Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një konferencë për shtyp, shprehu edhe njëherë shqetësim për faktin që Kolegji Zgjedhor nuk ka zbardhur vendimin e tij për rrëzimin e padisë së PS. Rama tha se “mosarsyetimi i vendimit përbën një pengesë serioze në proces” duke shtuar se procesi vijon pasi ka një tjetër padi të PS që duhet shqyrtuar. Rama tha se “sa i përket opinionit të Venecias, problemi është Saliu, pasi ai e refuzon marrjen e opinionit”, pasi “nuk ka gjykatës normalë që mund të pranojë që ajo që ka ndodhur në KQZ, pas kushtrimit të Saliut për të filluar një proces kur mbaroi numërimi, është e ligjshme”.
“Ne mbetemi shumë të interesuar, jo thjesht për rezultatin e këtij procesi, por për fatet e vendit, mbi të gjitha fatin e drejtësisë, që të ketë një asistencë ndërkombëtare, të bindur se në këtë mënyrë vendoset një pikë reference, e pranueshme nga të gjithë. Ne e kemi pranuar këtë propozim si një opinion të bazuar jo tek frika, presionet e konjukturat, por tek objektiviteti. Këtu nuk ka asnjë hije dyshimi si është e drejta, pasi nuk ndryshohen rregullat e lojës kur ajo ka mbaruar,” tha Rama.
Më poshtë deklarata e plotë e Ramës.
“Unë dëshiroj të rinënvizoj domosdoshmërinë e të kuptuarit nga të gjithë se kjo çështje është përditë e më shumë një çështje që qëndron përtej kufijve të problemit konkret. Është një çështje që lidhet përditë e më shumë me fatin e vetë drejtësisë në këtë vend, ashtu sikundër me një sërë faktorësh të tjerë shumë të rëndësishëm e jetik për vendin, që s’ka pikë dyshimi se do përcaktohen në varësi të mënyrës se si do zgjidhet kjo çështje: në mënyrë të drejtë apo të padrejtë.
E dimë të gjithë se historia e dy viteve të fundit, vitet që pasuan zgjedhjet e vjedhura të vitit 2009, u pasuan nga një vendim i padrejtë i Kolegjit Zgjedhor, një padrejtësi e madhe e flagrante në gjykimin e ankesës së opozitës për vendimin e KQZ.
Kolegji Zgjedhor e rrëzoi kërkesën legjitime të opozitës dy vjet më parë dhe i hapi rrugën krizës dyvjeçare politike e institucionale me të gjithë pasojat që dihen. Ashtu sikundër njihet edhe kostoja e këtyre pasojave, që erdhën si përmbajtje e shpërdorimit të pushtetit të vjedhur nga ana e Saliut.
Në vend që sot të gjendeshim natyrshëm në kushtet e kapërcimit të krizës, jemi në një krizë që rrezikon të bëhet shumë më e thellë. Vjedhja e votës këtë herë është bërë hapur, është bërë në televizion, në ditën me diell. Shkelja e ligjit nga KQZ për të përmbysur rezultatin në kryeqytet është parë nga miliona sy dhe është denoncuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, sigurisht me gjuhën e tyre.
Ajo që mbetet themeli i këtij problemi konkret është cenimi i procesit demokratik përmes ndryshimit të rregullave të lojës në fund të lojës. Ky është një parim, që nuk mund të shkelet dhe është një parim që buron jo thjesht nga kodi zgjedhor, por buron nga Kushtetuta e Shqipërisë për të gjitha marrëdhëniet që siguron palët dhe individët në raport me shtetin.
Është e shkruar në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, është thënë nga BE. Dje ka folur sërish në emër të qeverisë amerikane Tomas Kantrimen, dhe ne e falenderojmë për shqetësimin e ngritur për veprimtarinë e KQZ-së. Ndërkohë, përtej bazës kushtetuese e ligjore të vendit tonë, ka një bazë shumë solide jurisprudenca që garanton ekuilibrat juridike në botën demokratike.
Problemi sot mbetet i shtruar dhe pikëpyetja lidhur me mënyrën se si do zgjidhet ky problem shkon duke u zmadhuar, sepse nuk ka të bëjë vetëm me si do përfundojë odiseja e zgjedhjeve në Tiranë, por ka të bëjë se në çfarë Shqipërie do jetojnë shqiptarët.
Sot më shumë e qartë se asnjëherë, për shkak të kombëtarëzimit dhe ndërkombëtarëzimit të këtij problemi, sfida e drejtësisë ka një kuptim të veçantë, nga ana tjetër, sfida që padrejtësia i ka bërë kësaj shoqërie duke u kthyer në sistem, sot ngjan qartazi shumë më kërcënuese sesa duket dhe ç’është në të vërtetë në jetën e përditshme të qytetarit.
Mbetet për ne detyrim ndaj vizionit e bindjeve tona që të vazhdojmë deri në fund betejën në rrugën ligjore, por njëkohësisht është e detyrueshme që në këtë rrugë të nënvizojmë me forcë dhe pa u lodhur domosdoshmërinë që drejtësia të japë drejtësi.
Më lejoni të shtoj se tanimë sfida e hapur mes padrejtësisë dhe drejtësisë ka arritur në një koment kulmor kur duhet të ndodhë ballafaqimi me produktin e asaj që ndodhi në tavolinën e KQZ në shkelje flagrante të ligjit. Gjurmët e barbarisë janë jo vetëm në shkeljet e Kushtetutës e Kodit Zgjedhor, por edhe në vetë aritmetikën e rezultatit të rremë që ka prodhuar KQZ. Janë gjurmë ulëritëse që tregojnë se futja e duarve në proces ka prodhuar tabela rezultatesh që as djalli vetë nuk i përputh dot më mes numrit të votuesve, pjesëmarrësve dhe numrit të votave që kanë dalë nga kutitë ku janë futur duart. Për të nxjerrë humbësin fitues, KQZ jo vetëm preu gjitha nyjet që lidhin atë institucion me Kushtetutën dhe ligjin, por edhe fillin e logjikës aritmetike. Të gjitha këto janë bazuar në prova faktike.
Është e qartë se kushtrimi për të dëgjuar zërin e qytetarëve, në fakt disa ditë pasi qytetarët e kishin parë me sytë e tyre numërimin e çdo vote, ka prodhuar një tepri zërash, që në fakt janë të gjitha bashkë zëri i Saliut.
Në fund dua ta rinënvizoj se nga dhënia e drejtësisë në këtë çështje varet tërësia e punëve të këtij vendi dhe mënyra se si do të zhvillohet jeta publike, por edhe jeta e çdo shqiptari në çdo vend, pasi në rast se padrejtësia do triumfojë, atëherë do ishte shprehja kuptimplotë e vulosjes së kthimit të padrejtësisë në sistem.
Kush i dëgjon ashtu siç thuhen të gjitha deklaratat e prononcimet e partnerëve ndërkombëtarë e kupton shumë qartë se në këtë proces është në lojë besueshmëria e shtetit shqiptar në sytë e komunitetit ndërkombëtar, është në lojë rruga e integrimit evropian të Shqipërisë, dhe më e afërta që mund të ndodhë është humbja e trenit të radhës për statusin e kandidatit për në BE. kjo do sillte një cenim të dëmshëm të marrëdhënieve të BE me Shqipërinë.
Nuk ka pikë dyshimi se jeta e brendshme e vendit do karakterizohej nga një degradim i hapur i institucioneve, i drejtësisë, i ekonomisë, i garancive për liritë dhe të drejtat e njerëzve, në fund të fundit edhe zgjedhjet do të ishin akoma më larg në horizontin e besimit të shqiptarëve.
Ky nuk është një proces që përcakton thjesht me vulë gjykate fituesin e një gare. Sa për garën ne e kemi fituar atë në sytë e miliona njerëzve, ne do mbetemi fitues edhe nëse vula e gjykatës do thotë të kundërtën. Këtu është fjala se kush do triumfojë mes padrejtësisë dhe drejtësisë.”