Edi Rama, 11.01.2010
Sot Sali Berisha tha nga Shkodra se situata të tilla ndodhin një herë në njëqind vjet. Jo zotëri që veç si zotëri nuk dite të sillesh, as këtë herë, pasi qeveria jote e përmbyti Veriun e vendit. Situata të tilla nuk ndodhin jo një herë në njëqind vjet, po nuk ndodhin asnjëherë aty ku ka ligj e ku ka shtet dhe jo si këtu ku ka vetëm një Maliq e një palo pushtet. Sepse Veriun nuk e përmbyti dora e Zotit, po mendja e robit. Veriun e mbyti shkelja e ligjit, rënia e shtetit, marrëzia e pushtetit.
Situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, as kur mbi veri dhe mbi liqenet e hidrocentraleve ka rënë shumë më tepër shi e ka rrjedhur shumë më tepër borë e shkrirë, sepse nuk ka pasur asnjëherë më parë Shqipëria në krye të kësaj pune njerëz që të mbledhin ujin e hidrocentraleve jashtë çdo kufiri logjik e kriteri shkencor për të bërë lekë.
Situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, sepse asnjëherë më parë shteti shqiptar nuk ka qenë kaq i dalë duarsh, kaq jashtë binarëve të ligjit dhe të kontrollit të ekspertëve edhe për çështjet më delikate që lidhen me sigurinë e jetës së njerëzve, kaq i kapur nga një pushtet interesash kryekëput korruptive.
Sali Berisha ka fshehur prej një viti gropën përditë e më të thellë të krizës ekonomike dhe për t’a mbushur sadopak atë gropë pushteti i tij hapi një gropë të madhe në jetën e mijëra familjeve blegtore të veriut që kur të ikë uji do të përballen me shtëpi të dëmtuara, me toka të shterpëzuara, me bagëti të pakësuara, me një ekonomi të rrënuar përtokë pas 19 vjetësh sakrifica në luftë me mjerimin, skamjen, izolimin. Dhe mbi të gjitha, sot kur kanë kaluar 10 ditë nga kjo dhuratë cinike që Sali Berisha i bëri shkodranëve, pa marrë parasysh fare jetën e pronën e tyre kur mblidhte ujë në Fierzë mbi çdo normë të lejuar, ai ende nuk ka mbledhur qeverinë për të përcaktuar të gjitha kriteret për nxjerrjen sa më parë të shumës së dëmshpërblimit për të përmbyturit.
Të cilët ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, të cilat sipas nesh janë gjithsesi të zvogëluara ndjeshëm, po i mbyt me një ujë që po të ishte menaxhuar si duhet Fierza do të kishte prodhuar jo përmbytjen apokaliptike të qarkut të Shkodrës, por 457.638 MËh energji elektrike. Që e llogaritur me çmimin minimal, përbën një humbje për shtetin e për shqiptarët të barabartë me 3 miliardë e 523 milionë lekë të reja.
Plot 35 milionë dollarë të shpërdoruara vetëm duke mos e përdorur ujin në kohën e duhur për energji, po duke e mbledhur jashtë arsyes për babëzi.
Sali Berisha nuk mund t’u thotë shkodranëve se KESH-i që i përmbyti do t’u kompensojë çdo qindarkë, po duhet t’u thotë, një orë e më parë, se me ta nuk do të ndodhë si me të shkretët banorë të Gërdecit, ca të nënës e shumë të njerkës, dhe se ai, njeriu që duhet t’ua kishte kursyer këtë shkatërrim duke mos u bërë palë me priftin e korrupsionit, do të marr me çdo kusht përsipër t’i kompensojë qindarkë për qindarkë dëmet e tyre.
Ashtu sikundër qeveria e votave të vjedhura duhet të nxjerrë, urgjent, lekë në dorë për çdo familje që jeton në zonën e përmbytur dhe s’mund të mbajë frymën gjallë,
as duke pritur thesin me miell, që edhe kur vjen shumë shpesh nuk ka ku gatuhet,
as duke shitur lopën për 5 ditë bukë. Ky njeri që po e çon vendin nga rrënimi në rrënim, me zjarr në Gërdec, me shembje mali në Kalimash, me përmbytje të paparë në 100 vjet siç thotë edhe vetë në qarkun e Shkodrës, është kthyer në një farëmbjellës katastrofash.
Pushteti i tij i vjedhur në 28 qershor po e shkatërron shtetin me babëzinë, me papërgjegjshmërinë e me lukuninë e të paaftëve që s’kanë haber nga punët për të cilat paguhen me lekët e shqiptarëve. Propaganda e tij që njëherë tha e kemi këtë të keqe nga ngrohja globale, pastaj tha këtë të keqe na e bëri hëna ngaqë i zuri toka dritën e diellit, kurse sot tha kjo që na ndodhi ka ndodhur vetëm në Australi e Brazil, është një turp që s’është parë e dëgjuar asnjëherë për nga përmasat e shejtanbudallallëkut në drejtimin e një vendi. Ky vend e ky popull nuk ka më as arsye as mundësi të paguajë për pushtetin e këtij njeriu e për interesat e oborrit të tij familjar.