Shekulli Online, 15.01.2010
TIRANË – Lideri socialist Edi Rama ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka deklaruar se “Sali Berisha nuk mund të fshehë të vertetën e përmbytjes së madhe të Shkodrës”. Ai është zotuar se ditën e dielë në Asamblenë e PS-së do të prezantohen provat e fajësisë së plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it.
Ndërkohë që ka mbytur Veriun me ujin e keqqeverisjes, që vetëm si sasi uji e dalë jashtë kontrollit ishte një vlerë e humbur plot 35 milionë dollarë nga pasuria e përbashkët e shqiptarëve, pushteti i korruptuar i Sali Berishës, jo vetëm ka gënjyer në mënyrën më skandaloze shqiptarët për të gjitha faktet e shifrat që lidhen me digat e përmbytjes, por edhe po vazhdon të akuzojë, shpifë e madje bëjë diversion të përditshëm me forma sa vulgare, aq edhe qesharake, ndaj Partisë Socialiste.
E cila, nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj, të prerë e të qartë, për të mos u bërë fasada demokratike e një parlamenti që s’ka kurajon të hetojë zgjedhjet nga ka dalë duke hapur kutitë e votimeve mbi ta cilat rri.
Nëse katastrofa e shkaktuar në Veri dhe emergjenca e jashtëzakonshme ku u ndodhën mijëra familje motrash e vëllezërish shkodranë, ishin një forcë madhore, e cila diktoi shtyrjen e përkohshme të axhendës së betejës sonë opozitare, duke na detyruar të shtyjmë një javë edhe mbledhjen e planifikuar të Asamblesë Kombëtare për krizën e demokracisë e të shtetit të së drejtës, kjo do të thotë vetëm se ne besojmë tek një politikë e re që radhën e punëve e përcakton në bazë të interesave e nevojave të njerëzve e të vendit tonë.
Sot jam këtu për t’i bërë një apel të gjithë atyre që janë përfshirë në Gërdecin e Veriut. Po përpiqeni të zhdukni provat që tregojnë se jo zemërimi i Zotit, po ju, njerëzit e paguar nga populli për të prodhuar energjinë elektrike, në poste kyçe drejtuese, politike e teknike, jeni shkaktarët e Gërdecit të Ujit që këputi në mes mijëra familje shkodranësh, zgjeroi e thelloi gropën e zezë të buxhetit të këtij shteti të shkatërruar, u faturoi të gjithë taksapaguesve shqiptarë një tjetër çmim të pamerituar të keqqeverisjes së Sali Berishës.
Mos e bëni, është e kotë.
Nuk i keni bindur dot të gjithë ata që duhet të marrin pjesë në falsifikimin e tmerrshëm, por mesa duket nuk duan që të gjithë të përfundojnë në prokurori e gjykatë, si rrogëtarët e vegjël të gërdecit me zjarr të 15 marsit 2008, ndërkohë që arkitekti i fabrikës së vdekjes është në krye të qeverisë.
Dikush iu ka dalë nga rreshti, teksa të zënë në panikun e hajdutit që i bie valixhja e grabitur nga dora e i hapet në mes të bulevardit, përgënjeshtronit paturpësisht jo vetëm opozitën, po edhe njëri-tjetrin, për faktet e shifrat rrëqethëse që janë tanimë në duart tona.
Ja ku janë, që të gjitha çfarë keni bërë me vetëdije të plotë, me sytë mbyllur, me veshët shurdh, me një gjakftohtësi karakteristike për veprimtaritë e organizuara kriminale, për ta shkaktuar Gërdecin e Ujit duke u bërë shqiptarëve dhuratën më të zymtë teksa hynin në vitin e ri pa marrë as rrogat e vitit të vjetër.
Ja ku janë provat edhe për gjithshka nuk keni bërë për ta ndaluar fatkeqësinë e duarve tuaja, sikur thjesht të kishit respektuar Rregulloren perfekte mbi shkarkimin e plotave në hidrocentralet, dokument i shkruar njëzetedy vjet më parë nga profesorë të nderuar, që njëherë thatë nuk e njihni se keni rregullat tuaja, pastaj thatë e keni Bibël.
Por fatkeqësisht edhe atë bibël në duart e një prifti vetëm nga emri e të një xherahu, që ka zënë vendin e zotit në punët e këtij shteti të mjerë, e kthyet në një letër pa vlerë.
I falënderoj publikisht, edhe pse jo dot me emër, ata njerëz që nuk u bënë pjesë e përpjekjes për fshehjen e provave përmes manipulimit të dokumenteve zyrtare dhe e nxorën të vërtetën nga rrethimi i pushtetit që jeton prej ditësh me ethet e zhdukjes së saj.
Ndryshe nga Sali Berisha që shpif duke tundur letra që shkruajnë tjetër gjë nga çfarë ai thotë, unë nuk do të tund këtu asnjë letër, por do t’i ftoj të gjithë shqiptarët të ndjekin, ditën e dielë në orën 10.30, prezantimin e provave të fajësisë së plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it, për mbytjen me ujë të mijëra shtëpive e hektarëve toka të mbjella, duke provokuar tmerrin e mijëra familjeve e ankthin e një populli të tërë për fatin e atyre fatkeqëve. Për të cilët një tjetër lloj tmerri do të fillojë me rikthimin në shtëpi.
Kemi dëgjuar e do të dëgjojmë shumë për Shqipërinë që ndryshon, të dielën paradite në orën 10.30, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Partia Socialiste do t’u tregojë shqiptarëve pse sot e gjithë ditën Shkodra noton. Jo për t’u argëtuar, po për të shpëtuar.
*****
Dy dite me pare prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për përmbytjet masive në këtë zonë, duke verifikuar dokumentacionet e KESH-it mbi shkarkimet në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe Komanit që janë në juridiksionin e këtij qarku.
Organi i akuzës reagoi pas denoncimeve të opozitës se përmbytja nuk ishte një fatkeqësi natyrore por njerëzore, pasi kaskada e Drinit ështe keqmanaxhuar.
Pikërisht këtu ka nisur edhe verikimi i prokurorisë tek shkresat e KESH-it, mbi shkarkimet, prurjret dhe të dhënat të tjera që ky institucion disponon për tre HEC-et mbi kaskadën e Drinit.
Burime jozyrtare thonë se hetues të kësaj prokurorie kanë kërkuar nga KESH-i, të gjithë dokumentat për hidrocentralet. Gjithsesi ende nuk ka një informacion zyrtar për këtë. Zyrtarisht organi i akuzës thotë se hetimet mund të nisin pasi të kapërcehet situate kritike në Shkodër dhe aktualisht po kryhen verifikime per kete ceshtje.
*****
INTERVISTA/ Balla:Ekzistojnë prova që vërtetojnë shkeljen e rregulloreve të digave
Partia Socialiste është e bindur se situata e rëndë e krijuar në Veri-Perëndim të vendit është pasojë e keqmenaxhimit të ujërave të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit dhe për këtë arsye ajo kërkon me forcë nga ana e prokurorisë që të nisë sa më parë hetimet për përgjegjësit e saj, kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti.
Është deputeti socialist, Tauland Balla, ai që bën një analizë të situatës, duke konstatuar se në mënyrë të qëllimshme ekzekutivi grumbulloi një sasi të madhe uji në basenet e hidrocentraleve, duke rrezikuar jetën e banorëve të Shkodrës. Nga ana tjetër, Balla bën të ditur se PS-ja nuk heq dorë nga beteja e saj për votën e lirë, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se mandatet e deputetëve aktual të opozitës nuk mund të preken.
Z. Balla, keni deklaruar dy ditë më parë se Berisha dhe Prifti kanë vënë në rrezik me paramendim sigurinë e kaskadës hidroenergjetike mbi lumin Drin, duke urdhëruar shkeljen e disa neneve të Rregullores së Shkarkimit. Cilat nene konkretisht janë shkelur dhe çfarë provash konkrete disponon PS-ja se kjo përmbytje, siç jeni shprehur juve, përbën vepër penale e pastër abuzimi?
Unë deklaroj me përgjegjësi të plotë, se nga të gjitha informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën, si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjesh në këtë zonë.
Në këtë vepër penale, është tërësisht e qartë për të identifikuar si shkelës të ligjit dhe persona fajtorë sipas hierarkisë së përgjegjësive Kryeministrin e votave të vjedhura Sali Ram Berisha dhe ministrin e qeverisë së martesës së interesave Dritan Prifti.
Të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tretë kanë vënë në rrezik, me dashje dhe paramendim, sigurinë e kaskadës hidroenergjetike mbi lumin Drin, duke urdhëruar shkeljen në disa nene të Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
Liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin u frynë në mënyrë të qëllimshme, për të mos prodhuar energji, por për t’i zbrazur mbi Shkodër, ndërkohë që energjinë Shqipëria duhet të vazhdojë ta importojë nga Serbia. Ne importuam dhe vazhdojmë të importojmë energji nga Serbia, megjithëse në Shqipëri mund të prodhonim mjaftueshëm.
Rregullorja u shkel shumë ditë më parë, sepse u bllokua me qëllim prodhimi i energjisë, për të vazhduar importin duke çuar në një super mbushje të baseneve ujëmbajtëse të hidrocentraleve dhe derdhjen e tyre shkatërruese mbi Shkodrën e pambrojtur.
KESH-i gënjeu në mënyrë të turpshme, duke thënë se shkarkimet në Fierzë filluan më datë 30 dhjetor në kuotën 285.9 metra, ndërkohë që disponohen dokumente zyrtare për fillimin e shkarkimeve më datën 2 janar, kur niveli kishte arritur 293.2 metra. Po të ishte respektuar Rregullorja, hidrocentrali i Fierzës do të kishte prodhuar 457.638 MWh energji elektrike dhe jo këtë përmbytje apokaliptike.
Nëse do ta vlerësojmë me çmimin minimal këtë energji të derdhur dhe shndërruar në burim katastrofe, humbja për shqiptarët është 3 miliardë e 523 milionë lekë të reja ose 35 milionë dollarë të shpërdoruara vetëm duke mos e përdorur ujin në kohën e duhur për energji.
I keni përsëritur institucionit të akuzës, kërkesën për fillimin e hetimeve për situatën e krijuar. Nisur nga puna e deritanishme e organit të akuzës, a mendoni se për përmbytjet do të ketë një reagim nga ana e këtij organi?
Unë shpresoj dhe bëj apel që institucioni i akuzës të bëjë detyrën në një kohë sa më të shpejtë për të hetuar shkaqet që çuan në këtë katastrofë dhe personat përgjegjës të implikuar në autorësi direkte ose indirekte në këtë vepër penale.
Hetimi duhet të kishte filluar që në datën 2 Janar për administrimin nga institucioni i akuzës të provave materiale që lidhen me urdhrat për hapjen e portave kryesisht procesverbalet e parashikuara në Rregulloren e Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
Prokuroria nuk duhet të hezitojë të hetojë këtë katastrofë, për aq kohë që si indicio hetimi është dëmi prej 70 milionë eurosh deri më tani apo shkeljet e Rregullores së Shkarkimit të Plotave në Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
Megjithatë unë besoj se Prokuroria duhet të ketë filluar hetimin po të kemi parasysh mënyrën e funksionimit të institucionit të akuzës. Është rasti t’i kujtojmë Prokurorisë që Dosja “Përmbytja e Shkodrës” të mos ketë të njëjtin trajtim sikur dosja e rrugës Durrës-Kukës apo dosja e Gërdecit.
Si do t’i vlerësonit masat e ndërmarra deri më tani nga ana e qeverisë për situatën e përmbytur në Veri të vendit? A e ka menaxhuar siç duhet këtë situatë?
Reagimi i deri më tanishëm nga strukturat shtetërore ka treguar shumë diletantizëm dhe mungesë të plotë efikasiteti për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga katastrofa.
Së pari, është i pashpjegueshëm dhe e përsëris ndoshta e qëllimshme nga ana e Sali Berishës hezitimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonën e përmbytjes dhe rreth saj. Së dyti, qoftë qeveria dhe po ashtu edhe Komiteti Ndërministror i Emergjencës nuk miratuan asnjë dokument për Planin e Menaxhimit të Situatës apo Rregulloren e Evakuimit, Sistemimit dhe Ndihmës së Përditshme.
Gjithçka iu la spontanitetit, madje në ditë të veçanta dukej qartë që gjithçka bëhej për protagonizëm personal në një ekran dilte Xhozefina duke çuar 80 gramë vaj, në ekranin tjetër Lul Basha shpërndante nga një gjysmë qiriu. Unë po flas për plan dhe rregullore, por kjo qeveri edhe sot pas më shumë se dhjetë ditë përmbytjesh nuk ka një dokument të shkruar për menaxhimin e situatës.
Nga ana e mazhorancës (përfshi edhe kryeministrin e vendit) është theksuar se brenda 7 Marsit në rast se grupi parlamentar i PS-së nuk futet në Kuvend, mandatet do të digjen. Cili është mekanizimi ligjor që ju do të përdorni për të kundërshtuar një tezë të tillë?
Në radhë të parë, në frymën e parimeve të demokracisë përfaqësuese, dua t’i kujtoj Kryeministrit të votave të vjedhura se mandatet tona si përfaqësues legjitimë të votuesve tanë në Kuvendin e Shqipërisë as nuk mund të fyhen dhe as nuk mund përçudnohen nga një njeri me deficite të theksuara në njohuritë bazë të shtetit të së drejtës dhe kulturës politike demokratike.
Sali Berisha dhe klani i tij janë përfshirë në një maskaradë presioni politik dhe financiar përkundrejt deputetëve të zgjedhur të Partisë Socialiste me qëllim ndërprerjen e veprimit politik të Partisë Socialiste që ka kushtëzuar marrëdhënien tonë me Kuvendin e Shqipërisë, përmes bojkotit të Kuvendit deri ditën që ne do të kemi garanci të plota për hetimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Të gjithë duhet ta kuptojnë se marrëdhënia e kushtëzuar me institucionin e Kuvendit të Shqipërisë është një veprim krejtësisht demokratik dhe se ne jemi në politikën shqiptare për të mbrojtur demokracinë nga këta hajdutë votash, pronash, tokash dhe parash publike.
Së dyti, në frymën e Kushtetutës, më lejoni t’i kujtoj Berishës, se mandatet e deputetëve socialistë të zgjedhur më 28 Qershor janë të shpallura, për aq kohë që ka një vendim të KQZ-së dhe të Komisionit të Verifikimit të Mandateve të Kuvendit të Shqipërisë.
Duke iu referuar edhe një analize juridike të bërë nga kolegu Fatmir Xhafaj, mund t’ju them se askush nuk mund të kundërshtojë faktin se ne jemi deputetë të ligjshëm të Kuvendit, gëzojmë mandatin me statusin ligjor përkatës, por ende nuk e kemi bërë efektiv këtë mandat në funksion të ushtrimit të detyrave e përgjegjësive tona kuvendore për shkak të mosbërjes së betimit, çka do të thotë që ne nuk mund të kemi të drejtën e iniciativës ligjvënëse, të votimit, të ankimit në Gjykatë Kushtetuese etj.
Kjo është më se e kuptueshme dhe ligjore për sa kohë vetë kushtetuta (interpretimi i neneve 65/1, 71, 72 dhe 74/1) ka parashikuar një mospërputhje kohore midis fillimit të mandatit individual dhe fillimit të ushtrimit të mandatit kolektiv. Një gjë duhet të jetë e qartë për Sali Berishën, që mandatet që na ka dhënë populli, nuk mund të na i prekë dot as Sali Berisha e askush tjetër.
Ne po kërkojmë të hetojmë mandatet e tjera që na janë vjedhur, Sali Berisha kujton se mund të na prekë mandatet që kemi fituar. Ta harrojë dhe as të mos ta provojë.
Çdo të bëhet me kutitë e votimit? A do të ndjekë PS-ja ndonjë strategji të re, duke pasur parasysh se me protestat e deritanishme, Berisha i ka thënë “jo” kërkesës kryesore të opozitës për transparencën e zgjedhjeve?
Partia Socialiste nuk do të tërhiqet nga kërkesa legjitime për transparencën e plotë të procesit zgjedhor të 28 Qershorit. Asgjë nuk mund të na ndalë nga ky angazhim solemn dhe historik që ne kemi marrë para zgjedhësve tanë dhe qytetarëve shqiptarë në tërësi.
Kjo nuk është më çështje kush ka qeverinë apo kush do ta marrë qeverinë, këtu shtrohet çështja se sot nuk kemi demokraci dhe ne duhet të rikthejmë demokracinë.
Ne nuk mund të bëjmë zgjedhje tjetër, përveç përdorimit të çdo mjeti demokratik që rikthen në Shqipëri demokracinë. Ndërsa Saliu ka dy zgjedhje: ose të hapë kutitë, ose të largohet.