TemA
(E PERDITESUAR)- Kreu i opozitës Edi Rama ka reaguar lidhur me heshtjen e trupit diplomatik për vendimin më të fundit të Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet e Tiranës. Ai u kërkoi ndërkombëtarëve që të reagojnë e të thonë hapur atë çfarë ka ndodhur në këtë proces, e të mos bëhen palë me hajdutin e zgjedhjeve. Apeli i Ramës për të huajt me të cilët ai ka pasur kontakte të vazhdueshme erdhi vetë disa ditë pas Kolegji la në fuqi vendimin e KQZ-së për rezultatin e Tiranës duke mos pranuar kërkesën e PS-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve.
Rama gjithashtu bëri të qartë se smund të ketë dialog me këtë mazhorancë hajdute të zgjedhjeve. “Me arsyetimin idiotik të Kolegjit Zgjedhor u konsumua plotësisht vepra e vjedhjes së zgjedhjeve të Tiranës me vendim gjykate. Drejtësia ka vdekur në Shqipëri. Pushteti gjyqësor ka marrë fytyrën e qeverisë dhe është bërë pjesë e maskaradës antidemokratike të Saliut. Shteti i kapur plotësisht për interesat e pushtetit të vjedhur e ka nxjerrë Shqipërinë nga binarët e Europës dhe e ka kthyer këtë vend të NATO-s në një realitet ku asnjë vlerë e parim i NATO-s s’ka më vend.
Çka ndodhi me zgjedhjet e Tiranës, jo vetëm provoi katërcipërisht që Saliu zgjedhjet i vjedh nuk i fiton, por më keq akoma, tregoi se sa i shurdhët është veshi i pushtetit të vjedhur ndaj të gjitha fjalëve qëllimmira të komunitetit ndërkombëtar. Ne i kërkojmë sot publikisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë të shqiptarëve që, në kushtet kur vjedhja ka ndodhur hapur, edhe në sytë e tyre dhe kur gjykata për të vulosur vjedhjen ka refuzuar të gjykojë çështjen, të mos mjaftohen me predikimin qëllimmirë të radhës.
Populli shqiptar ka sot nevojë të dëgjojë shkoqur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën nga goja e miqve e partnerëve të tij të çmuar. Ata s’janë dhe s’mund të bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve, me gjykatësit e kapur, me qeverinë që ka braktisur përfundimisht shinat e Europës demokratike duke tradhtuar hapur e shkelur dhunshëm vlerat, parimet, standardet e integrimit në BE e të anëtarësimit në NATO.
Duke i falenderuar sot të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, në Tiranë, Bruksel, Uashington, për të gjitha përpjekjet e bëra që rruga ligjore e ndjekur prej nesh të mos kthehej në një qorrsokak për demokracinë e drejtësinë në Shqipëri, ne i garantojmë ata se Partia Socialiste dhe opozita e bashkuar shqiptare do të jenë vendosmërisht zëdhënëse të vlerave, parimeve, standardeve të integrimit në BE e të anëtarësimit në NATO”, deklaroi Rama dje. Më tej ai foli për kursin e ri politik të partisë që drejton duke e parë atë si aspiratën e vërtetë të shqiptarëve për qeverisjen e ardhshme. Por sipas tij asnjëherë PS nuk mund të pranojë diktaturën e faktit të kryer, duke bërë të qartë kështu se nuk do ta njohë vendimin e kolegjit zgjedhor.
“Kursi ynë i ri politik do të jetë shprehje e plotë dhe kuptimplotë e domosdoshmërisë për ta futur Shqipërinë në rrugën e shumëkërkuar të funksionimit të demokracisë. Ky kurs do të bazohet plotësisht në aspiratën e madhe europiane të qytetarëve shqiptarë, në adresimin konkret të prioriteteve të përcaktuara qartë prej Komisionit Europian dhe në domosdoshmërinë për të rivendosur rendin e shkallmuar kushtetues.
Por duam ta bëjmë fare të qartë, pa asnjë ekuivok, se ne refuzojmë t’i nënshtrohemi diktaturës së faktit të kryer dhe nuk do të bëhemi pjesë e çfarëdo farse të ideuar apo organizuar nga Saliu gjoja si dialog, po në fakt vetëm për të vazhduar të gënjejë e të tallet me popullin shqiptar e me komunitetin ndërkombëtar.
Saliu për ne është dhunuesi i pakorrigjueshëm i Kushtetutës, i zgjedhjeve e i shtetit të së drejtës në Shqipëri”. Por deklarata e djeshme për shtyp e Ramës ishte e drejtuar vetëm për partnerët ndërkombëtarët prej të cilëve ai kërkoi mbështetje publike. Rama tha se vetëm pasi të pranohet e vërteta e këtyre zgjedhjeve nga të huajt që janë miq e partnerë të Shqipërisë mund të flitet për dialog.
“Vetëm pastaj mund të flitet jo thjesht për dialog, po për një paketë të plotë reformash e garancish kushtetuese, ligjore e institucionale, të cilat adresojnë thelbësisht, jo për sy e faqe, aspiratën europiane të qytetarëve shqiptarë dhe prioritetet e përcaktuara nga Bashkimi Europian për Shqipërinë. Këtë paketë s’mund ta garantojë Saliu, po vetëm komuniteti ndërkombëtar, i cili duhet ta kuptojë se këtë herë në Tiranë nuk u vodh vetëm opozita, po u vodhën edhe Bashkimi Europian, edhe Shtetet e Bashkuara, edhe OSBE-ja.
Kuptimi i drejtë i kësaj të vërtete të hidhur, por të shkoqur, është domosdoshmëri për të mos lejuar që vjedhja e zgjedhjeve të bëhet normë dhe për të garantuar realizimin e ndryshimeve kushtetuese, ligjore e institucionale pa të cilat s’ka si të ketë demokraci funksionale në Shqipëri”, sqaroi kërkesën e tij drejtuar diplomatëve perëndimorë. Ndërsa për kundërshtarin e tij politik Sali Berishën Rama kishte ruajtur një mesazh të shkurtër. “Sa për vetë Saliun i them vetëm një gjë sot: Në gjurmët e vjedhjes së zgjedhjeve në Tiranë do të gjesh shpejt fundin e pashmangshëm të pushtetit tënd”, tha kreu i PS-së.