Rasti Olldashi si “bamirësi” dhe si “tanxhente”

0
53

Nga Mero Baze, 21 Shtator 2012

Sokol Olldashi është treguar padyshim njeriu më politik në shpërndarjen e pareve të buxhetit të shtetit për reklama. Ai është treguar më politik dhe më pak dyshues për korrupsion personal, në mënyrën se si i ka shpërndarë ato. Nga 800 mijë dollarë që ka pasur në dorë për njoftimet e shpronësimet, 500 mijë ia ka dhënë gazetës RD dhe 300 mijë Sandrit dhe Fahriut së bashku. Çdokush që e dëgjon këtë lajm në PD, e justifikon pozitivisht gjestin e Olldashit. Kjo mes të tjerash dhe për nervozizmin që ka ngjallur lajmi për milionat e Frangajt edhe brenda PD-së. Ditët e fundit kam parë shumë njerëz të zemëruar të PD-së, që mërmërisin për milionat e tij dhe për haraçet që duhet të paguajë pushteti i tyre për Klanin. E shtyrë në kohë, kur ata e shikonin Klanin si një TV armik të tyre, zemërimi bëhet dhe më i madh.

Në këtë aspekt, gjesti i Olldashit shikohet më me simpati dhe vizaton në një farë mënyre ndarjen brenda pushtetit lidhur me PD e vjetër dhe “kollovarët” e rinj në pushtet. Nëse i hedh një sy ministrive që drejtohen nga njerëz që nuk kanë pasur lidhje me PD para vitit 2005, kur Klani ishte armik i saj, shikon se ata i kanë dhënë Frangajt milionat. Të tillë janë Basha, Imami, Ksera, Ruli etj. Ata janë në një farë mënyre të ardhur në një kohë me lugë në brez në pushtet dhe ndajnë paret mes tyre. I vetmi që është kujtuar që në këtë thes të madh paresh të zhvatura t’i japë një dorë të mirë dhe gazetës RD, është Olldashi. Dhe kjo natyrisht ia rrit pikët në PD.

Por pikërisht tek avantazhi i tij politik fillon dhe problemi i tij penal. Gazeta RD, përveçse është një fletushkë pa asnjë vlerë në tregun e medies, nuk është mes të tjerash një subjekt tregtar i pavarur. Së bashku me Zërin e Popullit ato janë dy gazeta partish, financat e të cilave janë të bashkuara me partitë përkatëse. Duke qenë gazetë e Partisë Demokratike dhe e financuar prej saj, duke mos pasur as formalisht dhe as juridikisht statusin e një gazete private në vend, financimi i gazetës RD me paret e buxhetit është një tanxhente e qartë e qeverisë për Partinë Demokratike.

Unë e njoh pak a shumë strukturën e asaj gazete dhe shpenzimet e sa. Nuk i kap kurrë 100 mijë dollarë shpenzime në vit, edhe sikur kryeredaktori dhe 4-5 gazetarët t’i kenë dyfishuar rrogat. Pra, me një pagesë të tillë Olldashi e ka financuar RD për gati 5 vjet. Por problemi nuk është se janë paguar ata pak stenografë të telefonave të Berishës aty. Problemi juridik qëndron tek fakti se qeveria ka gjetur një mënyrë të financojë partinë e saj me pare të buxhetit dhe për një tanxhente të tillë Olldashi, tani që nuk ka as imunitet, duhet të hetohet dhe të japë dorëheqje. Ky është rasti më klasik dhe më flagrant ku një qeveri heq lekët nga buxheti dhe ia çon pa iu dridhur dora partisë së saj.

Helmut Kol, kolosi që bashkoi Gjermaninë dhe rrëzoi Murin e Berlinit duke i dhënë shpresa gjithë Lindjes, iku nga politika për më pak se kaq lek, vetëm se dikush ia dha partisë së tij pasi kishte fituar disa tenderë nga buxheti i Gjermanisë. Në rastin konkret, gjesti është më i pafytyrë. Vetë ministri, pa tender, pa konkurrim, i ka prokuruar partisë së tij 500 mijë dollarë për propagandë. Me ato 500 mijë dollarë janë sulmuar liderët e opozitës, gazetarët kritikë me pushtetin, janë bërë fushata elektorale dhe është konkurruar në mënyrë të pabarabartë në një garë elektorale. Në asnjë rast në gjithë historinë e tanxhentopolit në Itali nuk ka një rast kaq të pastër përdorimi të pareve të shtetit për buxhetin e një partie.

Sokol Olldashi e ka bërë këtë se është një politikan që i dhimbset PD dhe shtypi i saj, pasi andej ka nisur karrierën politike. Për këtë PD duhet t’i jetë mirënjohës. RD po ashtu. Frangaj dhe Balliu nuk duhet t’i mbajnë mëri pse i ka dhënë RD dyfishin e pareve në raport me ata. Ai edhe pse ata nuk i do, u ka dhënë diçka dhe atyre, po për shkak të partisë. Por këtu mbaron bamirësia e tij dhe duhet të fillojë shteti ligjor.

Duhet të ikë menjëherë nga zyrat e shtetit dhe të shkojë para drejtësisë. Pastaj le të rikthehet të luajë bilardo në oborrin e PD-së dhe të pijë ndonjë gotë me militantët, për të cilën e ka bërë këtë sakrificë. Ata me siguri do ta vlerësojnë që ka sakrifikuar për ta. Por drejtësia duhet të bëjë një shembull për kapjen e shtetit nga një parti që harxhon milionat e qytetarëve për propagandë gëbelsiane.