Ekskluzive, Dita, 4 Korrik 2013
Shkrimtari, publicisti dhe historiani amerikan, Peter Lucas, në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’ analizon zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Z.Lucas është një njohës i mirë i historisë sonë dhe i zhvillimeve politike të dy dekadave të fundit. “Shqiptarët votuan për shpresën, duke kundërshtuar status quo-në e lodhur të Sali Berishës – komenton Lucas.
“Unë nuk jetoj dhe as votoj në Shqipëri, kështu që unë e bëra një praktikë që të mos komentoja mbi ngjarjet politike ndërkohë që zhvillohej fushata zgjedhore, edhe pse më ishte kërkuar shpesh për të dhënë ndonjë mendim. Unë isha në Tiranë në muajin maj të këtij viti dhe iu shmanga intervistave. Por zgjedhjet tashmë janë bërë, kështu që unë ndjehem i lirë për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja për gazetën ‘DITA’ – thotë fillimisht ai. Dhe më pas u përgjigjet pyetjeve tona:
– Zoti Lukas, sa të rëndësishme janë sipas jush zgjedhjet që u zhvilluan në Shqipëri më 23 qershor?
Së pari, unë mendoj se rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit i dhanë frymëmarrje, i dhanë ajër të freskët Shqipërisë, është si një mëngjes i ri për Shqipërinë. Populli shqiptar ka një mundësi e re për të sjellë ndryshime reale, ndryshime që duhet të kishin ndodhur në vend kohë më parë. Shqipëria në këto zgjedhje tregoi se ka pjekuri politike për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe kjo është shumë mirë. Tani ajo duhet të tregojë gjithashtu se është një vend që mund të qëndrojë në këmbët e veta. Sigurisht, Shqipëria do të vazhdojë të ketë nevojë për mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, të cilat për vite me radhë e kanë mbështetur dhe kanë ndikuar në vend. Por Shqipëria duhet gjithashtu t’i tregojë botës se ajo është një vend që është gjithashtu në gjendje të mendojë për vete dhe të ndërtojë të ardhmen e vet. Një vend fiton respekt kur qëndron mbi këmbët e veta dhe bën më të mirën e mundshme.
– Ju e njihni mirë ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin Berisha. Kini shkruar gjatë për të në librat tuaj. Si e komentoni këtë disfatë të tij dhe çfarë mendoni për kryeministrin e ri, Edi Rama?
– Unë mendoj se shqiptarët votuan për shpresën duke kundërshtuar status quo-në e lodhur të Sali Berishës. Dhe nëse Edi Rama si kryeministër do të mund të bëjë për Shqipërinë atë që bëri për Tiranën, kur ai ishte kryebashkiak, unë besoj se morali i popullit shqiptar do të ngrihet lart, statusi i vendit do të përmirësohet në një masë të madhe dhe Bashkimi Evropian do të vijë të trokasë në derë. Edhe Shtetet e Bashkuara do të jenë më pranë.
Si e shikoni të ardhmen e vendit pas këtyre zgjedhjeve dhe për çfarë ka nevojë urgjente Shqipëria?
Unë shikoj shpresë aty ku nuk kishte shpresë. Shqipëria ka nevojë për liderë politikë guximtarë dhe me integritet, asaj i duhen liderë që mund të çrrënjosin korrupsionin politik. Ajo ka nevojë për sundimin e ligjit dhe respektimin e shtetit. Por këto gjëra vijnë vetëm kur një vend është i drejtuar nga udhëheqësit që ngrihen mbi dyshimin.Shqipëria ka nevojë për udhëheqje të ndershme, liderë që udhëheqin me shembullin e tyre.
Çfarë do t’i këshillonit përshembull Edi Ramës, si veprime, apo inisiativa të para?
Unë e kam një ide për këtë… Duke njohur nga afër Shqipërinë, unë mendoj se gjëja e parë që Rama duhet të bëjë është të mbyllë të gjitha kazinotë dhe lokalet e lojërave të fatit që tashmë ekzistojnë në të gjitha lagjet, duke gllabëruar edhe lekun e fundit nga njerëz të cilët mezi mund të përballojnë jetën për të ushqyer familjet e tyre. Rama duhet të bëjë me kazinotë atë që bëri ndaj kioskave të shëmtuara duke rivendosur dinjitetin për kryeqytetin. Rama duhet t’ua lërë kumarin kumarxhinjve, e jo njerëzve të thjeshtë. Kazinotë janë për turistët, njerëzit kanë nevojë për punë, jo për ruleta.
Gjëja e dytë që ai duhet të bëjë është të zhveshë të gjithë politikanët nga makinat e tyre në pronësi të shtetit dhe t’i bëjë ata të ecin në këmbë për të shkuar në punë, apo të marrin autobusin, ashtu siç bëjnë njerëzit e zakonshëm. Ajo çfarë Tirana nuk ka nevojë janë që anëtarët e parlamentit, si një shtresë elitiste, kapardisen me pozitat e tyre duke u vërdallosur nëpër Tiranë me Mercedesa të shtrenjtë, me shoferë dhe të kompletuar me truproja, sikur të ishte autokolona e Obamës.
Duken ndryshime simbolike…
Këto ndryshime mund të duken simbolike, por simbolizmi është bashkëshoqërues në këtë botë. Nëse ju keni marrë pushtetin duke u mbështetur në krahët e shpresës dhe ndryshimit, ju duhet t’i dorëzoheni këtij ndryshimi sa më shpejt, edhe simbolikisht, me të gjitha mënyrat. Nëse jeni duke shkuar për të marrë përgjegjësinë, merrni përgjegjësinë. Ju do të gjeni është se ndryshimet e vogla mund të çojnë drejt ndryshimeve të mëdha dhe të qëndrueshme.
23 qershori që do ishte fatal dhe dramatik për karrierën e cilitdo politikani. Berisha nuk duket nga ata që u binden këtyre rregullave politike. Ju si e shihni të ardhmen e tij?
– Sigurisht, Sali Berisha do të mbetet në politikë. Politika është jeta e tij. Dhe Shqipëria është Shqipëri, Kryeministri Edi Rama do të ketë mundësi të bëjë për Berishën atë çfarë Berisha i bëri atij. Hakmarrja, sikurse thuhet shpesh, është një bushtër.
Biseda e një mesnate tetori ’96 në zyrën e Berishës: Pas meje, u bëftë kiameti (!)
Nga Peter Lucas
…. Isha vetëm në dhomën time në hotel “Dajti”, kur personeli më njoftoi se kisha një mesazh. Ishte tetori i vitit 1996. Presidenti Berisha donte të më takonte dhe do dërgonte një makinë për të më marrë. Ishte vonë, rreth orës 11 të natës. Ai e dinte se doja ta takoja për të shkruar artikuj, por u çudita që më kishte thirrur në një orë të tillë. U vesha dhe u ula poshtë ku hipa në makinën, e cila do më dërgonte në pallatin presidencial në një majë kodre pranë Varrezave të Dëshmorëve…
Në 1996-n Berisha ishte krenar për fushatën ala-amerikane plot me grupe rock-u dhe vizitat e stuhishme në fshatrat e humbura. Ai dhe PD-ja kontrollonin kohën televizive në vend dhe PS-ja nuk mund të bënte asgjë rreth kësaj. Berisha, thjesht i mbajti socialistët jashtë televizionit krejt si Alia dhe komunistët ishin përpjekur për të lënë jashtë Berishën dhe demokratët në 92-shin. Por ai nuk mund të bënte asgjë rreth artikujve negativë të botuar në “The New York Times” dhe “Washington Post”. Kjo nuk kishte rëndësi, pasi kundërshtarët e tij ishin të gjithë komunistë, tha Berisha. Prapëseprapë, batica dukej se shkonte kundër tij pas humbjes në referendumin për Kushtetutën. Referendumi u interpretua si provë për presidencën, qeverinë dhe PD-në. Rezultati ishte një humbje dërrmuese për Berishën teksa 55 për qind e njerëzve votuan kundër projektkushtetutës. Shtetet e Bashkuara filluan të distancoheshin nga heroi i tyre i dikurshëm.
Atë natë, Berisha dukej se ende ishte nën dhimbjen e shkaktuar nga qëndrimi i shtypit europian dhe amerikan, i cili vinte në dukje se zgjedhjet e 26 majit ishin të pandershme dhe pasqyronte shtypjen prej Berishës të demonstruesve socialistë dhe arrestimit të tyre pak para zgjedhjeve. Vëzhguesit perëndimorë të zgjedhjeve, ashtu si dhe vëzhguesit e OSBE-së, kritikuan procesin duke i cilësuar pjesërisht të parregullta.
Zgjedhjet ishin gjithçka për të cilën Berisha donte të fliste. U ula me të në një dhomë ngjitur me zyrën e tij, duke marrë shënime. Ishim vetëm dhe ai filloi të performonte çka mund ta përshkruaj vetëm si monolog kundër komunistëve.
Askush në Shqipëri në 1996-97-n nuk ishte komunist. Komunizmi kishte vdekur. Kishte vdekur me mundjen e Ramiz Alisë dhe ata pak komunistë në qarkullim ishin tani socialistë. Megjithëse Berisha kishte qenë vetë komunist, ai tani e shihte veten si demokrat, roli i të cilit ishte mbrojtja e demokracisë nga komunizmi edhe nëse përreth nuk kishte më komunistë prej të cilëve duhet të mbroheshe. Ishte bizare dhe hutuese.
“Nëse futesh thellë në teorinë e komunizmit do të gjesh se është i papërputhshëm me demokracinë”, tha ai. “Komunistët shqiptarë e treguan këtë në mënyrën më perfekte me bojkotimin e zgjedhjeve. Ata bojkotuan demokracinë”, tha ai.
“Këto zgjedhje janë një ditë historike në jetën e Shqipërisë. Shqiptarët mundën mbeturinat e komunizmit. Njerëzit votuan për rrënjët e tyre, vlerat dhe të ardhmen e tyre kur votuan për Partinë Demokratike. Ata votuan për të respektuar vlerat e tyre. Zgjedhjet ishin të suksesshme. Nuk kishte ndonjë rast konkret të dhunimit të ligjit të zgjedhjeve. Nuk do të gjesh asnjë rast dhunimi. Të gjitha rregullat dhe procedurat u respektuan. Këto akuza bëhen nga grupe marksiste-leniniste. Ata janë peng i së kaluarës”.
Biseda i përkiste një bote ireale e të pakapshme. Askush gjatë fushatës, me sa dija unë, nuk kishte përmendur Marksin, Leninin apo Stalinin e ndonjë tjetër nga panteoni i udhëheqësve komunistë.
A shqetësohej nga pasqyrimi negativ i zgjedhjeve në median perëndimore?
“Përfundimisht, jo. Të jesh i sigurt. Historia nuk bëhet nga shtypi. Por në të njëjtën kohë, unë preferoj ta kem shtypin në anën time. Dhe ne nuk kemi qëllim tjetër përveçse të jemi të hapur me shtypin. Unë do vazhdoj të jem i hapur”, tha Berisha duke tundur kokën në shenjë miratimi.
“Zgjedhjet patën disa komplikacione, por qenë të ndershme e të hapura. Fëmija i demokracisë u lind. Është i shëndetshëm dhe do të rrojë gjatë,” tha ai. Heshti për një çast dhe pa nga gota e tij bosh. Pat folur anglisht… “Tani na duhet të konsolidojmë demokracinë në Shqipëri, ose…” pastaj duke e kthyer në frëngjisht shtoi: “Après moi, le deluge!” (*Pas meje, le të bëhet kiameti. (fr.)
E ngrita kokën nga shënimet. “Çfarë?” pyeta për të qenë i sigurt në atë që tha.
“Après moi, le deluge”.
Kiameti erdhi, pa e pritur që ai të largohej…”
*Shkëputur nga libri “Rrumpalla” i Peter Lucas
Njeriu i Kiametit dhe profecia e Peter Lucasit
Xhevdet Shehu
Shkrimtari dhe gazetari i shquar amerikan Peter Lucas, në këtë intervistë për ‘DITA’ bën një profeci: “Kryeministri Edi Rama do të ketë mundësi të bëjë për Berishën atë çfarë Berisha i bëri atij. Hakmarrja, sikurse thuhet shpesh, është një bushtër”. Me këto fjalë e mbyll intervistën e tij Piteri.
Shqiptarët që kanë lexuar librat e tij, kanë vënë re një fakt që sjell Piteri tek libri Rrumpalla. Shprehja e famshme me tingëllim tejet negativ “Pas meje, u bëftë kijameti!”, (në frëngjisht “Après moi, le deluge!”) i përket Luigjit të 14-të Francës. Njeriu i gjithëpushtetshëm që e sundoi Francën më shumë se çdokush tjetër, në fundin e tij tha pikërisht këtë shprehje, duke simbolizuar ekzistencën e tij me vetë Francën dhe francezët. Thënë me fjalë të tjera, pas ikjes nga pushteti, atij nuk i interesonte asgjë… Le të shuheshin të gjitha! Shprehje që nuk mund ta thotë kurrë për vendin e tij një lider apo një shtetar. Çuditërisht, këtë shprehje e ka përdorur edhe Sali Berisha, ish-Presidenti i vendit në vitet 1992-97. Këtë na e dëshmon Peter Lucas. Në këtë intervistë që botohet sot, Piteri e shmang këtë fakt, pasi nuk i ka për zemër përsëritjet.
Tani jemi në një kohë tjetër. Janë zhvilluar zgjedhjet e 23 qershorit. Berisha ka rënë nga fiku apo nga kali, quajeni si të doni. Ai akuzohet për një sërë krimesh gjatë pushtetërimit të tij. Njerëzit pyesin: A do të ndëshkohet ai ndonjë ditë për mbrapshtitë e tij? Kryeministri që pret të marrë së shpejti detyrën si Kryeministër i vendit, pra Edi Rama në ditën e madhe të fitores më 23 qershor, u shpreh kështu:
“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësin tim, siç edhe ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh ende më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Por, sonte unë dua ta falenderoj atë për çdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se timin sot, dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”.
Pra kemi një nëntekst të mosndëshkueshmërisë. Kjo frazë është tërësisht në përputhje me identitetin politik të Edi Ramës si një njeri që nuk e pëlqen përplasjen dhe konfliktin. Por ajo ndoshta ka shkaktuar një keqkuptim në krahun e atyre që pësuan disfatën e 23 qershorit. Ata e kanë marrë edhe kësaj ehre, njerzillëkun si dobësi. Ndoshta prej këtu buron trimërimi i tyre i pakuptimtë dhe fare i pavend pas mesazhit që populli shqiptar u dha këtë 23 qershor. Por vitet përpara janë të gjatë gjithsesi. Peter Lucasi ka bërë një profeci. A do t’i dalë?
Kush është Peter Lucas
Peter Lucas është një gazetar i shquar amerikan. Prindërit e tij ishin me origjinë shqiptare nga Korça, të emigruar në Shtetet e Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar. Lucas ka punuar si gazetar politik dhe editorialist për “Herald Tribune” “Boston Globe” dhe “Boston Phoenix” duke mbuluar ngjarje në Masaçuset, Uashington dhe krejt Amerikën. Lucas ka raportuar nga Vietnami si edhe nga Kuba, Nikaragua, Salvadori, Hondurasi, Panamaja si dhe nga vendet më të trazuara të Ballkanit dhe nga Irlanda. Peter Lucas është gazetari i parë amerikan që ka vizituar Shqipërinë pas vdekjes së Enver Hoxhës, ndërsa më pas ka qenë me dhjetëra herë në vendin tonë dhe ka shkruar tre libra me temë shqiptare me titujt “Misioni amerikan në Shqipëri”, “Rrumpalla” dhe “Çezari i Ballkanit”.