Rama: Nuk e njohim rezultatin e djeshëm. Opozita nuk ndalet. Ne fituam zgjedhjet

0
33

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, doli në një bashkëbisedim me gazetarët, ku tha se opozita do ndjekë hapat ligjorë për të rrëzuar vendimin e paligjshëm të KQZ. Rama tha se anëtarëve të Kolegjit po u bëhet presion me policët që u janë vënë nga pas. Rama tha se PS është e angazhuar për të ulur kostot e kësaj përballje me pushtetin e Berishës. “Atë që ky popull nuk e gëlltiti në pushtetin e Saliut të parë, nuk do e gëlltisë kurrsesi në pushtetin e Saliut të Dytë,” tha Rama. “Ajo që bëtë me votën e presidentit është një turp i madh, që e mbani me krenari si të gjitha turpet e Saliut që ia shisni shqiptarëve për demokraci,” iu drejtua Rama një gazetari të TV Klan. Më poshtë deklarata e Ramës:

Mbrëmë u konsumua jo një farsë, por një kanibalizëm elektoral. Kanibalizmi elektoral i Saliut. Humbësi i Saliut u deklarua fitues në shkelje brutale të Kushtetutës e ligjit e çdo norme të moralit shoqëror. Vjedhja u bë një shfaqje televizive dhe gjithë shqiptarëve iu dha si një shembull nga qeveria e tyre. Nuk ka më turp sesa një qeveri që çdo familje të vendit të vet i përcjell këtë mësim. Që të vjedhësh është e moralshme dhe që përmes vjedhjes mund të realizohen qëllimet. Por, përveçse ligjërisht, ky kanibalizëm elektoral është konsumuar edhe aritmetikisht, sepse siç do e shihni, votat e futura enkas për të ndryshuar rezultatin, nuk përputhen me tabelat e votat për frymë zgjedhësish. Pra, Saliu ka bërë gabim çdo llogari për të grabitur fitoren tonë më 8 maj në Tiranë. Kjo është përgjegjësia e tij historike përpara popullit, Kushtetutës, ligjit e opozitës shqiptare. Ne do konsumojmë çdo mjet ligjor në këtë betejë.

Në radhë të parë me ndjekjen e të gjithë hapave ligjore ne synojmë adresimin e të gjithë kësaj problematike në kolegjin zgjedhor. Gjyqtarët e këtij ligji janë vënë në survejim policor nga njerëzit e Saliut. Nuk di arsye tjetër përveçse për t’i mbajtur nën presion. Nga kush i mbron Saliu gjykatësit? Opozita nuk ka konflikt dhe as llogari të hapura me gjykatësit, por vetëm me Saliun dhe pushtetin e tij të vjedhur, që synon të asgjësojë besimin e shqiptarëve tek zgjedhjet dhe të godasë opozitën duke synuar të dekurajojë opozitarizmin.

Saliu po godet përveç demokracisë edhe vetë Shqipërinë në sytë e komunitetit ndërkombëtar, i cili nuk mund ta gëlltisë dot këtë gjellë të pisët të pushtetit të vjetër, që ka dalë lakuriq para gjithkujt. Sinjalet janë të qarta, por brenda kulturës dhe etikës së botës demokratike, ku ne dëshirojmë të bëjmë pjesë. Vetë anulimi i vizitës së presidentit të KE është një sinjal i fortë e aspak ogurmirë. Por edhe të gjitha prononcimet për këdo që ka veshë të dëgjojë gjuhën e partnerëve tanë ndërkombëtarë janë të qarta dhe aspak ogurmirë për ardhmërinë evropiane të vendit tonë.

Më lejoni që t’ia rishpreh edhe njëherë publikisht mirënjohjen tonë në emër të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, misionit të ODIHR dhe shefit të këtij misioni, Jonathan Stonestreet. Ky mision la të shkruar të zezë mbi të bardhë me vërtetësi objektive atë që nuk korrigjohet në rrugën e drejtësisë, do mbetet një njollë e zezë që do agravojë marrëdhëniet e vendit tonë me botën demokratike.

Po ashtu nuk do lodhem së përsërituri shprehjen e trojkës këtu në Shqipëri, ambasadori amerikan, atë të OSBE dhe KE, që i kanë qëndruar shumë afër të gjithë procesit. Ata luajtën një rol kyç në transparencën dhe numërimin e votave. Ata vazhdojnë përpjekjen e tyre për të shpëtuar një proces të kompromentuar keq.

Dua të përsëris apelin tim për komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë edhe më me forcë për të shpëtuar një proces që rrezikon ta fusë Shqipërinë në qorrsokak.

E dëgjova Saliun kur tha që fitova zgjedhjet. Është komik. Zgjedhjet i ka fituar Aleanca për të Ardhmen. Kur themi këtë i referohemi këndvështrimit që ka bota demokratike kur bën zgjedhje vendore, që llogarit krejt ndryshe nga sa llogarit Saliu, që së fundmi ka përmbysur edhe matematikën. Zgjedhjet i kemi fituar ne sepse jemi mandatuar të qeverisim një pjesë dy a tre herë më të madhe se pjesa që do qeverisin të mandatarit e kampit kundërshtarit. Zgjedhjet i kemi fituar ne se me votat e mbledhura në betejën për mandatet e qeverisjes vendore jemi përpara. Zgjedhjet i kemi fituar ne sepse në rast se do bëjmë për një përkthim, që sigurisht nuk është i përshtatshëm, të votave të marra në fushën e betejës, atëherë përkthimi nxjerr rezultatet katërcipërisht të ndryshme në raport me besimin e dhënë përmes mandatimit të kandidatëve respektivë. Votat për këshillat janë tërësisht të një natyre tjetër dhe këtë e tregon historia nga votat e kandidaturave politike. Po t’i referoheni zgjedhjeve të shkuara e të stërshkuara, shifrat kanë një përmbysje të konsiderueshme kur bie fjala për këshillat. Por, tek e mbramja mjafton t’i referohemi votës demokratike: fiton forca që merr më shumë mandate, por që merr mandatet me peshën më të madhe në raport me qeverisjen.

Ndërkohë, më lejoni të them se ana tjetër e medaljes sigurisht është rezistenca e qytetarëve. Nuk ka asnjë gjasë, asnjë mundësi, që opozita shqiptare jo të tërhiqet, por të ndalet në rrugën e rivendosjes së demokracisë. Nuk ka dyshim se rezultatin e djeshëm jo vetëm që nuk e njohim, por e shohim si një shprehje akute të një sëmundje të rëndë, që e bën këtë vend të zvarritet demokratikisht, ekonomikisht e shoqërisht. Nuk ka asnjë dyshim se kontestimi ynë do përshkallëzohet në rast se e drejta jonë nuk do njihet ashtu siç është një e drejtë në ditën për diell, e parë nga të gjithë shqiptarët. Nuk ka jurist plepash që e vë në dyshim të drejtën tonë, e jo më një popull i tërë i zënë në një kurth monstruoz. Të gjithë e kanë kuptuar jo vetëm atë që ka ndodhur, por edhe çfarë pasojash ka në jetën e tyre.