Rama në News 24: Demonstrata homazh nuk anulohet

0
52

TIRANË – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama menjëherë pas takimit me aleatët rrëfen në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në News24 vendimet e opozitës shqiptare. Pas apelit të ambasadorit amerikan, për anulimin e demonstratës së ditës së premte, Rama thekson se opozita nuk do të anulojë demonstratën homazh, pasi siç tha ai, kjo demonstratë nuk kultivon frikën por besimin. Kryesocialisti Rama ftoi qytetarët ti bashkohen asaj për t’ rezistuar hijes së të shkuarës, siç tha ai.

“Unë e kam mirëkuptuar thellësisht shqetësimin e ndërkombëtarëve dhe frikën e tyre për atë që mund të ndodhë në bulevard në kushtet që ne jemi. Kam mirëkuptuar edhe thirrjet për anulimin e manifestimeve. Këtu nuk bëhet fjalë për ti vënë kapak cfarëdo qoftë shqetësimi dhe sado e madhe qoftë e panjohura që është përpara. Nuk është opozita që duhet të garantojë qeverinë.

Bëhet fjalë për një demonstratë homazh në kujtim të dhunës ndaj tre jetëve njerëzore. Që shqiptarët të kuptojnë terrorizmin shtetëror të ushtruar ndaj njerëzve të lirë, ndaj opozitës. Ne nuk anulojmë demonstratën tonë homazh, i bëjmë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë. Ne nuk kultivojmë frikën, kultivojmë besimin që ti rezistojmë hijes së të shkuarës. Duam të hapim rrugën e së ardhmes, dhe do ta bëjmë së shpejti”, -tha Rama.

RAMA:ENDE I PAZBATUAR URDHRI I PROKURORISË
Sipas Ramës, mos zbatimi i urdhër-ndalimeve të Prokurorisë nga policia, për 6 gardianë të dyshuar si autorët e vrasjeve, “me pretendimin se parandaluan një puc tregon se ka rënë cdo garanci, vendi është jashtë kontrollit”.

RAMA: NUK KEMI LIDHJE ME DHUNEN
Kryesocialisti komentoi në detaje ngjarjet e 21 janarit duke shprehur bindjen se demonstrata nuk degradoi nga dhuna e njerëzve të thjeshtë, por nga reagimi ndaj provokimit të atyre që drejtonin operacionin e policisë.

“Nuk kemi lidhje me dhunën dhe nuk e promovojmë atë. Nuk do ta pranoj kurrë se ajo demonstartë degradoi për shkak se demonstruesit ushtruan një dhunë që e detyroi policinë dhe Gardën të finalizonte një krim shtetëror me urdhër të Berishës” tha Rama, ndërsa falenderoi sërish gazetarin e News24, Artan Hoxha, për publikimin e videos në të cilën dukej qartë se plumbat që vranë demonstruesit erdhën nga brenda oborrit të Kryeministrisë.

Rama tregon se të premten u nis me demonstruesit drejt sheshit përpara Kryemistrisë, por nuk mundi të shkonte më tej për shkak të degradimit të menjëhershëm të situatës.
“Unë kam parë me sytë e mi gjithcka ka ndodhur, deri kur situata filloi të degradojë. Unë kam qenë me Pandeli Majkon, Linda Nikollën e deputetë të tjerë duke ecur në bulevard dhe në momentin kur kemi kaluar urën filluam të ecnim mbrapsht për shkak të gazit dhe efekteve të tij. Protesta nuk ka shkuar kurrë përtej kufirit të një proteste spontane si reagim i aty për atyshëm, si reagim ndaj provokimit të atyre që e drejtonin operacionin.” u shpreh Rama.

RAMA: POLICIA DHUNË EDHE PAS DEMONSTRATËS
Rama deklaroi më tej, se situata e krijur në 21 Janar është e paprecedentë, pasi njerëzit u arrestuan nga policia edhe pas mbarimit të demonstratës. Rama i referohet edhe rastit të Fiqeri Xibrit.

“Qetësia ende tani nuk është vënë, për qytetarët, të cilët merren dhe arrestohen nga policia jashtë cdo lloj norme dhe jashtë cdo ligji. Sic është rasti i Fiqiri Xibrit. Ai është një opozitar, një njeri i ndershëm që është arrestuar e dhunuar barbarisht në komisiariat”,- tha Rama.

Duke dënuar dhunën e ushtruar nga efektivët e policisë ndaj njerëzve të pafajshëm, Rama tha “kur njerëzit po tërhiqeshin dhe gjithcka filloi të lëvizte në drejtim të largimit nga vendi, u turrën si kafshë njerëz me xhinse e me xhaketa lëkure, u turrën kundër opozitës, si pas vitit 96. Njerëz që u bashkuan me demonstruesit, në fakt ishin në shërbim të Saliut”.

RAMA: MEDIA ZBULOI TERRIN E VRASJEVE PARA KRYEMINISTRISË
Kryesocialisti Rama tha se vrasjet e ndodhura përpara oborrit të kryeministrisë fillimisht ju faturuan opozitës, nisur kjo nga “deklarata e mjekut se viktimiat ishin qëlluar nga afër”.
“Sikur të mos kishte dalë videoja e Artan Hoxhës ne sot do ishim të mbuluar nga terri. Berisha do na kishte futur në një hulli pafund, njësoj sic tenton përditë, njësoj sic ju thotë shqiptarëve përditë, ju jeni njësoj të zhytur, jeni të gjithë pisa”, – tha Rama.

Sipas tij videoja e detyroi kryeministrin të pranonte se “i vramë se donin të bënin puc, se paska një rregullore të brendshme që lejon të qëllosh këdo që tenton të shkelë oborrin e kryeminstrisë”,- u shpreh kryesocialisti.

RAMA: TË PREMTEN PAQËSISHT PËR TË NDERUAR VIKTIMAT
I pyetur në lidhje me mënyrën se si do të organizohet demonstrata e së premtes, kreu i opozitës përfitoi nga rasti për të përcjellë një mesazh për qytetarët që do t’i bashkohen demonstartës homazh.
“Përcjell tek të gjithë mesazhin e paqes dhe të qetësisë, për të nderuar të vrarët që nuk do jenë me ne të premten. Ata humbën jetën për të njëjtat arsye që të gjithë ne ishim aty. Gjithkush duhet thjesht të jetë aty dhe të vijë për të nderuar ata që nuk janë më. Për të afirmuar me qytetari dhe fuqi dhe për të besuar tek e ardhmja” u shpreh Rama.

ZGJEDHJET LOKALE, RAMA: DUAM ZGJIDHJE TË RE POLITIKE
Lidhur me zgjedhjet e pritshme lokale, zoti Rama theksoi “ Si mund të bëhen zgjedhje në 8 maj, me këto gjëra që po shohim dhe që po flasim. Duam një zgjidhje të re politike që nuk privilegjon opozitën, por i jep mundësi palëve të rikompozojë hapësirën politike mbi bazën e garancive kushtetuese”.

Rama nënvizoi se opozita ka synim t’i rikthejë popullit atë që sipas tij i është marrë padrejtësisht, lirinë e votës.
“Nuk do të ketë zgjedhje të ndershme e të lira në 8 maj, nëse do jetë kjo tabloja” tha Rama.

(m.a/e.n/BalkanWeb)