Rama sot në Preshevë, Ministria e Jashtme përpiqet të zbehë vizitën

0
128

TemA Online, 28 Janar 2012

Kreu i PS-së, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë në Preshevë gjatë ditës së sotme, duke u bërë një prej politikanëve të vetëm shqiptarë, që takon shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai do të ketë takime me shqiptarët e Luginës dhe do të promovojë librin e tij “Kurban”.

Por, ndërsa Rama viziton Preshevën, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar për një takim që do të mbahet pikërisht me përfaqësuesit e këtij komuniteti nga Lugina e Preshevës në Tiranë në të njëjtën ditë, sot e shtunë.

Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar praninë e deputetit shqiptar në parlamentin e Serbisë Riza Halimi, kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, Galip Beqiri dhe kreun e komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi.

“Të shtunën, ora 10.00, zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto pret përfaqësues shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Konkretisht do të jetë i pranishëm z. Riza Halimi, deputet në Parlamentin e Serbisë dhe kryetar i Partisë për Veprim Demokratik; Galip Beqiri, kryetar i KNSH dhe Shaip Kamberi, kryetar i Komunës së Bujanovcit. Në takim do të diskutohet për thellimin e komunikimit me autoritetet shqiptare të Preshevës, veçanërisht për mbështetjen që Qeveria shqiptare jep në drejtim të arsimit dhe kulturës”, njofton zyrat e shtypit e Ministrisë së Jashtme.

Me këtë veprim, Ministria e Jashtme është përpjekur të dekonspirojë vizitën e Ramës, me qëllim që ai most ë takojë përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës.

Pas Preshevës, Rama pritet që të vizitojë edhe Vienën, ku edhe atje do të promovojë librin e tij.