Rama u dërgon mesazhe Berishës, Nishanit, Llallës e Fullanit dhe shton: Qeverisim me LSI-në si një forcë e vetme

0
37

TemA, 9 Korrik 2013

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, paralajmëron Berishën të mos marrë vendime në largim se do të anulohen kur të vijë qeveria e re. Rama kritikon emërimet e fundit në Gjykatën e Apelit. Nishanit i kujton se do luftohet korrupsioni në drejtësi, Llallës i thotë se nuk ka bërë asgjë ndaj krimit dhe korrupsionit, kurse Fullanit i thotë të ketë kujdes me shifrat, ndërsa paralajmëron një marrëveshje të re me FMN-në

Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, mblodhi grupin e ri parlamentar të Partisë Socialiste për t’u dhënë mesazhin se festa mbaroi.

“Për ne ka nisur një sfidë e re. Më 23 qershor, shqiptarët na dhanë së bashku me aleatin tonë strategjik, LSI, një mandat të rëndë sa një mal.

E thirrëm këtë mbledhje të parë të grupit sot për të mbyllur kapitullin e gëzueshëm të fitores spektakolare dhe për të hapur kapitullin aspak të lehtë të mirëqeverisjes në një vend ku realiteti nuk ka asgjë të gëzueshme,” tha Rama.

Kryetari i PS i dërgoi sërish mesazh kryeministrit në detyrë që të ndalojë vendimmarrjen abuzive, duke e paralajmëruar se këto vendime do të zhbëhen.

“Sa i takon qeverisë dhe kryeministrit aktual, unë e përsëris edhe sot thirrjen publike për vetëpërmbajtje dhe përgjegjshmëri në drejtim të vendit. Qeveria në detyrë duhet të sillet sipas standardeve etike.

Qytetarët zgjodhën me 1 milion vota projektin tonë. Humbësit nuk mund të sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe aq më pak sikur nuk kanë humbur. Ata janë rrëzuar moralisht, është rrëzuar modeli i tyre qeverisës, raporti i tyre me pasurinë kombëtare, sjellja e tyre me publikun dhe opozitën.

Më vjen keq që për shkak të sjelljes së tyre me paratë e popullit dhe pasurinë kombëtare, duhet t’ua kujtojmë sërish se janë mundur aq keqaz.

Por e kemi detyrë që t’u kërkojmë të ndalin rrënimin. E kanë humbur të drejtën të marrin vendime me kosto materiale. E kanë humbur të drejtën të shpenzojnë para të popullit sovran. E kanë humbur të drejtën që ta tërheqin Shqipërinë zvarrë pas vetes në këto dy muaj.

Thirrja jonë është ndaloni shpenzimet e parave të popullit shqiptar. Mos merrni më as vendime mbi pasurinë kombëtare që rëndojnë mbi kurrizin e popullit. Shfrytëzojini këto dy muaj për të kaluar në opozitë si humbës normalë.

Ne do anulojmë çdo vendim për shpenzime që shkojnë përtej rolit të një qeverie kujdestarie.

Mos e vazhdoni më tej këtë lojë të rrezikshme për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit dhe mos i rrisni kostot e papërgjegjësisë tuaj.

Edhe sipërmarrësve u them të mos përfshihen në marrëdhënie me këtë qeveri. Boll kanë humbur në aventurën ku i ka tërhequr kjo qeveri,” tha Rama.

Më pas kryetari i PS foli për takimet me drejtuesit e institucioneve të pavarura në vend.

“Ditët e fundit kam takuar presidentin, kryeprokurorin dhe guvernatorin. I falënderoj të tre, por nuk mund të mos bashkohem me shqetësimin e madh që u krijua pas ngritjes në detyrë të një sërë gjyqtarësh që kanë shkaktuar zemërim me vendimet e tyre.

Unë jam i vendosur për të krijuar një bashkëpunim institucional. Epoka e agresionit verbal është mbyllur më 23 qershor, por askush, duke nisur nga kreu i shtetit, nuk duhet të marrë si dobësi vizionin dhe qasjen tonë ndaj institucioneve të shtetit.

I kam thënë presidentit që fakti që vijmë nga dy kampe, është një mundësi. Dua të shpresoj që edhe ai ta shohë kështu dhe të punojë si garant kushtetues i të gjitha palëve.

Shpresoj që zoti president ta lexojë me përpikmëri votën e 1 milion shqiptarëve,” tha Rama, duke paralajmëruar një reformë të thellë në fushën e drejtësisë.

“Ne nuk do bëjmë sehir duke parë se me çfarë brutaliteti e drejta vritet dhe sakatohet në farsat e sallave të gjyqësorit. Ne nuk do bëhemi kurrë aleatë me gjykatës të korruptuar. Qeveria e re do jetë belaja më e madhe e të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.

Qeveria do hapë një luftë të re dhëmb për dhëmb me krimin e organizuar që ka gjetur shesh për të bërë përshesh.

1 milion njerëz na kanë dhënë mandat që t’u kthejmë sigurinë e humbur të jetës dhe pronës,” tha Rama.

Një kritikë ai e ka rezervuar edhe për kryeprokurorin Adriatik Llalla duke thënë se nuk ka bërë asgjë konkrete.

“Ne nuk kemi votuar as për presidentin dhe as për kryeprokurorin, por ky kryeprokuror nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar vlerësimin tonë. Ia kam bërë të qartë se ne do qeverisim pa kompromis për korrupsionin.

Dua të shpresoj se prokuroria në drejtimin e tij do të shënojë progres real në betejën me gangrenën e vendit, krimin dhe korrupsionin,” tha Rama.

Kryetari i PS paralajmëroi një marrëveshje të re me FMN-në.

“Me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë kam biseduar për financat në vend. I kam kërkuar atij të nxisë një program të vlerësimit të sektorit financiar. Na duhet një vlerësim prestigjioz për stabilitetin financiar. Nuk mund të lejojmë më tutje përkeqësim të financave të vendit,” tha Rama.

“Çështja e marrëveshjes së re me FMN do diskutohet, por e çmojmë jashtëzakonisht shumë ekspertizën e FMN-së dhe BB në funksion të ndërtimit të një shteti serioz”.

“Raporti të ardhura me shpenzime ka kaluar çdo sens logjik nga ata që u ndëshkuan nga populli, pasi menduan se shqiptarët mund të ngopen me shirita. Gjysma e mbetur e vitit e gjen vendin në gropën e çoroditjes së sektorit financiar”.

Rama u ndal gjatë edhe tek çështja e punësimeve, duke paralajmëruar se nuk do ketë më punësime me natyrë nepotike, por vetëm punësime të bazuara tek meritat.

“Nuk duhet të bëhemi pjesë e avazit të punësimit nga lidhjet qorre të shkurtra. Ky do ishte akti i parë i tradhtisë ndaj atyre 1 milion njerëzve që presin nga ne rilindjen.

Konkurrenca dhe merita është ajo që vendos.

Në emër të partisë garantojmë këdo për trajtim të barabartë të kërkesave. Nuk do lejojmë diskriminimin dhe mënjanimin e askujt.

Ne do e bëjmë këtë vend duke kujtuar se këtu ka shtet,” tha Rama.

Në fund ai ka folur për formimin e qeverisë së re, duke thënë se do qeveriset si një forcë e vetme me LSI-në. Ai tha se do ngrihet një grup pune PS- LSI për të evidentuar potencialet e burimeve njerëzore.

“Jemi ribashkuar me zotimin solemn për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.

Kemi maksimizuar si PS dhe LSI potencialin e sistemit.

Pra, është votuar PS-ja, është votuar LSI-ja, por është votuar edhe bashkimi. Llogaritë sa më shumë do fitonim vetëm PS, apo LSI vetëm, le t’i bëjnë ata që janë të papunë me në krye Kastriot Islamin.

Ne jemi dy parti, por jemi një forcë e vetme qeverisëse dhe do qeverisim si një forcë e vetme. Ne nuk do i ndajmë njerëzit në ne dhe ata. Unë nuk jam naiv, por kjo është një kërkesë e panegociueshme e popullit sovran.

Procesi i formimit të qeverisë nuk ka mbërritur tek emrat. Aty do të shkohet pasi të hidhen piketat e qeverisjes.

Grupi i përbashkët i punës do të hartojë metodologjinë e trajtimit të burimeve njerëzore.

Nuk e di nëse do ketë një qeveri me më pak ose më shumë ministra, por di që qeverisja jonë do kushtojë më pak,” tha Rama.

Kryetari i PS u shpreh se ai nuk i bën publike mesazhet dhe telefonatat e ndërkombëtarëve, por theksoi se pritshmëria e tyre ndaj qeverisjes së majtë është po aq e madhe sa ajo e njerëzve që votuan për këtë koalicion./ep