Bledar H. Prifti, 06.11.2009
Në një sondazh të organizuar nëpërmjet rrjetit elektronik, administratori pyet lexuesit se si do ta kategorizonit sulmin ndaj gazetarit Mero Baze:
(1) Ogur i keq për median e lirë?
(2) Ngjarje personale? – apo…
(3) Në Shqipëri kush flet e pëson?
Deri më tani, nga 5021 persona të përgjigjur, 21% mendojnë se ky është një ogur i keq për median, 28% mendojnë se është një ngjarje personale, dhe 51% mendojnë se në Shqipëri kush flet e pëson.
Gjithashtu komentet që bëjnë lexuesit në lidhje më këtë ngjarje të shëmtuar, si për politikën ashtu edhe për shoqërinë tonë, ngjallin kontroversitet. Gjykimi i individëve rreth kësaj ngjarje, fatkeqësisht, duket sikur i shëmbëllen një konfrontimi midis grupimeve politike dhe jo një reflektimi të bazuar në principet bazë të vlerave dhe dinjitetit njerëzor.
Zëri i humanizmit dhe i dinjitetit njerëzor duket sikur i ka lënë vendin klithmave që paralajmërojnë errësirën dhe ogurin e keq.
Duket sikur politika ka hyrë aq thellë në gjakun tonë sa na ka mbytur atë që është më esenciale për një qenie njerëzore – njerzillëkun dhe dashurinë për njeriun. Por kjo nuk mund të ndodhë pa realizuar më parë atë që shumë e quajnë si “lavazh truri”. Dhe kjo lavazho truri nuk ndodhi sot, as dje.
Kjo lavazho filloi fuqishëm që në 1941 dhe vazhdon sot e kësaj dite, duke gërryer çdo qelizë të ngelur të integritetit njerëzor. Është kjo lavazho që na ka kthyer në paranojakë dhe armiq jo vetëm të mendimit ndryshe por edhe të atij që mbart mendimin. Kemi arritur në atë pikë sa e kemi bashkuar mesazhin me mesazherin dhe e trajtojmë këtë të fundit sikur të ishte armiku dhe kundërshtari dhe jo si alternativa dhe e ndryshmja.
Është ky mentalitet i bashkimit të mesazhit me mesazherin që ka sjellë personalizimin e veprimtarisë institucionale të individëve. Ky personalizim ka një impakt të madh në mosfunksionimin, manipulimin dhe rrënimin e institucioneve të ndërtuara në këtë shoqëri. Mesazhi (institucioni) i është nënshtruar mesazherit (personit), madje ndodh edhe anasjelltas.
Nëse do të shohim tre pyetjet e sondazhit, ne do të kuptojmë se çdo të thotë të personalizosh jo vetëm një ngjarje, por të personalizosh një veprimtari institucionale siç është ajo e gazetarit. Pavarësisht se ky agresion ndaj z. Baze dënohet nga shumica dërrmuese e shoqërisë, ky dënim ka më shumë një karakter personal dhe jo institucional.
Vetëm 21% e të përgjigjurve i japin kësaj ngjarje karakter institucional duke iu referuar medias. Kurse 51% e pjesëmarrësve në sondazh, edhe pse e dënojnë ngjarjen, i japin asaj një karakter personal kur shprehen se “Në Shqipëri kush flet e pëson”. Pjesa tjetër prej 28% mendojnë se agresioni kundër z. Baze ishte për arsye personale, mbase punë femrash a ku i dihet.
Për të kuptuar problemin, ne duhet të fokusohemi tek 51%-shi pasi ai inkludon ata individë që e dënojnë aktin kundër gazetarit Mero Baze por që nuk e konsiderojnë atë si një akt kundër një institucioni – medias.
Jam i bindur se nëse do ti pyesnim këta individë nëse ky agresion ka lidhje me punën e z. Baze si gazetar, besojë se ata do të përgjigjeshin pozitivisht. Atëherë çfarë mund ta ketë shtyrë këtë 51%-ësh që të mos zgjidhte pyetjen e parë (ogur i zi për median)?
Dikush mund të pretendoj se arsyeja që ky grupim nuk zgjodhi pyetjen e parë mund të jetë përdorimi në pyetje i togfjalëshit ekstrem “ogur i zi”. Kurse unë besojë se arsyeja ka qenë personalizimi (i pavetëdijshëm) i veprimtarisë institucionale të z. Baze, ashtu si bëhet edhe në institucionet të tjera.
Janë dy fenomene që duhen kuptuar: (1) Personalizimi i institucionit dhe (2) Personalizimi i veprimtarisë institucionale.
Personalizimi i institucionit ndodh atëherë kur institucioni identifikohet me personin drejtues.
P.sh, institucioni i Presidentit të identifikohet me personin Bamir Topi, institucioni i kryeministrit me personin Sali Berisha, institucioni i ministrit të kulturës me personin Ylli Pango, e kështu me radhë. Një institucion identifikohet me personin drejtues deri në atë pikë sa veprimtaria e personit drejtues zhvillohet konform normave, rregullave dhe ligjeve që normojnë veprimtarinë e vetë institucionit.
Në momentin kur aktiviteti i personit drejtues nuk bazohet në këtë tërësi normash rregullash dhe ligjesh, atëherë ky institucion nuk mund dhe nuk duhet të identifikohet me personin.
P.sh., parë nga ky këndvështrim, nëse kryeministri Berisha përfshihet në afera korruptive dhe anti-ligjore dhe të pa atribuara me ligj institucionit të kryeministrisë, atëherë z. Berisha humbet të drejtën e identifikimit të tij me institucionin e kryeministrit dhe anasjelltas.
Personalizimi i veprimtarisë institucionale ndodh atëherë kur ne personalizojmë veprimtarinë e personave pjesëtarë të institucionit edhe në rastin kur kjo veprimtari zhvillohet brenda profilit të tyre institucional dhe në përputhje me normat, rregullat, dhe ligjet që normojnë veprimtarinë e institucionit. Një veprimtari e tillë mund dhe duhet të personalizohet atëherë kur kjo veprimtari zhvillohet jashtë kufijve apo strukturës së institucionit dhe në kundërshtim me normat, rregullat dhe ligjet e tij.
Në rastin e z. Baze, veprimtaria e tij institucionale (gazetaria) është konform të gjitha normave, rregullave dhe ligjeve që administrojnë veprimtarinë e medias. Z. Baze nuk u sulmua për arsye që kanë të bëjnë me jetën e tij private por për arsye të forta që kanë lidhje me veprimtarinë e tij institucionale si gazetar.
Z. Baze nuk është një njëri që thjesht flet sepse të gjithë ne flasim. Z. Baze flet përmes institucionit të medias dhe e folura e tij është publike dhe jo private. Prej këtej rrjedh që sulmi kundër z. Baze nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet si një sulm personal. Ai është një sulm kundër gazetarisë dhe institucionit të medias.
Por çfarë sjell personalizimi i këtij akti? Çfarë fshihet pas tendencës për të personalizuar këtë akt? Cili është roli i politikës në këtë akt?
Me pak fjalë, lokalizimi i këtij akti dhe karakterizimi i tij si një akt personal synon që të largojë nga mendjet e Shqiptarëve atë është më shqetësuese sot: Sulmi primitiv i politikës mbi mediat e lira. Është ky sulm që tregon edhe njëherë se media nuk është “e kapur”. Ky sulm tregon se në Shqipëri ka media të lira dhe gazetarë kurajoz, madje shumë kurajoz. Problemi më i madh është familjarizimi dhe primitiviteti i politikës dhe i klasës politike.
Media dhe politika, ashtu si e kam thënë edhe më parë, janë të pandashme nga njëra tjetra, të paktën në realitet. Politika gjithmonë do të synojë të diktojë dhe dominojë axhendën e medias dhe shprehjen e saj. Këtë fenomen mund ta ndeshësh aktualisht edhe në “djepin e demokracisë” – Shtetet e Bashkuara. Direkt apo indirekt, politika përpiqet që t’i imponojë mediave pikëpamjet dhe axhendën e saj. Në fjalët e z. Baze.
“Media dhe politika janë si puna e hekurit dhe ndryshkut”. Unë do ta vazhdoja edhe më tej thënien e z. Baze duke i kujtuar se ndryshku (politika) uzurpon hekurin (median) atëherë kur ndodhen në ambientin e përshtatshëm për t’u realizuar ky reaksion kimik. Dhe ky ambient është shoqëria jonë që, fatkeqësisht, i jep jetë këtij reaksioni fatkeq.
Është ky ambient që i jep jetë kësaj politike dhe këtyre reaksioneve.
Ndaj personalizimi që shikojmë t’i bëhet veprimtarisë institucionale të z. Baze dhe agresionit ndaj tij, më shumë se një indikator i agresionit të politikës kundër medias, mund të konsiderohet si një produkt i kulturës sonë demokratike dhe potencialit që ka shoqëria Shqiptare për të bërë të mundur funksionimin e strukturave dhe institucioneve të saj, qofshin këto politike apo sociale. Më shumë sesa një sulm kundër medias, ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është reagimi i shoqërisë përkundrejt këtij sulmi.
Më shumë se sulmi, ne duhet të na shqetësoj burimi i këtij sulmi, vendi nga ky gjenerohet mbështetje për fenomene të tilla. Dhe për ta mbyllur, ky sulm, më shumë së një kërcënim për median dhe fjalën e lirë, përbën një kërcënim për vetë shoqërinë civile dhe funksionimin e saj.