Rama-Berisha, darka e Strasburgut pa rezultat

0
75

BE:Ju lëmë 2 javë kohë

Shekulli, 21.05.2010

Berisha vs. Rama

UPDATE – “Darka e fundit” dhe më e gjata mes kryeministrit Sali Berisha dhe liderit të opozitës, Edi Rama, në Strasburg me praninë e zyrtarëve të lartë të Parlamentit Europian dhe Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka zgjatur tej parashikimeve dhe pa asnjë rezultat. E nisur rreth orës 20:45 në restorant “Krokodili” në Strasburg, palët kanë negociuar deri në orën 02.00 të mëngjesit.

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, kane qenë të parët që dolën mbrëmë pas mesnate, ndërkohë që zyrtarët e lartë të PE-së kanë qëndruar bashkë edhe për 15 minuta të tjera, për t’i dhënë klasës politike shqiptare plot dy javë kohë në gjetjen e një kompromisi. Pikërisht këtë ka deklaruar pas darkës, edhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Në një deklaratë për mediat, Fyle ka deklaruar së ka ende shumë punë për të bërë dhe se klasës politike shqiptare do t’i jepet dy javë kohë për gjetjen e një kompromisi. Për pasojë, sot nuk priten më negociata në Strasburg. Kryeministri Sali Berisha kthehet sot në Tiranë, ndërsa kryetari i PS-së do të kthehet nesër.

Darka
Takimi midis përfaqësuesve kryesorë të forcave politike shqiptare, Kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit Edi Rama me ata të Parlamentit Europian për të zgjidhur krizën politike ka nisur mbrëmë rreth orës 20:45 në hotelin “Krokodili” të Strasburgut. Fillimisht, në orën 20:20 në këtë hotel ka mbërritur kreu i opozitës, Edi Rama, i cili ka qenë i shoqëruar nga deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi.

Në po këtë orë kanë mbërritur nënkryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, kreu i grupit parlamentar të socialdemokratëve në PE, Martin Schulz, komisioneri për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, drejtori për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, Piere Mirel. Përfaqësuesit e opozitës shqiptare dhe ata të Parlamentit Europian kanë pritur për rreth 10 minuta Kryeministrin Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtori i kabinetit qeveritar, Oerd Bylykbashi, si dhe grupi parlamentar demokrat në Parlamentin Europian, i kryesuar nga kreu i Partive Popullore Europiane, Xhozef Daul, si dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan.

Të gjitha palët janë ngjitur në kat të dytë të këtij hoteli, ku janë vendosur në një tryezë të përbashkët, në të cilën u është servirur një ushqim i zgjedhur. Por, përpos menysë së përzgjedhur, Rama dhe Berisha në prani të faktorit ndërkombëtar kanë negociuar gjatë gjithë natës për gjetjen e një kompromisi që ka qenë tepër i vështirë. Të gjithë përfaqësuesit politikë kanë qëndruar në katin e dytë të hotel “Krokodil” në një dhomë të izoluar, ku nuk është lejuar të futet askush përveç personelit.

Ndryshe nga mënyra e komunikimit politik që zhvillojnë në Shqipëri dhe qëndrimit të tyre politik, drejtuesit e forcave politike, Rama e Berisha, gjatë darkës së tyre informale në Strasburg kanë përdorur një gjuhë më të butë komunikimi, duke anashkaluar tonet e larta apo konfliktuale. Hoteli “Krokodil” është emër një historik për europarlamentarët, sepse përveç se ka qenë qendër e takimeve të eurparlamentarëve, në këtë hotel është miratuar më 1984 edhe projekt-traktati i Bashkimit Europian.

****

ora 18:00

Takimi nuk dihet sa do të zgjasë “mbase gjithë natën”, tha pasdite Armin Machmer punonjës i zyrës së shtypit të Martin Schulz, duke komentuar takimin e nivelit të lartë në Strasburg.

Ai theksoi se bisedimet do të jenë të vështira, por megjithatë shpresa për kompromis mbetet e madhe për të gjitha palët pjesëmarrëse. Rezultatet priten dikur nga mëngjesi i ditës së nesërme.

Mbremjen e se merkures Kryetari i Grupit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daule, dhe kryetari i Grupit Parlamentar Socialist në Parlamentin Evropian, Martin Schultz, paralajmëruan Berishën dhe Ramën, me anë të një letre dërguar të dyja palëve se “do të ndërpritet procesi i anëtarësimit evropian të Shqipërisë nëse nuk do të gjendet një zgjidhje e ndershme për krizën politike”.

20 maj

Lideri socialist Edi Rama eshte nisur heret ne mengjes ne drejtim te Strasburgut, ku me ndermjetesine e nderkombetareve do ulet ne nje darke zyrtare me kryeministri Sali Berisha per te gjetur nje zgjidhje kompromisi, qe pritet te nxjerre vendin nga kriza.

Kreu i PS-se, Edi Rama ka mberritur ne aeroport heret ne mengjes dhe pas procedurave eshte nisur me avion drejt Strasburgut rreth ores 06.20 te mengjesit te sotem. Ai shoqerohej nga deputetet Taulant Balla, Vasilika Hysi, Damian Gjiknuri dhe nga nje prej keshilltareve te tij, Endri Fuga.

Shume me pas kreut te PS-se, shefi i qeverise, Sali Berisha ka mberritur ne Aeroportin “Nene Tereza” rreth ores 13.00.

Ulja ne nje tryeze dialogu mes paleve duket se ka marrë udhë pas një letre që komisioneri për zgjerimin e BE-së Stefan Fule u ka nisur dy liderëve kryesorë politik në vend.

Natyrisht para se të arrihej në këtë ndërhyrje përfundimtare gjatë ditës së djeshme mësohet se ambasadorët e institucioneve ndërkombëtare në Tiranë kanë zhvilluar një sërë negociatash me përfaqësues të të dyja palëve, nëpërmjet të cilave duket se është bërë e mundur që të bindin palët, që të nisin dialogun për zgjidhjen e krizës, pikërisht përmes një vizite, që do të zhvillohet sot në Strasburg nga kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i opozitës, Edi Rama.

Me ftesë të Joseph Doul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane të Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europiane, Kryeministri Berisha niset për në Strasburg për të darkuar sot në mbrëmje në orën 20:30 me ta edhe në prani të kreut të opozitës Edi Rama, për të diskutuar natyrisht për gjetjen e zgjidhjes së krizës.

“Me ftesë të zotit Joseph Doul, Kryetar i Grupit të Partisë Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian dhe me ftesë të zotit Martin Schulz, Kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Evropian, Kryeministri Berisha niset për në Strasburg, për të marrë pjesë në një darkë që shtrohet për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha dhe për Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama. Gjatë kësaj darke do të diskutohet gjerësisht mbi rrugët dhe mbi mënyrat për t’i dhënë fund ngërçit politik në Shqipëri”, – thuhet në njoftimin për shtyp të kryeministrisë.

Por ajo që në sitin e kryeministrisë nuk përfshihet është emri i Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, prania e të cilit në këtë darkë është konfirmuar nga dy partitë kryesore në vend.

Por duket se negociatat për ti mbushur mendjen dy liderëve politikë shqiptarë nuk kanë qenë të lehta për ndërkombëtarët, pasi siç mësohet opozitës duket se i vunë kusht që për të negociuar zgjidhjen duhej më parë që të ndërpriste grevën e urisë. E njëjta kërkesë ka qenë edhe për kryeministrin Berisha, i cili duhet të jepte garancinë e plotë se ishte i gatshëm të negocionte për opsionet e PS-së, që në thelb konsistojnë në hapjen e kutive.

Edhe pse të dy partitë kryesore në vend nuk konfirmuan mundësinë e gjetjes së një kompromisi paraprak, për të cilin shpresohet të gjendet sot në Strasburg, Kryetari i opozitës, Edi Rama ka theksuar në fund të fjalës së mbajtur dje para protestuesve se nëse mazhoranca do të ulet në këtë tryezë për të mos i dhënë zgjidhje situatës, atëherë opozita do të jetë e gatshme, që të nisë sërish grevën e saj atje ku e la. Ndërkohë që mbrëmë në darkë palët kanë përcaktuar edhe delegacionet me të cilat do të ulen në këtë tryezë.

Sëbashku me Berishën në këtë takim do të jetë i pranishëm drejtori i tij i kabinetit juristi Oerd Bylykbashi. Një përfaqësim ky sa politik aq edhe dhe teknik, çka lë të kuptohet qartë se palët do të diskutojnë jo vetëm parimisht, por edhe për zgjidhje konkrete juridike.