Rama: Drejtësia ka vdekur. Opozita do të ndërmarrë një aksion të gjerë për ringjalljen e saj

0
99

TemA

Kreu i opozitës, Edi Rama, ka reaguar pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për rrëzimin e ankesës së Partisë Socialiste.

Rama ka thënë se sot fjalët janë të tepërta, pasi tashmë të gjithë e panë që drejtësia ka kapitulluar përfundimisht.

Sipas Ramës, të gjithë në vend, duke filluar nga qytetarët, mediat dhe ndërkombëtarët, e dinë se kush është fituesi i vërtetë i zgjedhjeve në Tiranë.

Rama bëri me dije se opozita do të ndërmarrë një aksion të gjerë, në mënyrë që të ringjallë drejtësinë.

“Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse Kolegji Zgjedhor vulosi një grabitje të dhunshme ditën për diell dhe, sy për sy, përpara një populli të tërë, nxori humbësin fitues duke bërë qorrin e shurdhin si në çdo regjim pa drejtësi.

Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse të gjithë e dinë të vërtetën e zgjedhjeve në Tiranë, edhe qytetarët, edhe gazetarët, edhe ndërkombëtarët, edhe gjyqtarët, edhe kusarët.
Sot fjalët tona janë të tepërta,sepse akti i Kolegjit Zgjedhor flet më shumë se çdo fjalë për kapitullimin pa kushte të drejtësisë, nën trysninë e një pushteti kusarësh e matrapazësh që i lejojnë vetes çdo gjë dhe nuk ndëshkohen për asgjë.

Sot fjalët e çdo shqiptari që nuk vjedh janë të tepërta, sepse sot çdo hajdut ka të drejtë ta festojë lajmin që vjedhjen në Shqipëri ligji mund ta dënojë sa të dojë, po gjykata mund ta lejojë kur të dojë.

Sot fjalët janë të tepërta, sepse drejtësia në Shqipëri ka vdekur.
Ndërsa opozita do të flasë me një aksion të madh popullor për të ringjallur drejtësinë dhe shpëtuar Shqipërinë nga pengmarrësit e saj,” tha Rama.

————————–

Braçe u përgjigjet ambasadorëve: Vjedhja s’është interes kombëtar

Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka reaguar në lidhje me deklaratat e disa ambasadorëve ndërkombëtarë në Tiranë, të cilët kanë thënë se interesat kombëtare duhet të vihen në radhë të parë. Braçe ka shkruar në profilin e vet në Facebook se të vjedhësh nuk është interes ndërkombëtar.

Nuk dua të dëgjoj më të huaj. Asnjërin prej tyre. Nuk i besoj më. Ishin aty, numëruan deri në votën e fundit, publikisht e llërë jashtë. Bënë mbledhjet dhe panë fituesin. E uruan dhe i thanë të përmbahej. Po na tregojnë interesin kombëtar?! Vjedhja s’është interes kombëtar”, ka thënë zoti Braçe.