Raporti i BE: Topalli po keqpërdor postin

0
47

Shekulli Online, 10.11.2010

Pjesa më e kritikuar në raportin e BE-së është funksionimi i Kuvendit të Shqipërisë. Duke nisur nga kryetarja Topalli, e cila akuzohet se ka shkelur kompetencat e saj e deri tek deputeti më i thjeshtë, Kuvendi ka dështuar. Sipas raportit, Shqipëria ka miratuar një numër të madh ligjesh, por cilësia nuk ka qenë gjithmonë e një standardi të përshtatshëm. “Kuvendi ka punuar shpesh nën presionin e madh të kohës. Vihen re dallime të konsiderueshme mes punës së komisioneve, ku më i ngarkuari është ai i Ligjeve, i cili punon tej limiteve të tij. Përfshirje e grupeve të interesit në seancat parlamentare dhe gjatë konsultimeve është e kufizuar“, – thuhet në raport.

Por pjesa më e madhe e fajit për punën e dobët i takon kryeparlamentares Topalli, e cila akuzohet se ka keqpërdorur postin. “Pozicioni i kryetares së Parlamentit është keqpërdorur, sidomos duke ushtruar influencë të pabalancuar në hartimin e axhendës parlamentare, duke u impostuar në mënyrë frekuente përmes vendimeve të marra në momentet e fundit, ndërkohë që këto vendime duheshin marrë nga konferenca e kryetarëve. Pavarësisht nga dispozitat kushtetuese, ka një mungesë e mbikëqyrjes efektive parlamentare mbi ekzekutivin dhe parlamenti nuk funksionon si institucion i pavarur. Komisionet hetimore kanë qenë shpesh herë forume për grindjet e partive politike, në vend të instrumenteve për mbikëqyrje parlamentare. Ata kanë prodhuar shumë rrallë rezultate dhe kështu kanë pasur ndikim të kufizuar në politikat e qeverisë“, – thuhet në raport.

Një paragraf i veçantë i është kushtuar krizës politike dhe bojkotit të opozitës. “Që nga qershori i vitit 2009, puna parlamentare është lënë në hije dhe është penguar nga bllokimin politik. Partia Socialiste ka bojkotuar punën e parlamentit për periudha të gjata duke bërë thirrje për transparencë dhe hetim të parregullsive në zgjedhje. Qeveria, nga ana e saj, nuk ka treguar gatishmëri për të arritur kompromis në lidhje me propozimet e opozitës për kapërcimin e bllokimit politik. Si rezultat, dialogu politik është përkeqësuar më tej”, – thuhet në raport.

Menjëherë pas refuzimit të statusit kandidat për Shqipërinë nga Këshilli i Evropës, ka reaguar kryeministri Sali Berisha. Raporti i KE do të shndërrohet në një program pune në interesin më të mirë të procesit të integrimit të vendit në BE, tha Berisha. Komentet kryeministri i bëri gjatë një konferencë për shtyp me të dërguarin e BE-së Pirre Mirel, i cili i dorëzoi kryeministrit Raportin e plotë të KE.

Kryeministri Sali Berisha u ndal në tri pika kryesore.

Së pari, tha ai i tërë procesi i integrimit të Shqipërisë në Evropë nga une dhe qeveria ime, është konsideruar si një process kryekëput i bazuar në përformancë dhe meritë, kjo sepse në besojmë se ky është intersi jetik I shqiptarëe, për ndërtimin e idealit evropian në Shqipëri.

Së dyti, vazhdoi më tej kryeministri kemi patur dhe kemi prej vitesh prioritet, që me KE ta kemi komunikimin dhe bashkëpunimin transparent cka përbën një avantazh të madh në punën tonë.

Së treti, në traditën e qeverisë time, tha Berisha , raporti i KE, shndërrohet në një program pune, në interesin me të mirë të procesit të integrimit të vendit në BE.

Ndërkohë ne fjalën e tij i dërguari i BE-së Pierre Mirel përsëriti edhe njëherë kushtet që Shqipëria duhet të plotësoje, të cilat sic tha ai janë shumë të qarta në raport.

Mirel theksoi se në raport ka dhe diçka shtesë për Shqipërinë, është funksionimi i parlamentit. Që nga zgjedhjet e kaluara, tha Mirel, parlamenti nuk ka funksionuar. Kjo situatë duhet të zgjidhet sa më shpejt, pasi një parlament që funksionon është në kriteret e Kopenhagenit.