mund të mbahet ose nuk mund të mbahet një referendum i tillë.

Pa hyrë shumë në hollësi juridike mes dy referendumeve, atij që e kërkojnë 60 mijë shqiptarë për ndalimin e importit të plehrave dhe atij që kërkon Berisha, më i mundshëm nga ana juridike është ai i plehrave, pasi për të nuk ka kushtëzime, veç atyre që shpiku Berisha. Pra, nëse Berisha do ulet seriozisht t’i hapë rrugën ligjore referendumit të tij, atij do t’i duhet t’i hapë rrugën ligjore një referendumi tashmë në listën e pritjes që ka përfunduar dhe procedurat ligjore.

Në këto kushte të gjitha rrugët të çojnë tek pamundësia juridike që Berisha do të gjejë hë për hë, për të bërë referendumin e tij. Ai nuk ka asnjë interes që t’i hapë një rrugë referendumi për imunitetin tani, pasi atij në thelb nuk i mungojnë shanset të miratojë një ligj për imunitetin. Projektligji është gati, e ka bërë Partia Socialiste, e ka pranuar shumica, e ka kaluar Komisioni i Ligjeve dhe duhet të kalojë në paketë bashkë me reformat e tjera, atë parlamentare dhe ndryshime më të gjera kushtetuese.

Pra, Berisha nuk ka problem një ligj për imunitetin, por një alibi për humbjen e statusit. Biles nëse ai dëshiron të bëjë një betejë me referendum, beteja e vetme që i ka hije janë propozimet për ndryshime kushtetuese. Shumica dhe opozita mund të bëjnë dy variante të ndryshimeve kushtetuese të njohura si: Varianti A i qeverisë dhe Varianti B i opozitës dhe shqiptarët mund të rrethojnë kë të duan. Kjo është serioze dhe luajale. Këtu përfshihet dhe çështja e imunitetit dhe pretendimet e opozitës.

Por Berisha nuk ka për t’i krijuar shanse këtij referendumi, pasi siç e thashë, ai nuk ka asnjë dëshirë të merret me heqjen e imunitetit, por me heqjen e përgjegjësisë nga vetja e vet përhumbjen e statusit të vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër opozita nuk ka pse i kundërpërgjigjet me katër referendume. Opozita ka betejën e saj për imunitetin dhe ndryshimet kushtetuese dhe e ka shumë të mirë. Ajo duhet të kërkojë dhe t’i bashkohet kërkesës së Berishës për referendum lidhur me pretendimet e saj, pasi ato janë shkaku që ligji nuk u miratua më 6 gusht. Ligji për imunitetin është një ligj i pranuar nga opozita dhe s’ka kuptim referendumi për të, pasi del 100 përqind pro.

Kuptim ka referendumi për kushtet e opozitës, pra për ndryshimet kushtetuese. Ato mund të hidhen në referendum, nëse Berisha tërhiqet nga pengesat që ka shpikur për referendumin e plehrave dhe vështirësitë që krijon ana ligjore për organizimin e tij shpejt. Nëse Berisha pranon në parim një referendum për kushtet e opozitës për ndryshime kushtetuese më të gjera, atëherë opozita mund të japë votën për ligjin e imunitetit dhe kështu kemi një kusht të plotësuar për Bashkimin Evropian dhe një shpresë që populli të shprehet për gjymtimin kushtetues të institucioneve, sidomos zgjedhjes së gjyqtarëve të lartë, presidentit etj.

Kjo është ajo që duhet të kërkojë opozita dhe jo referendumet e tjera, pasi ato nuk janë çështje të saj. Referendumi për importin e plehrave është çështje e shoqërisë civile dhe është në pritje, referendumi për kufirin detar është një betejë që i përket më shumë të shkuarës dhe është bërë nga një ish-kolonel në pension, që tashmë ka hyrë në politikë në Aleancën KuqeZi. Beteja e vetme e drejtë e opozitës është kushtëzimi që i bëri ligjit të imunitetit me ndryshimet kushtetuese dhe sensi i kompromisit është që Berisha të firmosë sot për referendum për ndryshimet kushtetuese duke ia lënë në dorë popullit me dy variante dhe opozita të votojë ligjin që vetë e bëri për imunitetin. Kështu të dy palët do na bindin se e kanë me sinqeritet betejën.