TemA – (E PERDITESUAR) – Vëzhguesit e ODIHR kanë publikuar raportin përfundimtar për Tiranën, duke theksuar se zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, por u mbajtën në një ambient shumë të polarizuar, me mosbesim mes partive politike në qeveri dhe opozitë. Por meqë një pjesë e mirë e raportit është konsumuar në raportet paraprake, duhet parë qëndrimi që mban ky raport i ODIHR për rezultatin e Tiranës.
Vendimi më i fundit i Kolegjit Zgjedhor, ai që nuk pranoi kërkesën e opozitës për mospërputhjen e votave me numrin e votuesve, është një skandal. Sipas ODIHR, PS ishte brenda afateve për të bërë ankimimin për shkak se ishte vetë Kolegji që kishte rrëzuar vendimin e KQZ. Duhet të rikujtojmë se KQZ dhe Kolegji u shprehën njësoj, se PS duhet të kishte bërë ankimim bazuar në vendimin e KQZ më 23 maj. Sipas tyre, PS kishte tejkaluar afatet. Por ODIHR thotë se ishte vetë Kolegji që ka rrëzuar vendimin e 23 majit.
“Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin e KQZ për të mos shqyrtuar në thellësi ankesën e PS. Ai vendosi se afati treditor gjatë të cilit subjektet zgjedhore mund të kërkojnë pavlefshmërinë nis kur KQZ shpalli rezultatet më 23 maj me vendimin 711. Megjithatë, vendimi bie në kontradiktë me një vendim të mëparshëm të Kolegjit Zgjedhor për të anuluar vendimin e KQZ numër 711,” thuhet saktësisht në raport.
Po ashtu është interesant të shohësh vlerësimin e ODIHR për vendimin e KQZ për të hapur kutitë e për të numëruar disa fletë votimi.
“Anëtarët e grupeve të numërimit mesa duket ishin trajnuar për të konsideruar vota të tilla si të pavlefshme dhe duket se votat e hedhura gabim ishin konsideruar të pavlefshme nga ekipet e numërimit në të gjithë vendin, përfshi dhe Tiranën,” thuhet fillimisht në raport.
Më pas theksohet se KQZ mori një vendim në vija partiake për të hapur kutitë, mbi baza ligjore të paqarta. Po ashtu, vëzhguesit thonë se KQZ kishte bërë gjithçka gati për të nisur vjedhjen e mandatit.
“Drafti jozyrtar që u propozua nga kryetari nuk ofronte një bazë të qartë ligjore për veprimet e KQZ, por listonte një seri nenesh, që duket se nuk kanë lidhje direkte me veprimet e KQZ. KQZ nisi të hapë kutitë menjëherë pasi votoi në parim, çka tregon se kutitë e votimit kishin arritur në ambientet e KQZ,” thuhet në raport.
E si për të bërë më të qartë skemën, në raport thuhet se vendimi përfundimtar i KQZ, ishte i ndryshëm nga ai fillestar.
“Vendimi përdorte një bazë tjetër ligjore nga ajo e cituar në draft vendimin e 18 majit,” thuhet në raport.
Dhe në përfundim ky është verdikti i ODIHR për KQZ.
“Sa i përket zgjedhjeve për kryebashkiak në Tiranë, KQZ u përball me një situatë ligjore të paqartë në një ambient të polarizuar politikisht. KQZ mund të kishte zgjedhur të mblidhte rezultatet e ofruara nga KZAZ-të e Tiranës, duke marrë më pas në konsideratë ndonjë ankimim për votat e hedhura gabim. Por fakti se anëtarët e mazhorancës në KQZ zgjodhën të numërojnë disa (jo të gjitha) votat e hedhura gabim në mënyrë direkte, në një mënyrë jo konsensuale, pasi rezultatet paraprake ishin bërë të ditura, e pa marrë një vendim që mund të ishte sfiduar në Kolegjin Zgjedhor, krijoi perceptimin se ata po vepronin për llogari të mazhorancës në pushtet. Edhe pse disa nga vendimet e KQZ u pranuan pjesërisht nga Kolegji Zgjedhor, veprimet e tij minuan besimin në aftësinë e tij për të funksionuar në mënyrë të pavarur,” thuhet në raport.