Rama: Nuk ka kthim mbrapa tek LSI

0
41

Kryeministri Sali Berisha ia ka dalë këto ditë që të imponojë brenda partisë më të madhe në opozitë një debat në lidhje me faktin se a duhet të ketë një bashkëpunim mes PS e LSI për të fituar pushtetin. Fillimisht ishte Kastriot Islami dhe Arben Malaj, të cilët u shprehën për nevojën e bashkëpunimit të PS me LSI për të fituar zgjedhjet.

Fakti që Islami u pa ditën e zgjedhjeve në shoqërinë e Berishës, por edhe akuzat e shpeshta se grupimi i tyre ishte pranë PD, bënë që debati të mos merrte shumë vëmendje. Por disa zëra të tjerë dolën në median pranë qeverisë, duke nxitur debatin.

Megjithatë mësohet se kundërshtimi i kryetarit të PS, Edi Rama, do jetë i prerë. Burime nga zyra e Ramës bëjnë me dije se ai do ketë një qëndrim të qartë në media këto ditë për këtë çështje. Mësohet se Rama do deklarojë se nuk do ketë kthim mbrapa tek LSI.

Debati

Deklaratën e parë e bëri deputeti i PS-së, Besnik Bare, të cilit ju përgjigj Ylli Manjani, i cili tha se PS-ja duhet ta ketë për nder bashkëpunimin me LSI-në.

Ndërkohë, në një intervistë tek “Panorama”, deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi se është e domosdoshme hapja e PS-së përtej koalicionit me një parti të caktuar siç është LSI-ja apo PDIU-ja. Pra, duke mos e përjashtuar LSI-në nga koalicioni.

“Hapja e partisë është një proces i domosdoshëm që buron jo vetëm nga nevoja për vota, por si një alternativë serioze gjithëprëfshirëse, nga e cila derivon një program më përfaqësues në shërbim të njerëzve. Rëndësi ka baza mbi të cilën ngrihen koalicionet”, tha Leskaj.

Por, LSI-ja nuk duket shumë entuziaste nga ky koalicion, sidomos për faktin se në krye të PS-së është Edi Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi në një intervistë për “Shqip” se, LSI-ja nuk do të kthehet në një trampolinë për të marrë pushtetin Edi Rama.

“LSI-ja nuk mund të shërbejë si trampolinë për interesat e Edi Ramës dhe të enturazhit të tij.[…] PS-ja ka të tjera gjëra për të zgjidhur para se të mendojë që të vijë në pushtet duke përdorur LSI-në. Ajo duhet të zgjidhë problemet me vetveten, me lidershipin e saj, me identitetin dhe raportet e veta me interesat e vendit”, tha Luan Rama.

Kurse deputetja socialiste, Arta Dade, e ka përjashtuar në mënyrë kategorike mundësinë e një bashkëpunimi me LSI-në, ashtu siç është folur gjatë këtyre ditëve të fundit.

Dade e sheh të pamundur bashkëpunimin me LSI-në, duke e përkufizuar atë si “skalion të parë të dhunës”.

Ajo tha se “është ushtruar presion i jashtëzakonshëm nëpërmjet institucioneve shtetërore, përmes ministrave që LSI-ja ka, dhe porcionit që ka marë në këtë maxhorancë”.

Sipas Dades, “Berisha u tregua i zgjuar duke vendosur skalonin e e dhunës në rreshtin e parë me përfaqësuesit e LSI-së” dhe shtoi se ”është akoma herët për të përcaktuar koalicionet”.

“Por me këtë kategori që është ulur ne prehrin e Sali Berishës dhe është bërë mjet për të luftuar të majtën dhe socialistët, nuk mund të bashkëpunosh”, tha ajo.