Ramizi më këmbë, Nexhmija te pularia, Berisha me antiplumb

0
33

Nga Bledi Mane, 6 Tetor 2011

1. Me skafandër në WC

*Tre herë më ka rastisur të përballem me liderin e parafundit komunist (i fundit dihet kush është) të Shqipërisë, shokun Ramiz Alia. Herën e parë kur isha pionier i Enverit dhe me tufa lulesh në duar iu lëshuam byrosë politike që kishte zbritur në qytetin tim me rastin e një prej përvjetorëve të kongresit të Përmetit. Nuk munda dot t’ia dhuroja lulet xhaxhit Ramiz, por në hutim e sipër përfundova në krahët e vjehrrit të Arditit të telebingos, shokut Besnik Bekteshi. Herën e dytë, pas shumë vitesh u ndesha me shkodranin Alia në dyert e hotelit Rogner në kryeqytet, ndërsa herën e tretë të vërtetë e kam parë duke ecur i vetëm rrugëve të Bllokut.

Jam hutuar edhe tani pas rënies së regjimit kur e kam parë ashtu të shkujdesur sepse duket sheshit që nuk trembet e as tutet nga të papriturat. E kanë akuzuar si vrasës dhe në fakt deri në prag të 1991 njerëzit kanë lenë kockat nëpër klonet e kufijve të kësaj republike, sigurimi i shtetit dhe policia e tij ishin ndër më brutalet e kontinentit, vendi lëngonte barktharë dhe ishte kthyer në një nga getot më mjerane të globit.

*Shoqen Nexhmije të parën herë dhe të fundit e kam takuar e folur aty nga viti 2003 kur më duhej një prononcim i saj për një artikull që botova të gazetat Korrieri dhe TemA të asaj kohe. Me të pyetura alla shqiptarçe ia gjeta banesën e nuk u besoja syve kur e pashë se ish zonja e parë, vejusha e zezë (siç e quan Fahri Balliu) kishte përshtatur një nga qoshet e pularisë së Laprakës në apartament banimi. I trokita natyrshëm në derën e blinduar të shtëpisë e pasi ma çeli pa pikë sikleti folëm gjerë e gjatë siç mund të muhabetoset një dibrane e një përmetar. Më zi se Ramizi, këtë Nexhmijen e kanë mallkuar dhe anatemuar me miliona herë i madh e i vogël në këtë vend sepse realisht ka qenë bashkëshortja e një zagari gjakpirës, i cili e tjetërsoi këtë vend e këtë racë evropiane më tepër se sulltanët stambollinj dhe perandoria e tyre e ndyrë.

Syrgjynosën e vranë me mijëra kundërshtarë të tyre nga ’45 e deri më 1990, e shpallën Shqipërinë si të vetmin vend ateist në botë dhe na ushqenin si kafshët e kopshtit zoologjik të Tiranës. Ndryshimi i sistemit i gjeti për disa kohë në burg që të dy, por akuza që i çoi pas hekurave ishte më tepër se qesharake. Zyrtarisht kanë mbi supe me miliona mëkate që u rëndojnë, por deri tani askush prej tyre nuk është kërrusur dhe na sfidojnë të gjithëve ne ish qytetarët e tyre të kuq me karshillëkun që na bëjnë. Askush nuk i ndalon në rrugë ti ofendojë, askush nuk i pështyn e i tall, asnjë ish i burgosur politik e i internuar nuk i prek me dorë a ti kërcënojë… jetojnë për qejfin e tyre dhe po shkojnë drejt të nëntëdhjetave me dorë e me këmbë.

*Estrada nuk mbaron këtu. Ky kryeministri im dhe i juaji, ky që e ka renditur Shqipërinë në vendin e dytë pas Gjermanisë me ekonominë më imune ndaj krizave, ky Berishë që qeveris sot më të bukurën e dheut ka frikë të jetojë si njeri normal dhe madje kur shkon të dhjesë në wc-në e shtëpisë tregojnë se vendos skafandër ngaqë dritarja e banjës së tij shikon nga një rrugë mbushur me bare dhe të rinj. Kur shkon tu përurojë katundarëve e qytetarëve rrugët a ujësjellësat (?) mban veshur një jelek antiplumb ndërsa nëpër mitingje elektorale garda republikane zgjedh me kujdes njerëzit, të cilët do i japin dorën.

Nëpër studiot televizive para se të shkojë për intervista e debate janë të parët qentë antiminë që nuhasin edhe kolltukun ku do të ulet, ndërsa vetura që bleu së fundmi i kushtoi 700 mijë dollarë dhe është më e blinduar se makina e të ndjerit Rafik Hariri. Na premtoi parajsën dhe thotë se na ka pllakosur lumturia e bollëku nëpër portofole e frigoriferat e shtëpisë, bërtet duke na treguar se na futi në NATO, klith duke na thënë që ua hoqa regjimin e vizave, pleq e plaka i rinoi me rritjen e pensioneve, administratën e ka dendur me rroga evropiane dhe gjithsesi duket i frikësuar. Ndryshe nga Ramiz Alia, Berisha s’ka bythë të dalë nëpër Bllokun trendy të Tiranës, ndryshe edhe nga Nexhmija nuk të hap as derë shtëpie, as celular.

E ka frikë të zakonshme, frikë patologjike, nervore-psiqike apo nuhat diçka?

Që nga Enveri, Ramizi dhe Nexhmija pavarësisht periodikut të mëkateve askush nuk shfaqej në televizione, gazeta e radio 5 herë çdo ditë. Ata të zhduknin nga kjo jetë dhe dukeshin në publik sa për 1 maj a 29 nëntor. Ky dallkauku i tanishëm sa herë që vret shfaqet në ekran duke përuruar spitale, sa herë që vjedh shkon takon tetraplegjikët, sa herë që kërcënon kundërshtarët fton në Tiranë Grossruckun e OSBE-së. E kemi kriminel dhe hajdut budalla këtë kryeqeveritarin tonë.

Nuk di të mbulojë as gjurmët pavarësisht se ka 11 vjet në pushtet. Mëkaton me qytetarët taksapagues të vendit të tij dhe friket nga kundërshtari politik, opozita. Harron se edhe Bajram Curri i frikësohej Ahmet Zogut, por vdekjen e gjeti nga miqtë e tij, bejlerët e Gjakovës. Ndaj vdekjen politike pashmangërisht Berisha do e gjejë nga biznesmenët dhe sejmenët e oborrit që ka dhjamosur këto 6 vjet. Duam a s’duam, lufta brenda llojit ka filluar. Lufta qenka si fibër optike interneti, si skrap azotiku qenka kjo luftë e poshtër.

2. Trimëri amerikane dhe kurvëri shqiptare

“Prandaj, teksa i lexoni materiale të tilla, sado të njollosura, ju nxis të mos hutoheni nga pohimet e ndryshme sensacionale, por në vend të kësaj të ngulni sytë në një fakt thelbësor dhe të pakundërshtueshëm që gjendet aty: ambasadat amerikane thonë të vërtetën. Ky është dhe do të jetë gjithmonë parimi më i parë dhe më i lartë i diplomacisë amerikane. Sado i keq të jetë lajmi apo sado e sikletshme të jetë një rrethanë, një ambasadë amerikane raporton të vërtetën, edhe për një aleat të ngushtë si Shqipëria. Nëse zgjedhjet janë të dyshimta, ne e themi këtë.

Nëse autoritetet qeveritare kërcënojnë pavarësinë e institucioneve demokratike të vendit dhe median, ne e themi këtë. Nëse besnikëria partiake pengon qeverisjen e vendit; nëse korrupsioni i kudogjendur minon zhvillimin e mirëfilltë ekonomik; nëse përparësia e udhëheqësve është të rendin me këmbëngulje drejt pushtetit në vend që të rendin për t’i shërbyer popullit, ne e themi këtë. Dhe nëse parimet universale të demokracisë vazhdojnë të lihen mënjanë dhe vetë demokracia bën prapa – ne e themi këtë dhe do vazhdojmë ta themi këtë deri sa të rifillojë përparimi i vërtetë. Kjo është detyra parësore e një diplomati amerikan, dhe një detyrë e tillë do të përmbushet patjetër.”

Këtë letër këtu lart nuk e kam shkruar unë, por hirësia e tij John L. Withers II. Ish ambasadori i nderuar amerikan, të cilin deshën ta groposnin këto 5 javët e fundit bukëshkalët e politikës bashibozuke të Tiranës foli qartë e prerë pa ekuivoke. Foli për ju të menderosurit e kësaj vjeshte… Oooooooooo Luan Hoxha, o gjeneral me yje i ushtrisë shqiptare, o ish shef i shtabit të përgjithshëm, oooooo Hysni Burgaj, o drejtor i policisë së shtetit… me ju po flas. Nuk keni turp nga vetja kur spërdridheni si kurva duke u justifikuar se kabllogramet ishin farsë dhe ju nuk keni folur asnjëherë me kryediplomatin amerikan? Kujtuat se Washingtoni po dremiste dhe ju ua hodhët hirin syve. Mjerë kasollja ku u lindët, mjerë ky popull për kë paguan taksa, u zverdhshin ata yje mbi spaletat tuaja dhe TURP…qenkeni frikacakë&maskarenj!!!

3. Atdheu me brekë nëpër këmbë

Kërkoni në arkivat e INSTAT-it si ka luhatur çmimi i trangullit të Lushnjes nga viti 2003 në vitin pasardhës. Pyesni për çmimin dhe shitjen e patëllxhanit të Divjakës aty rreth viteve 2005-2006, preshi i Kasharit vazhdon të blihet pavarësisht ngritjes së çmimit nga nëntori deri në shkurt…Sa lopë ka Fieri dhe sa u mbarsën në Devoll, sa qenër rruge ka Kamza dhe sa qenër shtëpie ka te rruga e Elbasanit. Sa policë janë nga Veriu dhe sa prej tyre nga Skrapari? Kërkoni çdo lloj informacioni dhe do e gjeni menjëherë në arkivat apo database-et e Institutit Shqiptar të Statistikave, por mos guxoni të dini sa banorë ka vendi ynë, sa femra e sa meshkuj, sa prej tyre janë me kombësi ndryshe nga e jona. Mbani mend lagjen a shkollën gjatë fëmijërisë kur dinim të gjithë se Sofika ishte maqedonase me origjinë, Ronin e thërrisnim jevg se ishte i zi, Tosunin e shanim arixhi se fliste gjuhë tjetër me familjen e tij dhe flinte në kasolle, Irinin e quanim greçkë se kishte prindërit dropullinj dhe flisnin greqisht, me Puriqët talleshim kur flisnin dhe këndonin në gjuhën vllahe…

Census-in çdo dekadë çdo vend i civilizuar e ka të nevojshme. Të regjistrosh popullsinë, qytetarët e tu, të dish sa lindin e vdesin, të dish sa besojnë a jo në zot mbetet një nga normat bazike të jetës komunitare që nga Roma e lashtë. Ndaj unë mezi po pres realisht të vetëdeklarohem me vullnet e bindje: kombësia-Shqiptare, besimi fetar-i krishterë!

*facebook.com/bledi.mane