
Shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve. Dënoj fort ushtrimin e dhunës
Zyrtari më i lartë i NATO-s, Rasmussen deklaroi dje se në një vend anëtar të aleancës nuk mund të vriteshin njerëz gjatë një demonstrate. Këtë deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës e bëri gjatë një konference për shtyp në Bruksel. I pyetur nga gazetarja e “Top Channel”, nëse vrasja e njerëzve do të ndodhte në një vend si Danimarka, ku ai kishte shërbyer si Kryeministër, Rasmussen u përgjigj:
“Unë mund t’ju them se ky nuk do të ishte rasti në Danimarkë. Nuk besoj, mendoj se pyetja është hipotetike. Por, seriozisht, unë jam i shqetësuar për situatën në Shqipëri. Jam informuar për atë çfarë po ndodh në Shqipëri”, – deklaroi zyrtari më i lartë i NATO-s, duke u shprehur i shqetësuar në lidhje me atë çfarë ndodhi në 21 janar në vendin tonë. Rasmussen theksoi se fillimisht ishte i shqetësuar për humbjen e jetëve, por dënonte fort edhe dhunën e ardhur nga demonstruesit përpara selisë së Këshillit të Ministrave.
“Sinqerisht, shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetëve. Dënoj fort ushtrimin e dhunës”, – vijoi zyrtari më i lartë i NATO-s. Nisur nga këto konstatime, Rasmussen theksoi se tashmë ishte e nevojshme që palët të dialogonin dhe të bashkëpunonin, duke e quajtur këtë të vetmen mënyrë për të dalë nga kriza. “U bëj thirrje të gjitha partive që të kërkojnë zgjidhje të paqme për mosmarrëveshjet politike. Unë shpresoj se do të shohim një zhvillim normal të jetës politike në Shqipëri”, – bëri thirrje Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Këtë kërkesë, Rasmussen deklaroi se e bënte edhe në emër të eksperiencës së tij si ish-kryeministri i Danimarkës.
“Për sa i takon pyetjes suaj mbi eksperiencën time si ish-kryeministër i një vendi të vogël, mendoj se është me rëndësi thelbësore që vendet e vogla të kenë dhe të sigurojnë një konsensus të gjerë për çështjet kryesore politike, veçanërisht për çështje që lidhen me mbrojtjen, sigurinë dhe politikën e jashtme, dhe në këtë periudhë të vështirë ekonomike, kur shtrohet ehe çështja e bërjes së politikave ekonomike”, – theksoi Rasmussen, duke ndarë në këtë mënyrë edhe eksperiencën e tij politike. Por nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s deklaroi se aleanca nuk mund të ndërhynte në çështjet e brendshme të një vendi dhe se në këtë rast duhet të ishin vetë politikanët shqiptarë që duhet t’i jepnin zgjidhje çështjes. Por sipas tij, NATO shpreson që vendet e aleancës të ndjekin disa kritere standarde, siç janë lirimi dhe respektimit i të drejtave të njeriut.
“Më lejoni t’ju nënvizoj se, selia qendrore e NATO-s në Bruksel nuk mund të vlerësojë situatën politike brenda një vendi anëtar të sajin. Ne nuk ndërhyjmë në politikën e brendshme. Pasi e them këtë, ne gjithashtu në anën tjetër presim që të gjitha vendet anëtare të respektojnë parimet themelore mbi të cilat NATO është themeluar, si liritë e individit, respektimi i të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës, e besoj se të gjitha qeveritë janë në dijeni për këtë”, – theksoi Rasmusen. Sipas tij, tashmë Shqipëria kishte një shans të mirë të tregonte që ishte një vend anëtarë i NATO-s dhe përfaqësuesit e aleancës po e prisnin këtë reagim.







