Rama: S’ka zgjedhje të tjera pa hapur kutitë,Meidani: Me bojkot PS nuk mund të fitojë

0
75

Aristir Lumezi, 22.10.2009

Kryetari socialist Rama dhe Kryeministri Berisha ndajnë qëndrime të kundërta në lidhje me hetimin parlamentar që kërkon opozita. Rama duke iu përgjigjur Berishës, që e ftoi të hetonte çdo gjë në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit, përveç kutive të votimit, iu përgjigj se nuk do lejojë asnjë raund zgjedhor në Shqipëri nëse nuk hapen kutitë. “Nuk mund të ketë kurrë në Shqipëri një proces tjetër zgjedhor, pa mbyllur një proces hetimor për zgjedhjet që shkuan. Nuk mund të ketë garanci në Shqipëri për zgjedhësit e zgjedhëset në procesin e ardhshëm zgjedhor, pa u dhënë atyre të drejtën që të shohin në dritën e diellit se si qëndron e vërteta me procesin e shkuar zgjedhor”, u shpreh Rama dje gjatë një komunikimi me gazetarët, pas deklarimeve të Berishës. Rama dje bëri publike atë që kishte shprehur të shtunën në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të socialistëve, se nëse nuk hapen kutitë, jo vetëm që PS do bojkotojë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, por nuk do lejojë të zhvillohen zgjedhje në Shqipëri.

Më herët, Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë, e cilësoi absurde kërkesën për hapjen e kutive të votimit. “Nuk ka kërkesë më absurde, nuk ka kërkesë më ogurzezë, sesa të pretendosh të vendosësh vullnetin politik mbi vendimet e gjykatave, është në rregullin themelor të ndarjes së pushteteve”, tha Berisha. Duke komentuar Progres Raportin e KE-së, Berisha i cilësoi zgjedhjet me standarde të arritura. “Në raportin e KE-së, bazuar në raportin e ëatchdog-ut ndërkombëtar, OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës, rezulton se zgjedhjet në Shqipëri përmbushën zotimet kryesore të OSBE-së, kushti më kryesor ky për një demokraci funksionuese”, tha Berisha, duke ftuar kryesocialistin të hetojë çdo gjë që ka pasur lidhje me procesin zgjedhor, përveç ndërhyrjes në vendimet e Kolegjit Zgjedhor.

“Unë e pranoj që të ndërtojmë komisionin sipas ligjit, por e garantoj se një anëtar i komisionit i shumicës në mënyrë konstante nuk do të shkojë në komision dhe nuk do të zëvendësohet, për t’i lënë atij shumicën. Kërkon të hetojë për shkarkimin e punonjësve, le të vijnë dhe t’i hetojnë, kërkon të hetojë për implikimet e administratës në zgjedhje, të vijnë e t’i hetojnë, kërkon për lirimin e të burgosurve për qëllime elektorale, të vijnë e t’i hetojnë. Çdo gjë është e hetueshme, përveç vendimeve të gjykatave”, tha Berisha. Në përgjigje të ofertës së Berishës, Rama e krahasoi Shqipërinë me standarde më të ulëta se Afganistani.

“Fakti është që sot, Shqipëria është padyshim në një situatë tërësisht të papranueshme, për shkak se ndërkohë që kutitë hapen kudo, edhe në Greqinë fqinje po bëhet një rinumërim, edhe në Afganistanin e largët kutitë u hapën, ndërkohë që në vendin tonë, edhe pse është e shkruar e zeza mbi të bardhë në ligj, u ndalua me pushtetin arbitrar të administratës zgjedhore dhe të Kolegjit Zgjedhor”, tha Rama. Kreu socialist përsëriti qëndrimin radikal të selisë rozë, duke u shprehur se “nuk do të hyjmë në Parlament”. “Ne do t’i përshkallëzojmë protestat tona dhe do t’i japim përgjigjen e merituar Sali Berishës dhe vartësve të tij, sa në Ministrinë e Jashtme, sa në karrige të tjera të qeverisë, që përpiqen më kot të bëjnë sikur kjo çështje është e mbyllur, apo ekziston vetëm për opozitën, tha Rama.

Rama
Nuk do ketë zgjedhje të tjera pa hapur kutitë
Do përshkallëzojmë protestat dhe s’do hyjmë në Kuvend
Shqipëria shumë larg standardeve, në Afganistan po hapen kutitë
Do përshpejtojmë fundin e kësaj qeverie

Berisha
Rama të hetojë çdo gjë që ka lidhje me zgjedhjet
Hapja e kutive, kërkesë absurde dhe ogurzezë
Komisioni hetimor parlamentar nuk shqyrton vendimet e Gjykatave
Kërkesa e Ramës si vendimi i Byrosë Politike në vitin 1953-1954

PS: Qeveria ndërhyn në pavarësinë e gjyqësorit

Partia Socialiste shprehu dje shqetësimin për progresin e pakët të vendit në fushën e drejtësisë, duke ju referuar këtu “Progres-Raportit të radhës të KE-së, i bërë publik pak ditë më parë. Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në një konferencë për shtyp u shpreh se, “në Progres-Raportin e radhës të KE-së shprehet qartë progresi i pakët që kanë bërë autoritetet shqiptare në fushën e drejtësisë dhe në kuadrin ligjor që rregullon këtë sektor jetik për vendin”. “Në këtë raport vihet theksi edhe te ndërhyrjet politike të qeverisë në kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit”, tha Gjiknuri, duke shtuar se “këto vërejtje janë konfirmimi i vazhdueshëm për atë që opozita shqiptare ka deklaruar vazhdimisht për ushtrim të trysnisë së qeverisë mbi pushtetin e pavarur të drejtësisë”.

Edi Rama – “Qeveria e paaftë për vizat”

Kryetari socialist, Edi Rama, tha dje se në janar 2010 Shqipëria nuk mund të rreshtohet bashkë me vendet e tjera ballkanike për liberalizim të vizave për shkak të keqqeverisjes. “Nuk ka asnjë rreshtim të Shqipërisë në janarin e 2010. Në janarin e 2010, për fat të keq të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, dhe vetëm për faj të Sali Berishës, Evropa bëhet pa kufij, për Serbët, për Malazezët, për Maqedonasit dhe jo për shqiptarët. Për të shkuar në Maqedoni dhe në Mal të Zi do të duhet të bëjmë procedura sikur po shkojmë në Gjermani dhe në Angli”, tha Rama. Sipas tij, përgjegjës për këtë është qeveria dhe Kryeministri Berisha. “Kjo ndodh vetëm sepse shqiptarët kanë për kryeministër një njeri të paaftë, të papërgjegjshëm dhe të interesuar vetëm për interesat e familjes së tij dhe oborrit të tij familjar dhe jo për interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, tha Rama.

Meidani: Bojkoti e bën më të vështirë fitoren e PS në 2011

Aristir Lumezi

Ish presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, analizon që-ndrimet radikale të PS-së ndaj zgjedhj-eve të ardhshme. Vazhdimi i bojkotit, e veçanërisht bojkoti i zgjedhjeve, sipas tij vështirëson në radhë të parë fitoren e PS-së në zgjedhjet vendore të vitit 2011. I pyetur rreth radikalizmit të qëndrimit opozitar të PS-së, krahasuar me opozitën e katër viteve të shkuara, Meidani e cilëson të papranueshëm qëndrimin e PS-së përballë tragjedisë së Gërdecit, apo aferave korruptive të qeverisë, kur ajo bënte marshime të heshtura. Ish sekretari i Përgjithshëm i PS-së, i cili është caktuar nga lidershipi aktual pjesë e grupit të punës për hartimin e programit të ri politik, shprehet se nuk është konsultuar dhe lajmëruar nga askush, duke akuzuar se PS po drejtohet si të ishte bashki. Meidani nuk heziton të heqë vija paralele mes PD dhe PS për stilin dhe sjelljet në drejtimin e tyre, kur komenton kërkesën e Edi Ramës në mbledhjen e fundit të asamblesë për të
çregjistruar të gjithë ata që mungojnë për një kohë të gjatë në të.

Asambleja Kombëtare vendosi të shtunën bojkotimin e zgjedhjeve të pjesshme në pesë komuna dhe bashki, madje zoti Rama është shprehur se nuk do lejohen të zhvillohen zgjedhje në Shqipëri nëse nuk hapen kutitë e votimit. Cili është mendimi juaj për këtë radikalizim të qëndrimit të lidershipit të PS?

Nuk e di për çfarë vendimi bojkoti po komentoni apo pyesni?! Aq më tepër që dita e mbledhjes së asamblesë dhe dita e përfundimit të afatit të regjistrimit në KQZ kishin një diferencë të qartë kohore. Mos vallë ligji mund të konsiderohet si një “tekë politike personale” apo “një përrallë dehëse”, për një parti që kërkon të vendosë ligj e drejtësi mbi votën e lirë nëpërmjet hapjes ligjore të kutive të votimit!…

Por le të kthehemi te thelbi i pyetjes. Jo vetëm sot, por dhe gjatë historisë botërore partiake, një parti politike është një grup njerëzish të grumbulluar në mënyrë vullnetare mbi disa parime e ide të përgjithshme të përbashkëta, që kërkojnë të kontrollojnë qeverisjen nëpërmjet fitimit të zgjedhjeve dhe mbajtjes së zyrave publike, pra dhe duke ndikuar apo zbatuar, në një mënyrë apo tjetrën, disa politika publike e programe konkrete. E thënë në mënyrë të përmbledhur: një parti politike është një grup qytetarësh me qëndrime të njëjta, qëllimi i të cilëve është realizimi i pikëpamjeve politike. Apo, akoma: një parti politike shpreh një bashkim të lirë qytetarësh me pozicionime të njëjta apo të përafërta, që për zgjidhjen e shumë problemeve politike-ekonomike e social-kulturore harton, mbështet dhe realizon propozimet përkatëse programore.

Ndërsa, në procesin zgjedhor paraqet kandidatët e saj për t’u përfaqësuar në parlament apo në organet vendore. Pas fitimit të zgjedhjeve nëpërmjet përfaqësimit politik, zbaton në praktikë programin e vet. Siç duket përfaqësimi politik i popullit është kriter bazë i partisë politike. Është ky përfaqësim që e dallon atë, p.sh., nga bashkësi qytetare, të cilat nuk bartin përgjegjësi politike në tërësi, apo nga iniciativat qytetare, pjesëmarrja e të cilave nuk është e rregullt dhe të cilat nuk synojnë poste politike.

Pra, cili është objektivi apo misioni i partisë politike? Së pari: për të garantuar fuqi dhe influencë, për të fituar në zgjedhje sa më shumë vende në parlament për të kontrolluar (drejtuar) qeverisjen apo në qeverisjen vendore. Së dyti: për të luajtur rolin e opozitës – për të vëzhguar/kritikuar qeverinë, duke zhvilluar paralelisht alternativat e saj. Pa realizuar këtë mision, edhe PS-ja, jo vetëm nuk përfaqësohet, por as nuk mund të fuqizohet e zhvillohet në mënyrë perspektive, e dobëson thelbin e mbështetjes popullore. E bën gjithnjë e më të vështirë fitoren në zgjedhjet vendore të 2011-ës. Ndërkohë, që është ende herët për të folur për zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës, aq më tepër që në situata ngërçi afrimi i tyre bëhet fare i mundshëm!…

Por, nga ana tjetër, kjo parti së bashku me një aleancë partish politike, të spektrit të majtë dhe të djathtë, këmbëngul në hapjen e kutive, kërkon transparencën e përmbajtjes së tyre. Në këtë situatë ngërçi, nuk arrihet të kuptohet hezitimi i shumicës së sotme për të nisur këtë proces transparence. Apo, ka të drejtë, raporti i ODIHR-it për numërimin e keq apo shumë të keq të votës së hedhur!? Mos vallë, brenda kutive janë fshehur sekrete demaskuese, akoma, këto kuti janë kuti Pandore!…

Ashtu siç ishte deklaruar dhe më parë, kanë nisur protestat e PS-së, por dhe të partive të tjera të vogla, të majta dhe të djathta, të cilat pritet të përshkallëzohen. Cili është mendimi juaj për këtë strategji dhe a mendoni se një përshkallëzim i tyre e nxjerr PS-në nga tiparet e saj si opozitë e moderuar dhe e qetë, të shfaqur në katër vitet e kaluara të opozitës?

Në fakt, është tjetër e thëna dhe tjetër e bëra. Dhe, e gjitha kjo nuk ka të bëjë fare me të ashtuquajturat sjellje të qeta dhe të moderuara opozitare të katër viteve të kaluara, të përmendura prej jush. Një opozite nuk i lejohet të kalojë si në kishë, si në një ceremoni kishtare, një krim dhe korrupsion shtetëror si ai i Gërdecit, apo abuzime e veprime të tjera krejt të kundërta me sloganin e “duarve të pastra”, me qeverisjen arrogante dhe keqpërdorimin e tokës, ajrit apo të ujit, përfshirë dhe hapësirën detare si çiflig kryeministri.

Akoma më keq kur shikon trysninë e madhe mbi sistemin e drejtësisë, që po asfiksohet nga dita në ditë. Për të gjitha këto vlen të shkallëzohet reagimi opozitar me të gjitha format e veta demokratike, përfshirë dhe veprimin parlamentar. Aq më tepër që burim i abuzimeve është dhe shformimi i institucionit të votës së lirë dhe të ndershme, qoftë kjo votë një votë popullore, apo qoftë ajo votë partie. Dhe, mbi të gjitha, nuk mund të lejohet teatër për secilën nga këto vota. Madje, nuk mund të ketë dy standarde për to! Duke mbyllur sytë tek vota partiake, e humbet forcën e reagimit qytetar mbi votën politike. Kjo, pikërisht, e vështirëson shkallëzimin, pra dhe e bën më të gjatë në kohë situatën aktuale parlamentare…

Në mbledhjen e asamblesë, u vendos ngritja e grupeve të punës për programin politik dhe statuti, ku ju jeni pjesë e grupit për programin. Jeni konsultuar nga lidershipi i PS-së dhe a do të bëheni pjesë e këtij procesi?

Jo. Nuk jam konsultuar. Mesa duket reminishenca të hershme dhe paralelizma administrativë drejtimi e bëjnë ende problematike zhvillimin e idesë bazë të funksionimit të një partie politike moderne, sipas një vullneti të lirë apo parimit të vullnetarizmit! Aq më tepër kur harrimi i këtij parimi shoqërohet me “ngërdheshje” etike! Të paktën, ende në PS, nuk është pranuar, bile është kundërshtuar në vite dhe vazhdon të kundërshtohet me forcë “absolutizmi i gjeneralizmit”, që vihet re si një pjesë inerente e vendimmarrjes unitare të PD-së apo e shumicës së sotme qeverisëse !…

Në asamble, kryetari socialist është shprehur për çregjistrim të gjithë atyre anëtarëve të asamblesë që kanë kohë që nuk vijnë në mbledhje. Si e gjykoni një kërkesë të tillë për çregjistrime?

As më shumë dhe as më pak nga ajo që theksova pak më sipër. Kuptohet se nëse vihet re zbehje individuale aktiviteti politik, mospjesëmarrje apo indiferencë partiake, mund të zvogëlohen shanset në proceset pasuese zgjedhore, për të fituar votën e anëtarëve të partisë apo të forumeve të saj. Është kjo votë që të jep një përfaqësim konkret, kurse mungesa e saj e minimizon apo e redukton këtë përfaqësim. Por, jo të bëhet fjalë për çregjistrime anëtarësh asambleje nga anëtarë asambleje, apo akoma më keq nga ndonjë kryesi e kryetar, me “gjykimin” pse kështu na u disiplinoka partia, aq më tepër që kërkohet, kështu, të imitohet ndonjë sjellje apo stil pëdëist në vite. Pra, me këtë “skemë” disiplinimi dhe forcimi pushteti unitar të partisë dhe “entourage”-it të tij, humbet vetëm partia, por jo individi i çregjistruar!…