Rama: Të mos mbetemi vetëm tek imuniteti, pasi korrupsioni mbrohet nga pushteti politik

0
51

TemA Online, 21 Korrik 2012

Kryetari i PS-së Edi Rama ka deklaruar se opozita është pro ndryshimit të Kushtetutës dhe jo vetëm për heqjen e imunitetit. Në një konferencë për shtyp, Rama ka theksuar se nisma e PS-së për të ndryshuar kushtetutën do të bëjë të mundur forcimin e institucioneve të drejtësisë.

“Nisma jonë fillon nga kufizimi i imunitetit por nuk kufizohet vetëm me çështjen e imunitetit. Ne besojmë që ndërhyrja në kushtetutë nuk lidhet vetëm tek çështja e imunitetit sepse muri që mbron të korruptuarit nuk është imuniteti por pushtet politik që e ka kapur dhe po e mbyt drejtësinë.Është koha për një debat shumë sërioz dhe për një ndërhyrje serioze në kushtetetutë. Kufizimi i imunitetit është vetëm një pikënisje por jo një pikë mbërritje. Zgjedhja e një presidenti të njëanshëm na bën të besojmë që drejtësia shqiptare mund të degradojë edhe më keq.

Me ndryshimet që ne propozojmë, duam t`i japin vendin shansin e rrezikuar deri tani për statusin. Nëse ne, opozita dhe qeveria gjejmë konsensus për këtë paketë ndryshimesh kushtetuese që krijon garanci rrezatuese në sytë e kujtdo, jam i bindur se i japin vendit shans të plotë për ta marrë statusin, duke u thënë BE se vullneti ynë për të shkuar para miratohet në ndryshime esenciale dhe hapa të qenësishëm dhe jo një arnë këtu e një atje”- tha Rama.

Ai ka theksuar se qeveria po e përdor heqjen e imunitetit për të mbuluar degradimin e drejtësisë.

“Qeveria nuk duhet të bllokojë procesin e vizionit tonë për reformën dhe s’duhet të përdorë imunitetin si gjethe fiku për të mbuluar degradimin e drejtësisë dhe tundimin e saj gjithnjë e më të madh për të arritur te pika që të përmbysë dhe ato institucione që i kanë mbetur jashtë kontrollit, duke e kthyer prokurorinë e përgjithshme në kopje të KQZ së tanishme” shtoi Rama.

Rama gjithashtu i bëri thirrje maxhorancës të ndalë sulmet ndaj opozitës për heqjen e imunitetit duke e ftuar të votojnë bashkarisht për ndryshimin e Kushtetutës.

“Si kreu i PS-së lejomëni ta ndaj me ju neverinë për gjithë propagandën e shfrenuar të qeverisë ndaj opozitës se ne e kemi problem të heqim imunitetin dhe duam të bllokojmë statusin. Kjo është një këngë e vjetër por shqiptarët dhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë për atë çfarë ka bërë opozita për një vit politik, të qasjes kontruktive të saj dhe të përpjekjeve tona për të sjellë në gjendjen normale të drafteve skandaloze të qeverisë për ligjet me 3/5.

Edhe shqiptarët edhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë të përpjekjeve tona për të mbyllur reformën zgjedhore pa vënë veton për çdo gjë që nuk na pëlqen, rezikuan edhe marrëdhëniet me aleatët tanë duke pranuar një reformë që nuk e preku sistemin aktual zgjedhor” theksoi më tej Rama.