ANILA DUSHI, 23.10.2009
SHKODER (UPDATE) – Edhe pse shiu nuk ka pushuar asnjë moment , kjo nuk i ka penguar socialistët që të zhvillojnë protestën e tyre në kërkim të hapjes së kutive të votimit. Me qindra mijëra vetë morën pjesë në protestën e zhvilluar në ambientet e brendshme të Pallatit të Sportit, për shkak të motit të keq.
Edi Rama, në fjalën e tij ka theksuar se “Asnjë qytetar më shumë se shkodranët nuk e ndjen më shumë rrezikun e afrimit të një diktature të re. Lideri socialist solli në vëmendje persekutimet e komunizmit duke i krahasuar sot me persekutimin e Berishës. “Shkodranët e menduan veten e tyre të lirë pas ardhjes së pluralizmit, saqë humbën nëpër turbullirat e gatuara nga një parti e vetme, partia e cili grabiti vota edhe këtu”. Sipas tij edhe në Shkodër janë grabitur me verbëri vota të së majtës e të së djathtës, vetëm për të mbajtur pushtetin e familjes që përmbush vetëm interesat e veta”.
“Të bashkohemi pa dallim, pa kufij partish, të majtë e të djathtë të dalim mbi partitë, mbi programet dhe të vendosim për të qenë të lirë të zgjedhim dhe për të parë votën tonë”, ka bërë thirrje Rama.
Në miting folën edhe Pandeli Majko dhe Spartak Ngjela. Sipas Majkos, ka18 vjet që këtu vota deformohet dhe njerëzit e dinë më përpara rezultatin. “Shkodra është termometër i demokracisë, ajo i është përgjigjur dhe më 1997 Vlorës dhe këtë herë do të bashkohet me opozitën për të bërë të mundur hapjen e kutive të votimit”, ka theksuar Majko.
Ndërsa Spartak Ngjela ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë aktuale duke e quajtur atë të paligjshme. “Paaftësia e kësaj qeverie është një tendencë kriminale dhe kjo qeveri nuk mban përgjegjësi ndaj duhen hapur kutitë e votimit, që shqiptarët të marrin vesh se kanë në krye një qeveri ilegjitime”, u shpreh Ngjela.
Hapja e kutive të votimit është deklaruar si kusht i panegociueshëm për rikthimin e PS-së në parlament, ndërkohë që kryeministri Berisha është shprehur kundër hapjes së kutive, duke e cilësuar këtë si të kundraligjshme.
Replika Rama-Berisha, PS: Të vendosur për hapjen e kutive
TIRANË- Kërkesa e opozitës për hapjen e kutive si kusht për rikthimin në parlament ka vazhduar edhe sot temë e replikave mes kreut të PD-së, njëherësh kryeministër i vendit Sali Berisha dhe liderit të PS-së, Edi Rama.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha ka deklaruar se kërkesa për hapjen e kutive është e kundraligjshme dhe Rama i ka ezauruar gjithë rrugët e apelimit për këtë ankesë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës, i cili ka deklaruar prerë se PS-ja nuk heq dorë nga kërkesa e saj për hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
“Kur Berisha thotë se kërkesa për hapjen e kutive është ogurzezë, thotë një të vërtetë të madhe, por jo për zgjedhjet dhe të vërtetën e 28 qershorit, por për pushtetin e tij të grabitur, i cili nuk qëndron dot në këmbë nëse ballafaqohet me të vërtetën. Ajo që i intereson vendit, në këtë udhëkryq historik, është transparenca. Kërkojmë transparencën e një procesi zgjedhor që duhet të jetë i fundit në zinxhirin e zgjedhjeve të kontestuara”- tha Rama gjatë një konference për shtyp, fill pas deklaratave të Berishës.
Sipas tij, transparenca e plotë shërben për të kthyer besimin tek vota dhe zgjedhjet e shqiptarëve që sot e kanë humbur besimin pikërisht për shkak të 28 qershorit. “Berisha nuk mund ta pengojë me fuqinë e pushtetit të grabitur dhe as arsyen e mos arsyes që e shton në përpjekjen e kotë për të krijuar idenë se qenka dashamirës ndaj kërkesave të opozitës, por kur ato janë brenda ligjit. Nuk ka asgjë të paligjshme në kërkesën tonë”- tha më tej ai.
Berisha: Kërkesa për kutitë, absurde. Rama: Do vazhdojmë protestat
TIRANË(UPDATE)- Përpjekje për të mbajtur me forcë pushtetin dhe mënyrë për të fshehur vjedhjen e bërë në 28 qershor e ka quajtur lideri socialist Edi Rama deklaratën e kryeministrit Sali Berisha për mos hapjen e kutive të votimit.
Gjatë një konferencë për shtyp si reagim ndaj deklaratës së kreut të qeverisë, Edi Rama ka theksuar edhe njëherë qëndrimin e opozitës për përshkallëzim protestash dhe vendimin për të mos hyrë në Parlament pa u bërë transparenca e zgjedhjeve.
Sipas Ramës, ajo që kërkohet nuk është mbivendosje ndaj sistemit të drejtësisë, por një e drejtë e pazëvendësueshme e parlamentit të vendit, ku Berisha ka arritur të hapë edhe dosje, të cilat kanë qenë dosje hetimore të prokurorisë.
“Ne kërkojmë hapjen e kutive për të bërë transparentë përmes një komisioni hetimor parlamentar, që nuk është një shkallë tjetër gjykimi dhe nuk ka të bëjë me procesin juridik që u mbyll me vendimin e kolegjit elektoral. Janë gjëra të ndryshme, që kryeministri i bashkon bashkë, sepse do t’i ikë të vërtetës së madhe që zgjedhjet në Shqipëri janë grabitur, se vullneti është deformuar, dhe se mekanizmi i deformimit ka qenë i orkestruar nga vetë pushteti”- tha ai.
Për Ramën, sot Shqipëria është në një situatë të papranueshme për shkak se ndërkohë kutitë hapen kudo, edhe në Greqinë fqinje po bëhet një rinumërim, edhe në Afganistan kutitë u hapën, tek ne megjithëse është e shkruar në ligj, kjo gjë u ndalua përmes ushtrimit arbitrar të pushtetit të administratës zgjedhore dhe të Kolegjit Zgjedhor dhe ndërkohë kjo gjë i ndalohet edhe vetë parlamentit, i cili mund të hapë çdo çështje, çdo kuti, çdo dosje, për hir të së drejtës që të hetojë lidhur me çështje të caktuara.
“Ai ka arsyen e atij që ka vjedhur dhe kërkon që kjo të mos dalë në dritën e diellit, por duke e shmangur transparencën e procesit ai nuk e zgjidh, por e thellon krizën politike në vend, e largon pikëtakimin me palën tjetër që është një domosdoshmëri për një proces normal politik dhe mbi të gjitha e vonon, por nuk e varros dot përgjithmonë të vërtetën e 28 qershorit. Ne jemi për ta dëshmuar atë të vërtetë dhe do të bëjmë gjithçka kemi në dorë që kjo dëshmi të bëhet e plotë”- tha Rama.