Rama: Të shtyhet kufiri, asnjë pëllëmbë det në dëm të Shqipërisë

0
76

Idea, 12 Nov 2012

Tiranë – Për herë të parë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar sot me tone të ashpra dhe qartazi për paktin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Gjatë një deklarate për mediat, kreu i opozitës u shpreh se përgjegjëse për këtë situatë është qeveria dhe i kërkoi asaj rishikimin e marrëveshjes, ndërsa tha se nuk do të lejohet që asnjë pëllëmbë det të jetë në dëm të Shqipërisë.

“Marrëveshja aktuale është praktikisht zonë e minuar për marrëdhëniet mes dy vendeve. Rishikimi i hartës dhe vendosja e kufirit është një domozdoshmëri historike. Qeveria duhet të marrë përsipër përgjegjësitë për qorrsokakun që ka vizatuar në hartë dhe të ulet me fqinjët për të gjet rrugën e arsye. Deti është i përbashkët dhe dy popoujt kanë të drejtë të përfitojnë, por jo në kurriz të tjetrit. Projekti TAP nuk duhet të cënohet nga marrëveshja e firmosur qorrazi nga qeveria shqiptare”,- tha Rama.

Më tej kreu socialist u shpreh se është e papranueshme që të zbatohet një marrëveshje e nxitur nga nacionalitët e të dyja shteteve, ndërsa theksoi se nëse ky problem mbetet i pazgjidhur, atëherë do të cënohet e ardhmja e vendit.

“Qeveria nuk duhet t’i bëjë bisht detyrimit për zgjidhjen e problemit siç e imponon Gjykata Kushtetuese. Sensi historik dhe i së drejtës dhe ai i së ardhmes. Një e ardhme që nuk mund të cënohet. Është përgjegjësi e qeverisë dhe e kryeministrit që në 100-vjetorin e Pavarësisë po e gjen vendi të cunguar teritoritalisht”,- tha Rama.

Ai i ka kërkuar qeverisë që të marrë situatën nën kontroll në mënyrë që kufijtë të kthehen në vendin që ishin.

K. Topalli/IDEA/