Jonathan Ratel
Nga Arbana Xharra, 13 Maj 2013
Është i vetmi i cili po lëkund themelet e krimit të organizuar në Kosovë. Ata të cilët janë të përfshirë në krim, duhet të djersijnë sapo të dëgjojnë emrin Jonathan Ratel. Ky është kanadezi, kryeprokuror i prokurorisë speciale të Kosovës, i cili po dëshmon se nuk bën kompromis me askënd, qofshin ata kriminelë ordinerë apo edhe milionerë zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës.
Ky i huaj nga EULEX-i po jep dy sinjale; se misioni i mekanizimit që ai udhëheq nuk ka fjetur deri me tash, dhe po vërteton se thashethemet; për përfshirjen e emrave të politikës në krimin e organizuar mund të dalin të jenë të vërteta. Ai vjen me një përvojë të madhe nga e kaluara në luftën kundër krimit. Ka punuar në Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës si prokuror special, po ashtu si këshilltar special në luftën kundër narkotikëve në Ambasadën Britanike në Afganistan.
Në Irak ka pasur rolin e këshilltarit të prokurorit në provincën Basra. Në Kosovë është bërë i njohur me rastin “Medicus”, i cili i ra në fije rrjetit të gjerë të njerëzve të përfshirë të trafikim të organeve. Tash hetimet e zgjeruara kanë rritur edhe listën e njerëzve të politikës, qofshin atyre që sot janë në pushtet apo edhe të të tjerëve që kanë besuar se do t’i shpëtojnë Ratel-it.
Misioni i Rendit të Ligjit të BE-së në Kosovë, ka nis ta tregojë veten, duke hapur dosjet një nga një, dhe atë me akuzat më të rënda që kanë të bëjnë me krimin e organizuar i cili po trondit skenën ndërkombëtare. Hetime të reja për persona që dyshohen të kenë qenë të përfshirë në grupin e trafikimit të organeve, të rastit Medicus, ka shumë mundësi që të shpiejnë edhe tek raste të tjera.
Gabojnë ata të cilët besojnë se me “Medicus” do të mbyllet kapitulli i përndjekjes së kriminelëve që po shijojnë ulëset e pushtetit. Sepse rrjeti i këtij grupi kriminal s’mund të jetë i shkurtër, hetimet tashmë kanë paralajmëruar listë tjetër. Lajmi se në Kosovë është bërë trafikim personash, dëme të rënda trupore, abuzim i pozitës zyrtare të autoritetit, mashtrim dhe abuzim i detyrës, i është shtuar imazhit të një vendi tashmë të dëshmuar se udhëhiqet nga politikanë të korruptuar.
E rrëfimi, i cili përshkruan mënyrën më çnjerëzore sesi grupi i trafikimit joshi donatorë të varfër për të ardhur në klinikën “Medicus” me premtimet e rreme për pagesa të majme, ua hoqën veshkat dhe ua shitën pacientëve të pasur, ka tronditur opinionin ndërkombëtar. Rreth 30 transplantime të paligjshme veshkash dyshohet të jenë bërë në klinikë në vitin 2008 në Kosovë, e sa e sa dyshime të tjera për rrjetin e trafikimeve e krimeve të tilla që zhvillohen në shtetin më të ri të Evropës.
Philip Reeker nga Departamenti i Shtetit deklaroi se SHBA-të i mbështesin hetimet rreth trafikimit të organeve në Kosovë, duke e bërë këtë çështje në fokus të politikës ndërkombëtare. Të dënuarit tashmë dyshohen për lidhje të afërta me zyrtarë të lartë të politikes, rasti i “Medicus” nuk duhet frikësuar vetëm ata që janë të përfshirë direkt në këtë skandal, sepse Ratel po tregon se nuk e ka ndërmend të ndalet.
Kosova për 14 vjet pas luftës po del se jo vetëm ka prodhuar politikanë të korruptuar, milionerë nga paraja publike, por edhe kriminelë të përfshirë në trafikim të organeve njerëzore. E fatmirësisht, në mesin tonë tash për tash kemi Ratel-in, i cili nuk njeh “të fortët” e Kosovës./ZERI