TemA, 26 Gusht 2012
Kryetari i Partisë Socialste Edi Rama doli sot para gazetarëve duke ju dhënë përgjigje një sër cështjesh të ditëve të fundit. Ai sulmoi ashpër humbjen e kontrollit mbi teritorin dhe rendin publik nga qeveria duke zhytur Shqipërinë në flak dhe duke rritur krimin në mënyrë të frikëshme si në vitin 1997.
“Shqipëria po digjet përditë në shumë pjesë të çmuara të saj. Po humbasim qindra hektarë pyje pasi shteti e ka braktisur tërësisht detyrën. Kryeministri inauguron për herë të shtatë të njëjtat rrugë, ndërkohë që për të shtatën verë rresht nën çqeverisjen e tij flakët vazhdojnë përpijnë territore të tëra – në mungesë të plotë të masave më minimale. Dje Saliu preu një shirit për një rrugë komunale buzë Dajtit dhe në kurriz kishte faqen e sapodjegur të malit ku u zhdukën nga flakët këtë verë mijëra lisa shumëvjeçarë.
Shqipëria ka humbur drurë pyjorë në këta shtatë vjet (për shkak të zjarreve po edhe të abuzimeve pafund), aq sa ç’nuk ka humbur në 100 vjet shtet shqiptar. Kryeministri mund të krihet përpara kamerave edhe 10 muaj teksa Shqipëria digjet në burimet e pasuritë e saj natyrore. Pas 10 muajsh, me fitoren e zgjedhjeve të qershorit të ardhshëm, ne do të fillojmë t’i vëmë fre katastrofës mjedisore në Shqipëri me një politikë të re dhe administrim të ri të pyjeve, kullotave, lumenjve e të vetë bregdetit padyshim.”, tha Rama
Pauritë natyrore në dorë të banditëve
Rama u ndal në deklaratën e tij dhe tek shpërdorimi i pasurive natyrore të Shqipërisë.
“Ne do t’i japim fund pas 10 muajsh edhe politikës së grabitjes së burimeve natyrore e të pasurive publike. Në këta shtatë vjet të çqeverisjes së Saliut burimet natyrore e pasuritë publike të Shqipërisë, janë grabitur e shpërdoruar më shumë se në 100 vjet shtet shqiptar të marra së bashku.
Kryeministri e qeveritarët e tij nga një anë grabisin e shpërdorojnë pasuritë e shqiptarëve dhe nga ana tjetër shajnë përditë opozitën se është kundër privatizimeve, kundër lirisë së sipërmarrjes, kundër sipërmarrësve. Jo, ne s’jemi absolutisht kundër privatizimeve dhe do të jemi aleatët më të mëdhenj të të gjithë sipërmarrësve që pasurohen në rrugën e ligjshme të konkurrencës. Por ne do të rishikojmë çdo ligj, çdo vendim qeverie, çdo kontratë koncesionare a marrëveshje që është hartuar e nënshkruar në dëm të interesit publik.
Kush ka marrë favore të pamerituara përmes lidhjeve klienteliste e korruptive me Saliun apo ministrat e tij, duhet ta ketë të qartë se do t’i kthejë publikut përmes arkës së shtetit atë që nuk i takon. Ne do të jemi shumë të hapur dhe të drejtpërdrejtë në këta 10 muaj që do të kërkojmë votën e shqiptarëve. Do të themi çfarë do të bëjmë dhe do të bëjmë çdo gjë që themi. Kështu do të tregojmë publikisht një për një edhe çfarë do të rishikojmë dhe si do ta rishikojmë në aspektin e privatizimeve, koncesioneve apo të drejtave të shfrytëzimit të pasurive publike për qëllim fitimi që janë dhënë në këta shtatë vjet.”
Do mbrojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kufirin Detar me Greqinë
Rama theksoi se nuk do të njohim asnjë lloj forme marrëveshjeje me Greqinë për kufirin detar që nuk do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Greqia është për ne një vend mik e partner dhe ne e shohim me keqardhje çdo sulm nacionalist që i bëhet fqinjësisë së mirë me Greqinë. Por fqinjësinë e mirë me Greqinë ne do ta forcojmë vetëm përmes reciprocitetit, e në asnjë mënyrë jo përmes koncesioneve të papranueshme ndaj qeverisë greke – që nga koncesionet e heshtjes siç ishte heshtja e pafalshme e qeverisë shqiptare për ndalimin në kufi të gazetarit Marin Mema e deri tek koncesionet e patolerueshme territoriale siç ishte marrëveshja e turpshme e detit që për ne kishte dhe ka vetëm një emër: Tradhti kombëtare e kësaj qeverie!
Qeveria greke mund të mos dëgjojë dot të flitet fare për çështjen çame, deri në pikën sa të ndalojë në kufi një gazetar shqiptar që ka folur fare normalisht për historinë e çamëve. Por kur qeveria greke shkel çdo normë të fqinjësisë së mirë madje edhe vetë normën europiane të lëvizjes së lirë për çdo qytetar shqiptar, heshtja e qeverisë shqiptare është një bashkëfajësi e patolerueshme. E prandaj ndalimi i gazetarit shqiptar është kryer sot në bashkëfajësi të plotë me qeverinë shqiptare që nuk e ka hapur gojën për këtë ndalim të patolerueshëm.
Po ashtu është e patolerueshme që qeveria shqiptare ta riheqë vijën e kufirit detar me Greqinë, sipas interesave politike dhe ekonomike të fqinjit, apo të rikthehet përsëri në rrugën e negociatave të errëta dhe krejtësisht të dyshimta pasi u rrëzua me turp në Gjykatën Kushtetuese për një marrëveshje antikombëtare. Marrëveshja për kufirin detar duhet të bëhet, por duhet të bëhet në dritën e diellit dhe mbi bazën e reciprocitetit më absolut.
Berisha tallet me referendumin dhe imunitetin
Po njësoj në dritën e diellit duhet të bëhet menjëherë, brenda shtatorit, edhe diskutimi për të gjitha ndryshimet kushtetuese që ne kemi propozuar. Vetëm kështu i hapet rrugë votimit në parlament edhe për kufizimin e imunitetit brenda muajit shtator. Ne e kemi thënë e rithënë qartë dhe unë sot vetëm po e përsëris: Jemi pro kufizimit të imunitetit.
Aq më tepër që ky që është miratuar është varianti ynë për ndryshimin kushtetues mbi imunitetin. Jemi gati ta votojmë sapo të mbyllet diskutimi edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej nesh. Të cilat s’janë aspak kushte për të votuar ose jo imunitetin, po janë një vizion i yni për forcimin e sistemit të drejtësisë përmes një reforme kushtetuese. Sa më shumë e dëgjoj Saliun të flasë për imunitetin sinqerisht aq më shumë mendoj se duhet të jesh shumë budalla për ta besuar përrallën e tij.
Kush njeri me mend në kokë mund të besojë se qeveria punon e ndërton, kurse opozita vjedh e bën korrupsion? Kjo është një tallje histerike e një kryeministri që ka dështuar katërcipërisht. E vërteta është se fajësimi i opozitës është e vetmja rrugë që i ka mbetur kryeministrit për të justifikuar dështimin me integrimin. Dhe kjo e referendumit është një lojë pa top, është njësoj si ai noti me këmbë në tokë që bën Saliu çdo verë duke thyer rekorde. Është lojë pa top për të hutuar publikun me referendumin për imunitetin sikur medemek kryeministrit dhe ministrave po i digjet shpirti për të luftuar korrupsioni.
Korrupsionin që e bëjnë ata vetë dhe prej të cilit ata vetë pasurohen dhe për të cilin ata vetë nuk ndëshkohen jo për shkak të imunitetit, por për shkak se politikisht janë të mbrojtur nga një sistem drejtësie i nënshtruar tërësisht, që ne duam ta reformojmë për të çliruar nga kthetrat e kontrollit të pushtetit. Nuk ka ç’duhet hiç një referendum për një çështje ku palët janë dakord dhe ku s’ka asnjë palë që kundërshton. Për më tepër në kushtet kur flasim për heqjen e imunitetit edhe në funksion të statusit që jepet ose refuzohet duke nisur nga tetori ndërkohë që deri në tetor s’bëhet dot asnjë lloj referendumi.
Është e qartë pra, ne duam debatin për ndryshimet kushtetuese dhe votimin për imunitetin në parlament brenda shtatorit, sepse duam t’i japim statusit një shans në tetor. Ndërsa Saliu do lojën pa top të referendumit, sepse e di që ka dështuar me integrimin dhe do medoemos të fajësojë opozitën për fushatë elektorale, duke u hedhur hi syve sa më shumë shqiptarëve, nga ata që pamenduar qorrazi e ndjekin pas. Apo nga ata që pa reflektuar shurdhërish e dëgjojnë.
Po konkretisht:
Nëse kryeministri ka qëllimin e statusit dhe jo të fajësimit të opozitës me çdo mjet e çmim, këtë çështje ne e zgjidhim në parlament brenda shtatorit pa pikën e problemit. Mjaft që në tri javët që vijnë të kryejmë të gjithë diskutimin e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese që ne kemi propozuar dhe pastaj të votojmë. E përsëris që vota jonë është PRO kufizimit të imunitetit.
Në të kundërt, Saliu le të vazhdojë në rrugën e tij me ata që e dëgjojnë shurdhërish e që e ndjekin pas verbërisht dhe me referendumin e tij, që nuk është asgjë tjetër përveçse një lojë pa top për të spostuar vëmendjen e publikut nga problemet reale të vendit dhe për ta tërhequr publikun në një rrugë pa krye, ku ne as kemi ndërmend të hyjmë.
Berishës nuk do t’ia falim kurrë gjakun e pafajshëm të 21 Janarit
E në fund dy fjalë për 21 janarin. E dëgjova Saliun që tha se shpirtrat e 4 të vdekurve kërkojnë drejtësi dhe përsëriti të njëjtat mizerabilitete që ka thënë qysh natën e 21 janarit. S’ka dyshim se Presidenti shërbëtor që ka tanimë në Presidencë, shërbëtori që ka tanimë në krye të shërbimit sekret dhe vigjilja e zëvendësimit të Prokurores së Përgjithshme me një tjetër shërbëtor të tijin në krye të organit të akuzës, ia shtojnë epshin Saliut për ta kthyer edhe 21 janarin nga një krim mirëfilli të qeverisë së tij, në një krim të opozitës e të kundërshtarëve të tij.
Unë s’kam përgjigje më të mirë për t’i dhënë sot Saliut se sa ajo që i dha xhaxhai i të ndjerit Aleks Nika: Krimineli kthehet gjithnjë në vendin e krimit dhe ky kthim i Saliut tek 21 janari vetëm na kujton se përgjegjësi kryesor për ato vrasje është ende në karrigen e kryeministrit të Shqipërisë. Por nga ana tjetër historia na kujton se e drejta që shpesh vonon po nuk harron, vendoset për krime të tilla edhe atëherë kur duket se krimi është harruar dhe pandëshkueshmëria është garantuar përgjithnjë për fajtorët. Vetëm para pak ditësh një tjetër përgjegjës për krimet e Luftës së Dytë Botërore u kap në strofullën ku fshihej prej 65 vjetësh e i’u dorëzua drejtësisë.
Kështu që Saliut do t’i thosha sot që e kuptoj mirë pse i del kaq shpesh para syve fantazma e të vrarëve të 21 janarit, por nëse sot ai mund të kthehet i patrazuar në vendin e krimit sepse e ka kthyer drejtësinë shqiptare në një fantazmë, nesër gjërat s’do të jenë njësoj. Dhe herët ose vonë ai, Sali Berisha, kryeministri shqiptar i datës 21 janar 2011, do të duhet të rrëfehet para drejtësisë për gjakderdhjen e shkaktuar me armët e shtetit me pasojë vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm. 21 janari është një plagë nga ato që historia mëson se harresa nuk arrin t’i mbyllë asnjëherë dhe vetëm drejtësia i qetëson përgjithmonë.