Ajo që ndodhi në procesin zgjedhor të 8 majit në Tiranë duket se ka bindur Partinë Socialiste se duhen bërë ndryshime në legjislacion. Edi Rama iu përgjigj dje ftesave indirekte të mazhorancës duke thënë se është gati të ulet në tryezë, por jo me Berishën. Ai kërkoi garanci nga ndërkombëtarët se do të bëhen ndryshime reale. Nga ana tjetër Rama kërkoi edhe që si Berisha, ashtu edhe ndërkombëtarët të pranojnë që rezultati në Tiranë u vodh.
Pas zbardhjes së vendimit të Kolegjit Zgjedhor që rrëzoi kërkesën e PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, kreu i socialistëve ka bërë të ditur aksionin opozitar dhe masat që do të merren nga ana e tyre për të mos lejuar ripërsëritjen e vjedhjes së mandatit. Ai shpjegoi se selia rozë refuzon kategorikisht që të hyjë në një dialog të drejtpërdrejtë me kreun e mazhorancës pasi mos garantimi i standardeve në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 dhe në zgjedhjet e 8 majit, kanë zbehur besimin e Partisë Socialiste tek premtimet e mazhorancës dhe angazhimi i këtyre të fundeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duke vlerësuar arsyetimin e Kolegjit si idiotik, Rama tha se ai konsumoi plotësoi veprën e vjedhjes së zgjedhjeve të Tiranës dhe e vulosi me vendim gjykate.
“Për të mundësuar një dialog serioz në kushtet kur qeveria ka vjedhur haptas opozitën, duhet fillimisht të pranohet publikisht se ajo që ndodhi me zgjedhjet e 8 majit në Tiranë ishte jashtë çdo standardi demokratik ndërkombëtar dhe si e tillë nuk duhet të përsëritet më kurrë”,- apeloi Rama. Këtë apel ai e bëri edhe për ndërkombëtarët, të cilët i cilësoi si njerëzit “që përfaqësojnë botën e ëndërruar ku zgjedhjet nuk vidhen, ku gjykatat nuk dhunojnë barazinë para ligjit, ku media nuk përdhunohet, ku opozita nuk trajtohet si armik i brendshëm i vendit”. Për socialistët kjo do të ishte hapi i parë që do të mundësojë një dialog serioz në kushtet kur ata pretendojnë se qeveria ka vjedhur zgjedhjet. Ndaj, ata kërkojnë që fillimisht të thuhet hapur e vërteta e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.
Vetëm pas këtij hapi, Partia Socialiste do të jetë e gatshme që të hyjë në bisedime, jo thjesht për dialog, por për një paketë të plotë reformash e garancish kushtetuese, ligjore e institucionale. Në vijim të rrugës që do të ndiqen nga socialistët, mosbesimi i tyre ndaj liderit të Partisë Demokratike shkon deri aty sa garantimi i paketës së reformave të vijë nga ndërkombëtarët dhe jo nga Sali Berisha. “Këtë paketë s’mund ta garantojë Saliu, po vetëm komuniteti ndërkombëtar, i cili duhet ta kuptojë se këtë herë në Tiranë nuk u vodh vetëm opozita, po u vodhën edhe BE-ja, edhe SHBA, edhe OSBE-ja”,- nënvizoi dje Rama. Pas bërjes publike të kursit të ri politik që do të ndiqet nga e majta shqiptare, kreu i socialistëve i bëri të ditur kundërshtarit të tij politik se “në gjurmët e vjedhjes së zgjedhjeve në Tiranë do të gjejë shpejt fundin e pashmangshëm të pushtetit të tij”.
“Pjesë e këtij kursi politik është dhe refuzimi që t’i nënshtrohen diktaturës së faktit të kryer dhe nuk do të bëhen pjesë e çfarëdo farse të ideuar apo organizuar nga Saliu gjoja si dialog, po në fakt vetëm për të vazhduar të gënjejë e të tallet me popullin shqiptar e me komunitetin ndërkombëtar”,- tha Rama. Pas krizës së prodhuar nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, Rama e Berisha janë ulur së bashku në disa tavolina të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët. Një prej tyre ka të bëjë dhe me negociatat që liderët e politikës zhvilluan në restorant “Krokodili” në Strasburg por teksa dukej se palët do të gjenin një zgjidhje pas këtij takimi, situata vijoi të mbetej e njëjtë.
Ç’do ndodhë
Brenda pak javëve do të shpallet raporti final për zgjedhjet vendore që u mbajtën në 8 maj. Në këtë raport të hartuar nga ekspertë dhe vëzhgues ndërkombëtarë do të jepen propozime korrekte që do të synojnë përmirësimin e legjislacionit zgjedhor dhe mospërsëritjen e të njëjtave probleme.
Pas publikimit të raportit të OSBE – ODHIR është radha e politikës shqiptare që bëjë përpjekjet për të arritur një marrëveshje mbi ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin Zgjedhor. Kjo përgjegjësi do të bie mbi liderin e socialistëve dhe atë të demokratët, të cilët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Basha në gjykatë: Më jepni mandatit e Tiranës
Mandati i kryetarit të ri të bashkisë së Tiranës nuk do të merret përmes procedurës zyrtare, por përmes Gjykatës së Tiranës. Kandidatit demokrat Lulzim Basha duket se i ka pëlqyer marrja e mandatit me procedurë dhe ka vendosur ta çojë këtë gjë deri në fund duke depozituar një kërkesë për vërtetimin e mandatit të tij në gjykatë. Gjykata ka hedhur edhe shortin për gjyqtarin e çështjes që do të jetë Elbana Lluri.
Në ligjin për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore thuhet se shpallja e vlefshmërisë së mandatit bëhet në mbledhjen më të parë të Këshillit të Bashkisë, ku kryetari bën betimin dhe ushtrimi i mandatit fillon në çastin kur betohet. Në këtë rast kandidati demokrat do të duhet të priste edhe pak sa të konstituohej këshilli, por duke qenë se çështja ka shkuar në Kolegj dhe eg jithë procedura zgjat rreth një muaj, Basha ka preferuar rrugën e shkurtër.
Kërkesa do të vërtetojë vendimin e datës 25 qershor të KQZ-së, në të cilin u shpall fitues kandidati Basha pas rivlerësimit të 1797 kutive të votimit me një diferencë prej 93 votash. Sipas ligjit, fituesi duhet të paraqitet në Gjykatën e Tiranës duke pasur me vete vendimin e Kolegjit Zgjedhor që e shpalli fitues si dhe vendimin e KQZ-së që e shpalli fitues. Burime nga stafi i Bashës pohuan se juristët pritën edhe zbardhjen e vendimit të Kolegjit të datës 8 korrik ku jepet edhe sqarimi i plotë për shkaqet që çuan trupën zgjedhore në një vendimmarrje të tillë në favor të mazhorancës. Ditën e premte Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së që shpalli fitues kandidatin e mazhorancës Lulzim Basha me 93 vota para ndaj kundërshtarit, Edi Rama. Sipas vendimit, gjyqtarët ishin të mendimit se paditëse nuk kishte respektuar afatin për të kërkuar pavlefshmëri.
Rruga e Bashës për në bashki ka zgjatur plot dy muaj. Fillimisht nga procesi i numërimit që u realizua nga grupet e numërimit të votave, rezultoi fitues kandidati socialist Edi Rama. Kryesocialisti mori 124.623 vota, ndërsa Basha mori 124.613 vota, pra dhjetë vota më pak. Por KQZ vendosi që të rivlerësojë edhe njëherë 117 kuti të kërkuara nga komisionerët e djathtë. Nga ky proces, rezultati ndryshoi në favor të kandidatit demokrat Lulzim Basha. Basha mori 174 vota ndërsa Rama vetëm 83 duke e çuar diferencën ndërmjet kandidatëve në 91 vota. Por në këtë moment u shfaq edhe fenomeni i votave shtesë. Hapja e këtyre kutive tregoi se kishte më shumë vota se sa votues. Opozita e ankimoi në KQZ dhe në Kolegj ku trupa gjykuese me relator Tom Ndrecën e cilësoi të rregullt çështjen. Vetëm pak ditë më pas Kolegji urdhëroi edhe rivlerësimin e 1797 kutive të votimit të mbetura. U gjetën 498 fletë për kryetar dhe diferenca mes kandidatëve arriti në 93 vota.
Mandatet në gjykatë
Nr. i Çështjes: 10578
Dt. e regjistrimit: 25.05.2011
Paditësit: Fiqiri Ismaili / Bashkia Vorë
Nr. i Çështjes: 10679
Dt. e regjistrimit: 27.05.2011
Paditësit: Besnik Fuçia / komuna Kashar
Nr. i Çështjes: 10718
Dt. e regjistrimit: 30.05.2011
Paditësit: Hysen Xhura / Njësia Bashkiake nr.4 Tiranë
Nr. i Çështjes: 10722
Dt. e regjistrimit: 31.05.2011
Paditësit: Gentian Myrta / Komuna Vaqarr
Nr. i Çështjes: 10723
Dt. e regjistrimit: 31.05.2011
Paditësit: Pëllumb Curri / Komuna Ndroq
Nr. i Çështjes: 10773
Dt. e regjistrimit: 01.06.2011
Paditësit: Fatbardh Plaku / Komuna Farkë
Nr. i Çështjes: 10774
Dt. e regjistrimit: 01.06.2011
Paditësit: Refik Velija / Komuna Krrabë
Nr. i Çështjes: 10775
Dt. e regjistrimit: 01.06.2011
Paditësit: Xhelal Mziu / Bashkia Kamëz
Nr. i Çështjes: 10776
Dt. e regjistrimit: 01.06.2011
Paditësit: Jeta Seitaj / Njësia bashkiake nr.5
Nr. i Çështjes: 10806
Dt. e regjistrimit: 02.06.2011
Paditësit: Ilir Kokona / Njësia Bashkiake nr.3
Nr. i Çështjes: 10807
Dt. e regjistrimit: 02.06.2011
Paditësit: Kujtim Qefalia / Komuna Dajt
Nr. i Çështjes: 10808
Dt. e regjistrimit: 02.06.2011
Paditësit: Dritan Duka / Komuna Shëngjergj
Nr. i Çështjes: 10877
Dt. e regjistrimit: 03.06.2011
Paditësit: Lindita Nikolla / Njësia Bashkiake nr.1
Nr. i Çështjes: 10957
Dt. e regjistrimit: 07.06.2011
Paditësit: Krenar Canollari / Njësia Bashkiake nr.6
Nr. i Çështjes: 10958
Dt. e regjistrimit: 07.06.2011
Paditësit: Ahmet Halili / Komuna Prezë
Nr. i Çështjes: 10959
Dt. e regjistrimit: 07.06.2011
Paditësit: Genc Drita / Komuna Bërzhitë
Nr. i Çështjes: 11035
Dt. e regjistrimit: 09.06.2011
Paditësit: Indrit Fortuzi / Njësia Bashkiake nr.9
Nr. i Çështjes: 11090
Dt. e regjistrimit: 10.06.2011
Paditësit: Erion Koka / Njësia Bashkiake nr.7
Nr. i Çështjes: 11091
Dt. e regjistrimit: 10.06.2011
Paditësit: Enver Dorzi / Komuna Pezë
Nr. i Çështjes: 11298
Dt. e regjistrimit: 15.06.2011
Paditësit: Fatos Rexha / Komuna Paskuqan
Nr. i Çështjes: 11299
Dt. e regjistrimit: 15.06.2011
Paditësit: Ylli Kupi / Komuna Petrelë
Nr. i Çështjes: 11300
Dt. e regjistrimit: 15.06.2011
Paditësit: Elmi Allmuça / Komuna Baldushk
Nr. i Çështjes: 11339
Dt. e regjistrimit: 17.06.2011
Paditësit: Rexhep Moqi / Komuna Zall Bastarit
Nr. i Çështjes: 11340
Dt. e regjistrimit: 17.06.2011
Paditësit: Elez Gjoka / Njësia Bashkiake nr.2
Nr. i Çështjes: 11457
Dt. e regjistrimit: 21.06.2011
Paditësit: Blend Fuga / Njësia Bashkiake nr.10
Nr. i Çështjes: 11886
Dt. e regjistrimit: 05.07.2011
Paditësit: Ymer Marku / Komuna Bërxull
Nr. i Çështjes: 12095
Dt. e regjistrimit: 12.07.2011
Paditësit: Gani Allushi (Alushi) / Komuna Zall Herr
Nr. i Çështjes: 12174
Dt. e regjistrimit: 13.07.2011
Paditësit: Haki Mustafa / Njësia Bashkiake nr.11
Nr. i Çështjes: 12183
Dt. e regjistrimit: 13.07.2011
Paditësit: Lulzim Basha / Bashkia Tiranw
Denis Dedej, Luis Tanushi