Rama: Babëzia do e çojë Berishën në greminë

0
28

Nga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha mbrëmë në një konferencë për shtyp se deklarata e Berishës se duhet të festojmë për vendimin e Këshillit të Ministrave të BE është një provokim për opozitën dhe qytetarët e këtij vendi.

“Dola sonte në këtë orë të pazakonshme, sepse u bënë dy herë brenda 24 orëve që Sali Berisha provokon opozitën dhe tallet me qytetarët e këtij vendit, duke harruar se ata mendojnë me kokën e tyre dhe nuk mendojnë me kokën e tij. Thotë hajdeni të festojmë. Çfarë të festojmë? Të festojmë që pas 7 muajsh një vonesë që nuk i ka bërë vaki as njërit prej vendeve që kanë bërë kërkesën për të hyrë në provim që të mund të marrin statusin e kandidatit dhe pas kaq vitesh vonesat, që e ka lënë Shqipërinë në një shoqëri aspak të përshtatshme për vendin tonë dhe këtu kam parasysh se kemi mbetur të fundit fare dhe sot jemi në dyert e provimit dhe pas nesh është Serbia, për të cilën ka një kushtëzim politik deri në rrëzimin e një krimineli famëkeq të luftës dhe Bosnja që qysh nga marrëveshja e Dejtonit mezi rri në këmbë,” tha Rama.

“Sigurisht që lajmi në vetvete është i mirë, është i mirë si një lajm që vjen pas shumë e shumë vitesh pritje jo për shkak të qytetarëve e qytetareve të thjesht e të ndershëm të këtij vendi, jo për shkak të familjeve që jetojnë me punë të ndershme në Shqipëri, apo të atyre 1.2 milion emigrantëve e emigranteve që mbajnë familjet me bukë, por për shkak të politikës së keqqeverisjes dhe në radhë të parë të keqqeverisjes së Sali Berishës.

Të festojmë së bashku. Çfarë të festojmë shembjen e tunelit të Kalimashit, të një vepre me një rëndësi kombëtare, që u kthye në pre për babëzinë e këtij regjimi korrupsioni, të festojmë që dëgjojmë ministrin që duhet të jetë i pandehur, dhe të na thotë që shembja ishte e paparashikueshme, pra shqiptarët duhet të paguajnë, ndërsa qeveria mund të shemb investimet e tyre. Të festojmë se si një pasuri kombëtare, siç është nafta që është kthyer në një tjetër vrimë të zezë të korrupsionit, që nga privatizimi i Armo-s, tek vendimi anti kushtetues i dhënë tanimë nga Gjykata Kushtetuese, që vazhdon të mbetet në fuqi për naftën D2, pra të festojmë se kemi në Shqipëri një pasuri kombëtare të kthyer në një monopol për familjen e Sali Berishës, për çfarë të festojmë? Apo të festojmë atë që ndodhë me pronat private, me një proces marramendës korrupsioni në të gjitha procedurat e kompensimit dhe kthimit të pronave për llogari të pushtetit të familjes, këtë të festojmë? Çfarë ka sot për të festuar? Në rast se Evropa shumë bujarisht e hapi derën për ta futur Shqipërinë në provim, e bëri këtë jo për Sali Berishën dhe jo sepse këtu ka shumëçka për të festuar, por e bëri këtë sepse është koha e fundme për një vend të tërë, për një popull të tërë, që duhet të ishte në krye të proceseve të integrimit në gjithë Ballkanin, që duhet të ishte përpara të gjithëve sot në Ballkan, jo thjesht për atë çka përmendëm lidhur me atë moment kur Shqipëria u tregua nga të gjithë për herë e më të parë si një vend për t’u admiruar, por edhe një fakt tjetër, Shqipëria nuk ka probleme si ato probleme që kanë mbajtur vijimësisht fqinjët tanë në këtë proces integrimi.”

Duke komentuar deklaratën e Berishës së zgjedhjet u vulosën me këtë vendim të BE, Rama tha se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat e tyre.

“Ne nuk kemi arsye që të festojmë asgjë me Sali Berishën, e përsa i përket asaj që e përsërit dy herë brenda 24 orësh, se kodin e ka bërë me opozitën, ne nuk kemi probleme me kodin, ashtu si kundër ne nuk kemi probleme me ligjin dhe as me sistemin e drejtësisë në kërkesën tonë. Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit, për të mos lejuar më që zgjedhjet në Shqipëri të jenë një maskaradë, si zgjedhjet që lamë pas, një maskaradë tejësisht e rrezikshme, e para sepse ka në themelin e vet deformimin e vullnetit të popullit dhe e dyta sepse mekanizmi i këtij deformimi është sofistikuar si një mekanizëm mafioz,” tha Rama.

Kryetari i PS tha se nuk mund të festohet kur vendi renditet për korrupsion njësoj si vendet e Afrikës që janë në konflikte të armatosura.

“Nga ana tjetër është lajmi shumë i keq, që për shkak të Sali Berishës, Shqipëria ra për faqen e zezë edhe nën Ruandën dhe Ugandën, popuj të sakrifikuar, vende të sakrifikuara, me histori tragjike që kanë më shumë shtet seç ka Shqipëria në mes të Evropës, përsëri për faj të Sali Berishës. Ky është një turp i pashoq, që Sali Berisha duhet ta mbaj, sepse është turpi i tij dhe nuk mund ta ndaj dot me askënd. As me historinë dhe as me bashkëqytetarët, që sot jetojnë në Shqipëri. Sepse nuk i ka faj e shkuara, nuk i kanë faj njerëzit. Ia ka fajin oreksi, babëzia e pashuajtshme për një pushtet për para’ pa limit, që do i çoj në greminë në rast se nuk do të ndalet të marrë frymë dhe të hapi kutitë e votimit,” tha Rama.