Rama: E keqja kaloi, shmangëm një buxhet me austeriteti me masa të dhimbshme

0
41

Rama, mesazh për biznesin e madh: Sa mirë që e vratë frikën. Do u shlyejmë 350 milionë dollarë borxhe.

– Kryeministri komenton sërish taksën për karburantin: Do garantojmë të ardhura për kontroll shëndetësor falas për 800 mijë njerëz

Kryeministri Edi Rama foli në grupin parlamentar të Partisë Socialiste për buxhetin e vitit që vjen.

Rama tha se pas 99 ditësh në pushtet, ata kanë ndërtuar buxhetin e kthesës.

Rama pranoi se buxheti mund të ishte më i dhimbshëm për qytetarët, por ata e kanë shmangur një buxhet austeriteti.

“Sot e gjykoj shumë të rëndësishme që këtë kontakt ta bëjmë të hapur edhe për publikun sepse duam që shqiptarët ta dinë se kemi arritur të ndërtojmë buxhetin e kthesës dhe të rimëkëmbjes ekonomike.

Kemi trashëguar një katrahurë financiare dhe një vend të gjunjëzuar ekonomikisht nga një hemorragji borxhesh dhe vetëm në 99 ditë kemi arritur të bëjmë për Shqipërinë zgjidhjen e duhur jo vetëm për ndalimin e hemorragjisë, por për rimëkëmbjen e qëndrueshme të ekonomisë familjare të njerëzve të zakonshëm,” tha Rama.

“U kemi thënë shqiptarëve që prisnim me të ardhur në qeveri edhe një gjendje më të rëndë nga ajo që shihej.

Sot, 99 ditë pasi kemi shqyrtuar librat e llogarive të shtetit dhe aktet e atyre që në emër të shtetit kanë punuar në dëm të shtetit, ndjehemi mirë jo vetëm që nuk kemi gabuar, por që kemi bërë zgjedhjen dhe zgjidhjet e duhura për t’ia rikthyer njerëzve pushtetin legjitim.

I kemi dhënë fund ecjes symbyllur drejt greminës financiare, njësoj si në vitet e mbrapshta të Sudes dhe Rrapushit, këtë herë pasojë e një piramide borxhesh që ne do e rrafshojmë.

Kemi hartuar një projekt- buxhet solid dhe kemi shmangur mundësinë reale të një programi tipik austeriteti siç ka ndodhur në vende të tjera më të forta se Shqipëria dhe kemi ndërtuar një program fleksibël të rritjes ekonomike që do na japë që vitin tjetër shenjat e daljes nga katrahura,” vijoi kryeministri.

Rama u tha se pavarësisht se kanë 99 ditë në pushtet, ata do japin llogari për premtimet e tyre në fund të katër viteve. Ai u shpreh se e keqja ka kaluar.

“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë dhe ne do e themi fort: në kushtet kur padurimi i njerëzve pas kaq vitesh rrënim, bëri që njerëzit të bien shpesh në kurthin e zhgënjimit të paarsyeshëm, ne nuk e kemi thënë që për tre muaj do bëhen realitet të gjithë ato për të cilat jemi zotuar për të qeverisur në katër vjet. Kush kërkon nga ne në kaq pak kohë, ka të gjithë të drejtën e vet, por ne do japim llogari në fund të mandatit tonë.

Megjithatë, sot, pas vetëm 99 ditësh në krye të vendit, jam i gatshëm t’i shoh në sy shqiptarët, në radhë të parë ata 1 milion që votuan Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe t’u them se më e keqja ka kaluar.

Një rrugë e re nis me miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të buxhetit dhe sistemit të ri të taksimit, që ndan qartësisht të shkuarën nga e ardhmja. Çdo qytetar që jeton me punë të ndershme dhe me një rrugë deri në 1.3 milion duhet të ndjehet mirë për rezultatet e 23 qershorit, sepse do ketë në xhep më shumë para nga ulja e taksave për 95 përqind të të punësuarve. Madje janë 97 përqind ata që do përfitojnë uljen e taksës mbi fitimin”.

Rama vlerësoi edhe rritjen e pagave për policët, duke garantuar se rritja do të vazhdojë.

“Cinikët janë tallur me ne kur kemi thënë se do bëjmë zero taksën e biznesit të vogël. Le të më shohin në sy dhe ta dëgjojnë qartë: nga 1 janari, taksa e biznesit të vogël do jetë zero. Nga janari do ketë vetëm një taksë, tatimi mbi fitimin, dhe madje edhe ky tatim ulet me 25 përqind dhe ulje të konsiderueshme të sigurimeve shëndetësore të të vetëpunësuarve në qytet,” tha Rama.

“Do të barazojmë çmimet e ilaçeve që shiten në Shqipëri me çmimet e ilaçeve në vendet e origjinës,” premtoi kryeministri.

Duke folur sërish për çmimin e karburantit, Rama tha: “Po flitet për një apokalips që do të vijë së shpejti për shkak të këtyre dhjetëve lekëve, që dalin nga xhepi i atyre që kanë mundësi të kenë një makinë dhe që shkojnë drejtpërdrejt për të mbrojtur më mirë mjedisin, për të ulur ndotjen, për të lehtësuar qarkullimin në Tiranë dhe qytetet e mëdha dhe për të filluar rrugën që shërbimi shëndetësor të jetë një e drejtë e garantuar për të gjithë”.

Rama tha se të ardhurat nga kjo taksë do të garantojnë kontrollin shëndetësor falas për 800 mijë njerëz.

Rama tha se vlerëson faktin që opozita tani bën takime me biznesin e madh, pasi kur PS ishte në opozitë, asnjë biznesmen nuk pranonte të dilte në tryezë me ta nga frika e pushtetit.

Rama e quajti arritje vrasjen e frikës për biznesin.

“Në radhë të parë, rritja e tatimit të fitimit nga 10 në 15 përqind nuk duhet trajtuar nga askush si një rrufe në qiellin e pastër se ka qenë e qartë për të gjithë se kush fiton më shumë, do paguajë më shumë. Nga ana tjetër dua t’u them se ata do të paguajnë më shumë jo për të tjerët, por në radhë të parë për veten dhe këputjen e atij zinxhiri që u ka lidhur këmbët me borxhet, pasi kjo qeveri fillon nga janari shlyerjen e tyre,” tha Rama.

“Brenda vitit të ardhshëm ne do u kthejmë kompanive 350 milionë dollarë për shërbime e punë të papaguara. Përndryshe, këto para nuk do i kishin marrë kurrë në kushtet kur bankat nuk u japin asnjë kredi”./ep