Rama: Fatura, 260 milionë euro

0
51


Panorama, 08 Dhjetor 2010

Sipas tij, fatura që shteti duhet t’u paguajë qytetarëve të prekur nga përmbytja arrin në 260 milionë euro. Partia Socialiste zhvilloi një mbledhje të deputetëve socialistë posaçërisht për problematikën me të cilën po përballet vendi nga përmbytjet. “Ne kemi bërë një llogari shumë të thjeshtë bazuar në standardet europiane. Pra, si përkthehet shumë thjesht në bazë të kalkulimit të përcaktuar me standardet europiane, dëmi i shkaktuar në këtë rast? Sot mund të flasim për një faturë 260 milionë euro, minimumi. Minimumi!”, u shpreh Rama në fjalën e tij para deputetëve.

Kreu socialist denoncoi indiferencën dhe papërgjegjshmërinë e treguar nga qeveria që prej janarit të këtij viti, kur zona e Shkodrës u godit pesë herë nga përmbytjet. Rama vlerësoi punën e zv.ministrit të kulturës, Nikollë Lesi, të cilin e takoi vetë në Lezhë. Sipas tij, Lesi mbrojti argjinaturën e Torovicës, edhe pse nuk dispononte mjetet e nevojshme. “Ishte sa e dhimbshme, sa qesharake të shikoje se fati i asaj argjinature ishte në dorën e vullnetit të Nikollë Lesit. Unë jam i bindur se nëse Nikollë Lesi nuk do të kishte qëndruar atje ditë e natë dhe nëse nuk do të kishte hedhur gurë e dhé në mënyrën më primitive, por me mjete rrethanore, rreziku mund të mos ishte përballuar.

Zv. ministri i Kulturës, me disa kamionë në radhë, që hidhte gurë dhe hidhte dhé. Është nga ajo zonë, është përfaqësues i asaj zone, ishte i angazhuar bashkë me disa deputetë të tjerë, nuk i ndaj këtu se s’ka rëndësi, por ishte në krye të punëve. Pra, një argjinaturë, e cila sipas ekspertëve ka qenë një nga argjinaturat më strategjike për përballimin e problemit dhe që sot e gjithë ditën mbahet në këmbë thjesht falë sforcove të përditshme të kryetarit të komunës. Çfarë mund të bëjë një kryetar komune, në kushtet kur s’ka as fonde dhe as mbështetje apo siç e përmenda, mbështetjen e Nikollë Lesit”, u shpreh Rama.

Paketa
Kryesocialisti bëri disa propozime konkrete për dhënien zgjidhje njëherë e mirë situatës që përsëritet çdo dimër në të gjithë vendin me përmbytjet. Sipas tij, duhet riparë buxheti i vitit 2011, duke i adresuar disa fonde strategjisë së re për parandalimin e përmbytjeve. Rama propozoi që shpenzimet qeveritare t’u kalojnë zonave të dëmtuara, duke propozuar ndërhyrje në zgjidhje afatgjatë të problemit, pasi vendi, sipas tij, rrezikon kënetëzimin.

“Të marrim tri lloj masash, një moratorium minimalisht tre vjeçar për shtretërit e lumenjve dhe mosshfrytëzimin e tyre, me qëllim nxjerrjen e lëndës së parë për ndërtim. Duhet konsideruar ndryshime në kodin penal për veprat e dënueshme penalisht lidhur me cenimin e pyjeve, të lumenjve dhe mjedisit sipas standardeve europiane. Ajo që ne do të propozojmë në Parlamentin e vendit është rialokimi drastik i buxhetit të vitit 2011 për shpenzimet e kësaj lufte me këto fenomene që duhen konsideruar dhe trajtuar si një armik që kërcënon sigurinë e vendit tonë”, deklaroi Edi Rama, kreu i PS-së.

——————————————————————————–

Përmbytjet, jo faj i natyrës

Kryesocialisti kundërshtoi tezën e kryeministrit se përmbytjet kanë shkak natyrën. Ai tha se situata ka ardhur si pasojë e masave të munguara për vite me radhë, por veçanërisht vitet e fundit. Kryetari i opozitës vuri theksin tek shkrirja sipas tij e instituteve shkencore, me specialistë të mirëfilltë në studimin dhe parandalimin e fenomeneve të përmbytjeve dhe të rrëshqitjes së tokës, që po shndërrohen në apokaliptike për vendin tonë.

——————————————————————————–

Diskutimet në mbledhjen e grupit socialist

Edi Rama: Duhet të përcaktojmë qartësisht në një propozim të detajuar të gjithë paketën që kërkojmë për ndërhyrje në buxhetin e vitit 2011 dhe një paketë ligjore për parandalimin e shkatërrimeve në lumenj dhe pyje.

Arben Malaj: Për të respektuar procedurat për aktet ndërhyrëse për ligjet e votuara, ne duhet të presim dekretimin e ligjit për buxhetin nga Presidenti i Republikës dhe pastaj të bëjmë propozimet tona.

Bashkim Fino: Presidenti mund edhe të mos e dekretojë buxhetin në këtë situatë emergjence, e cila kërkon një ndërhyrje radikale, për të dalë nga situata dhe për të parandaluar përsëritjen e saj.

Arben Malaj: Vetëm për çështje kushtetuese mundet Presidenti të lërë të padekretuar votimin e Kuvendit.

Gramoz Ruçi: Komisioni i Ekonomisë së Asamblesë të përgatisë të gjithë propozimin që do të paraqesim në Kuvend, mbi bazën e atyre shtyllave që përcaktoi kryetari, që nga rishikimi i buxhetit, mundësia e shkurtimit të fondeve për investimet në infrastrukturë dhe në disa projekte të Ministrisë së Financave dhe të ma paraqesë mua për ta prezantuar në Kuvend.

Erion Braçe: Propozoj që në moratoriumin trevjeçar, që propozohet për mosshfrytëzim të lumenjve për inerte, të përfshihen dhe guroret e maleve, të cilat po sjellin pasoja të pariparueshme në mjedis dhe në erozion.

Edi Rama: Do të kërkojmë që seanca e të enjtes të zhvillohet dhe fakti që ministrat dhe deputetët e maxhorancës janë në Shkodër, nuk është justifikim për të bërë seancën. Ne mund të pranojmë shtyrjen e orarit të seancës, jemi dakord ta zhvillojmë në 12 pas mesnate, por jo ta anulojmë fare. Ne do të jemi të gatshëm për seancën e së enjtes. Deputetët socialistë do të marrin pjesë në Komisionin e Ekonomisë dhe atë të Veprimtarisë Prodhuese.

——————————————————————————–

Paketa e ndryshimeve që propozoi Rama

Të ndryshohet buxheti i vitit 2011, në funksion të problematikës së përmbytjeve
Të vendoset moratorium (të paktën) 3-vjeçar për ndalimin e prerjeve të pyjeve.
Moratorium trevjeçar për mosshfrytëzimin e lumenjve dhe shtretërve të tyre.
Duhen ndryshime në veprat e Kodit Penal në lidhje me dëmtimet e pyjeve dhe lumenjve
Të merren masa për të ringritur strukturën shkencore
Të bëhet analizë e thellë shkencore tërësore për gjendjen aktuale të lumenjve. (Kjo ka enë normativë e shtetit, por aktualisht në strukturat shtetërore nuk gjendet asnjë analizë mbi situatën e lumenjve)
Të ngrihet strukturë shkencore për studimet dhe monitorimin e nevojshëm të sistemit të kullimit në vend
Të punohet për legjislacionin për të gjitha veprat kulluese, bonifikimet dhe mbrojtjen e të gjitha zonave malore e kodrinore nëpërmjet pyllëzimit
Rialokimi drastik i buxhetit të 2011-s për shpenzimet për këto fenomene që duhen trajtuar si një armik që kërcënojnë vendin tonë
Plan i ri investimesh që adresojnë mbrojtjen nga përmbytja

——————————————————————————–

Ngjela: Presidenti të marrë masa

Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha dje se si shkak i situatës së krijuar në Shkodër është edhe shkatërrimi i sistemit të kullimit dhe mbrojtjes ndaj përmbytjeve, si kanale, hidrovore e argjinatura.

“Kanë qenë 9 hidrovore, nuk ekziston asnjë. Janë parametra shkencorë. Ka një mekanizëm që nuk është zbatuar, ne do e denoncojmë këtë si vepër penale. I bëj thirrje presidentit që të marrë masat për këtë”, tha Ngjela. Për përfaqësuesin e opozitës së bashkuar, një tjetër shkak që çoi në këtë situatë është dhe mbyllja e instituteve shkencore.