Rama: Dija nuk është mall, universiteti nuk është biznes. Të ndahemi nga kjo epokë (VIDEO)

0
65


Kryeministri Edi Rama e cilësoi gjendjen e arsimit si një emergjencë kombëtare, ndërsa theksoi se reforma në sistemin arsimor duhet të realizohet sa më parë.

“Nuk duam të bëjmë vetëm një reformë për arsimin e lartë, por të realizojmë një proces që duhet të lidhë dijen me tregun. Është e qartë se pa bërë këtë lidhje, pazari i madh i shit-blerjes së reformave që karakterizon arsimin e lartë nuk mund të transformohet në një industri të rritjes së vlerave dhe dijes”, tha Rama.

Në këtë kuadër ai shtoi se synojmë një mënyrë të re konceptimi dhe funksionimi të arsimit të lartë dhe jo si sot një mur që rritet përditë në rrugën e zhvillimit.

” Të ndajmë dijen nga malli, dija nuk është mall dhe universiteti nuk është biznes. Duhet të gjejmë kurajon të ndahemi përfundimisht nga një epokë që e ka kthyer dijen në mall e universitetin në biznes”, u shpreh Kryeministri.

Ndërsa ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli, vuri theksin në cilësinë me të cilët duhet të realizohet reforma në arsimin e lartë.

“Qëllimi i kësaj reforme është një dhe vetëm një: cilësia në arsim dhe në cilësinë e diplomave dhe ndarja e tyre si shërbim publik, nga biznesi. Kjo është politika më e mirë ekonomike dhe që i shërben një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, tha Nikolla gjatë prezantimit të platformës për reformimin e arsimit universitar.

Duke e konsideruar arsimin një çështje që i përket të gjithëve, ajo u shpreh se reforma duhet të mbështetet mbi parimin e gjithëpërfshirjes të të gjithë aktorëve.

Reforma në arsimin e lartë nuk ka si të jetë vetëm reformë e qeverisë, pasi ajo i përket të gjithëve dhe i prek të gjithë”, tha Nikolla.