Rama letër Topit: Pas 21 janarit zgjedhjet s’mund të jenë të lira

0
139


TIRANE – Kryetari i Partisë Socialiste i përgjigjet letrës që presidenti Topi dërgoi një ditë më parë partive politike parlamentare ku i bënte thirrje për zgjidhjen e krizës. Në emër të opozitës së bashkuar Rama nënvizon në letër se vendi është në krizë të thellë të cilën 21 janari e nxorri në pah dhe bën përgjegjës keqqeverisjen e kryeministrit Berisha. Rama nënvizon zbardhjen e plotë të vrasjeve të 21 janarit dhe se nuk ka hapa prapa në aksionin opozitar të demontratave paqësore për largimin e Berishës dhe zgjedheve të reja si e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza.

Letra
Rama e nis letrën dërguar sot presidenti Bamir Topit me vlerësimin e rolit dhe të përpjekjeve të kreut të shtetit në kërkim “të rrugëdaljes prej udhëkryqit dramatik ku e ka mbërthyer Shqipërinë kriza e gjithanshme”, sic shkruan Rama.

Më pas kreu i PS-se nënvizon bindjen e palëkundur të opozitës se kriza politike është veçse “simptoma më kuptimplotë e një krize shumë më të rëndë sesa thjesht politike”. “Kjo- thotë Rama- është kriza e kapjes së shtetit, për interesat e pushtetit, e cila përthyhet në një demokraci të kërcënuar në cdo aspekt, drejtësi të kompromentuar në cdo nivel të pushtetit gjyqësor, ekonomi të rrënuar nga korrupsioni e papunësia”.

Sipas Ramës është “Pikërisht brutaliteti që ushqen kapja e shtetit dhe më anë tjetër, frika e pushtetit prej vetëdijësimit të popullit për nivelin marramendës të korrupsionit” dy arsyet e qenësishme pse më 21 janar demonstrata paqësore e mbi njëqindmijë qytetarëve, u provokua fatalisht duke degraduar në dhunën që kulmoi me katër të vrarë e shumë të plagosur prej pushkëve të Gardës Republikane.”

Kryetari i PS-se i sqaron presidentit në letër se “aktet sporadike” të dhunës së ushtruar nga demonstruesit më 21 janar nuk mund të ngatërrohen me “pushkatime gjakftohtë nga shteti”, dhe pikërisht për këtë përveç hetimit të pavarur është i domosdoshëm dhe gjykimi i popullit me votë.
“Shqipëria nuk mund të detyrohet të kalojë 21 janari, si përmbytja e radhës, si skandali korruptiv i radhës, si rritjen statistikore të radhës në numrin e të vrarëve për shkak të keqqeverisjes.

Asnjë shqiptar i vetëm, jo më një opozitë e tërë e bashkuar prej thuajse dy vjetësh nga e majta në të djathtë për të mbrojtur demokracinë, institucionet, njerëzit, nga pasojat e kapjes së shtetit e të nivelit marramendës të korrupsionit nuk mund të kalojë atë shpërthim vrastar të dhunës shtetërore, pa pasur të drejtën e gjykimit të qeverisë me votë, dhe jo me votën e zgjedhjeve të radhës përkatësisht atyre vendore, por me një votë që duhet të gjykojë drejtëpërdrejtë këtë qeveri jo për kanalizimet apo punët komunale, por për keqqeverisjen e degraduar në një korrupsion të pandalshëm deri në vrasjen e plagosjen me paramendim të qytetarëve me armë zjarri.”- nënvizon Rama.

“Opozita e bashkuar shqiptare, partia Socialiste dhe une-vazhdon Rama në letër- mbështesim pa asnjë rezervë qysh prej sekondës së parë një hetim të plotë dhe të pavarur të prokurorisë së përgjithshme për zbardhjen e ngjarjes tragjike të 21 janarit dhe nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive penale duke u qenë e mbetur mirënjohës edhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë posaqërisht SHBA për mbështetjen e këtij hetimi. Nënvizojmë e do të vazhdojmë të nënvizojmë po ashtu pa rezervë në cdo hapësirë e me cdo mjet demokratik se dorëheqja e kësaj qeverie dhe zgjedhjet e reja të lira e të ndershme janë rrugëdalja e vërtetë nga kjo krizë e gjithanshme.

Të cilën, 21 janari e nxorri edhe më në pah si një krizë të thellë, të shtrirë kudo përmes tentakulave të interesave të korrupsionit që e kanë kthyer qeverinë në një regjim vrastar kusarie ndërsa Shqipërinë në një vend ku institucionet kushtetuese apo mediat e pavarur, ato pak që kanë mbetur jashtë kontrollit të rregjimit janë përditë nën një sulm barbar.”

Në vazhdim të letrës Rama i garanton presidentit se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk është opsion i opozitës, por se nuk do të lejohet që ato të jenë farsa e radhës.

“Ju garantoj se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë në asnjë rast një opsion i yni. Pas farsës elektorale të qershorit 2009, ne kemi qenë të bindur se nuk mund, s’duhet dhe s’do të lejojmë që zgjedhjet e radhës të jenë farsa e radhës. Por pas 21 janari ne jemi të bindur se, në kushtet e sotme, zgjedhjet thjesht nuk mund të bëhen në rast se vërtet duam që ato të jenë një garë e lirë dhe e ndershme, jo një farsë edhe më e pagëlltishme, që do nxisë precipitimin e mëtejshëm të krizës.”- nënvizon Rama duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit për ndryshimin e kushteteve, por në prani të ndërkombëtarëve.

“Sigurisht që këto kushte mund të ndryshojnë. Këto kushte duhet të ndryshojnë e përsa na takon ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithcka mundemi që ata të ndryshojnë padyshim me ndihmën e pazevendësueshme të miqve e partnerëve të Shqipërisë. Në këtë kontekst ne besojmë se angazhimi së fundmi i komunitetit ndërkombëtar përmes misionit të zotit Lajcak është një shans i mirë të cilin palët nuk duhet ta humbasin bashkë me kohën që ikën.”

Rama mbyll letrën e tij duke shprehur sigurinë se opozita “pa bërë asnjë hap prapa nga demonstratat masive në të gjithë vendin, që kanë për synim largimin e qeverisë dhe zgjedhjeve të reja, te lira e të ndershme, jemi gati të hedhim cdo hap të mundshëm përpara për të garantuar votën e cdo shqiptari në zgjedhjet e ardhshme vendore.”

(s.g/BalkanWeb)