15 nëntor 2009
Hapja e kutive të votimit dhe vazhdimi i bojkotit parlamentar, deri në realizimin e kësaj kërkese, ka qenë sërish në kryefjalën e krerëve të opozitës, gjatë protestës së radhës që ata mbajtën dje në qytetin e Vlorës. Në fjalimet e tyre, drejtuar pjesëmarrësve, ata i kanë përmendur sërish këto dy argumente pa dhënë ndonjë sinjal ndryshimi, lidhur me qëndrimin që do të mbajnë rreth tyre në ditët që do vijnë. Madje, duhet thënë se u shfaq me nota më të theksuara thirrja për pjesëmarrje masive në protestën e radhës së opozitës, ajo e parashikuar të mbahet në datën 20 nëntor, sërish në kryeqytet, duke pohuar se kjo ditë do të shënojë në fakt edhe nisjen e fundit të Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë që ai drejton.
Lidhur me një argument të tillë, kryesocialisti Rama shkoi edhe më tej, duke përmendur edhe idenë e zgjedhjeve të parakohshme. “Që prej 20 nëntorit do të fillojë një fazë e re protestash ndryshe nga këto të bëra deri më sot. Bojkoti është e vetmja rrugë që kemi sot për të mbrojtur demokracinë”, – tha, ndër të tjera, kreu socialist gjatë fjalës në Vlorë, duke treguar në këtë mënyrë vazhdimësinë e bojkotit parlamentar nga ana e deputetëve të PS-së. Kjo, në shenjë edhe reagimi ndaj paralajmërimit që kanë bërë 5 deputetët e lëvizjes për mendim ndryshe në selinë rozë, për futjen e tyre në Parlament në datën 16 nëntor, me argumentimin për të ndihmuar në proceset integruese të vendit të tyre, përmes kontributit të tyre.
Duke përfituar nga një rast i tillë, Rama u është kundërpërgjigjur si atyre, edhe deklaratave të dy ditëve më parë të Kryeministrit Berisha, i cili tha se bojkoti i opozitës nuk do ta pengojë ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian. “Integrimi i vendit nuk pengohet nga bojkoti, por nga arsyet që i çuan socialistët në këtë bojkot, tha ai, në lidhje me një fakt të tillë, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe pretendimin e ngritur nga deputetët e LMN-së, brenda PS-së, për futjen në Parlament. E, në njëfarë mënyre me këtë deklaratë, ai ka reaguar edhe ndaj presioneve të ndërkombëtarëve, që ditët e fundit kanë kërkuar zgjidhjen e krizës politike. “Opozita jonë nuk kthehet pa kushte në Kuvendin e kthyer në një sallë të këshillit kombëtar të PD-së. S’ka zgjidhje kështu! Kriza s’buron nga bojkoti, por nga konflikti mes pushtetit e parimeve demokratike. Kjo na ka çuar në bojkot”, – u shpreh Rama më pas, lidhur me një fakt të tillë.