Raketa nga Shqipëria për terroristët e Hezbollahut

0
29

Nga Gjergj Thanasi

Qeveria shqiptare blen armë të rrezikshme në shuma të mëdha dhe më pas ia shet ato terroristëve të Hezbollahut. Një histori e frikshme trafiku, që nis që me paratë që nuk dihet se nga dalin për blerjen e raketave, blerja e tyre në Ukrainë, hyrja e tyre në mënyrë pothuajse kontrabandë në Shqipëri dhe shitja te një nga emrat më të kërkuar nga aleatët tanë, drejtues i Hezbollahut

Në emër të modernizimit të ushtrisë shqiptare dhe rritjes së aftësisë mbrojtëse të atdheut, nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e të tjerë zyrtarë, u kërkua blerja e raketave të supit, tokë-ajër, të tipit Igla 1 (SA-16-GIMLET) dhe Igla (SA-18-GROUZE). Këto raketa janë patentë sovjetike e fundit të viteve ’80, kopjuar edhe nga vende të tjera. Igla, me aftësi të përafërta me raketat amerikane Stinger, është shumë efektive në goditjen e avionëve, helikopterëve dhe avionëve pa pilotë, që fluturojnë deri në 5 mijë metra lartësi. Raketa të tilla normalisht do ta fuqizonin shumë mbrojtjen ajrore shqiptare, të bazuar në raketat kineze QW-1 (SAM-MANPAD), të cilat janë kopje të përmirësuara të Strelës sovjetike (HN-5 kineze). Për më tepër që bateritë e këtyre raketave janë afër afatit të skadimit. Fatkeqësisht të tilla raketa nuk u blenë për mbrojtjen e atdheut, por për majmjen e llogarive bankare të trafikantëve.

***

Historia e blerjes së këtyre raketave fillon me një varg përpjekjesh të ethshme në pranverën e vitit 2006 e në vazhdim për gjetjen e burimeve potenciale të eksportuesve të këtyre raketave. Ndër burimet e kontaktuara zyrtarisht nga nëpunës të shtetit shqiptar janë edhe shtete të tilla që bartin potencial terrorizmi si Irani dhe Koreja e veriut. Shqipëria, duke qenë aleat i ngushtë i SHBA dhe kandidat për anëtar i NATO-s, ishte edhe partner me këto shtete të boshtit të së keqes në trafikimin e të tillave raketa kundërajrore, si dhe armatimesh të tjera tokësore dhe ajrore.

Më 19.4.2006 kërkohet të blihen nga zoti Rrahmani, menaxher i marketimit të produkteve të firmës shtetërore iraniane MODELEX, raketa SAM iraniane tip MISAGH – 2. Këto raketa gjithsesi janë inferiore krahasuar me Igla-18, pra jo shumë të preferuara nga Hezbollahu libanez. Po në datë 19.4.2006 i kërkohet kolonelit koreano-verior, Ho Chol Guk, të ndërmjetësojë në blerjen e raketave SA-16 dhe SA – 18 nga DPRK e Koresë. Koloneli është diplomat në ambasadën koreano-veriore në Sofje. Në fund të vitit 2005 ai ka bërë takim pune me drejtorin shqiptar të MEICO, Ylli Pinari, si dhe me një civil rreth 30 vjeç, i pajisur me pasaportë diplomatike dhe leje qëndrimi suedeze.

Përsëri në 19.4.2006 tentohen të blihen raketa kineze të po këtij tipi nga firma NORINCO, e përfaqësuar nga zoti Ke Ji Bink.

Në datë 22.5.2006 kërkohen të blihen nga ky tip raketash nga firma bullgare OMEGA STRONG (tel. 0035725585871 0035725585871). Kjo firmë dyshohet nga organet e specializuara të NATO-s si e përfshirë në kontrabandë armësh.

Në datë 8.6.2006 kontaktohet firma ukrainase UKRSPETS EXPORT, e përfaqësuar nga zoti Majevski. Kjo firmë i kanalizoi bisedimet te firma bijë e saj SE SFTF PROGRES. Kjo firmë në fund të vitit 2006 dhe në fillim të vitit 2007 i shiti shtetit shqiptar 150 raketa Igla dhe 150 raketa Igla-1 bashkë me lëshuesit e tyre. Shitja u bë me kusht që, në rast eksporti jashtë Shqipërisë të këtyre raketave, të informohej paraprakisht Enti Shtetëror Ukrainas për Eksportin e Armatimeve.

Në 10.2.2007 u nënshkrua kontrata e dytë për blerje raketash SA-16 dhe SA-18 me një tjetër firmë ukrainase PROMOBORONOEXPR. U blenë 30 lëshues SA-16 me 100 copë raketa dhe 30 lëshues SA-18 me 100 raketa. Lëshuesi kushtonte 58.850 $, ndërsa raketa 54.150 $. Shuma totale e faturës ishte 13.224.000 $.

Kjo blerje ka disa pikëpyetje:

Së pari, mbi 13 milionë $ është një shumë e madhe për buxhetin rreth 70 milionë $ të Ministrisë sonë të Mbrojtjes.

Së dyti, në llogaritë mungon disbursimi i kësaj shume. Pra, del pyetja: Cili ishte burimi i parave për blerjen e këtyre raketave, nëse nuk ishte buxheti i ministrisë? Kjo blerje u krye nga ministria me dokumentacion të plotë dhe të rregullt si p.sh., faturë blerje, EUC, leje importi etj.

Së treti, në arkivin e doganave shqiptare mungon praktika relative për këtë import.

Së katërti, në dokumentacionin e magazinave të Memajt (Romanat) ka gjurmë dokumentacioni që provon magazinimin e raketave të këtij tipi.

Normalisht ngrihet pyetja: Si mbërritën raketat në Memaj pa kaluar nëpër doganat shqiptare? Sipas kodit doganor shqiptar, ky rast përbën kontrabandë të pastër.

***

Pak kohë pasi u blenë raketat SA-16 dhe SA-18, me ngut u bë nxjerrja e tyre jashtë përdorimit nga armatimi i ushtrisë shqiptare. Kjo praktikë përmban shkresa me firmën e kryeministrit Berisha, ish-ministrit Mediu, dhe gjeneral-lejtnant Hoxhës. Pas kësaj procedure, raketat ishin të gatshme për eksport nga ndërmarrja MEICO.

Eksporti i raketave mbetet një operacion shumë, shumë i mjegullt. Shitja u bë te një firmë libaneze e llojit Off Shore, e quajtur IFC (International Contract & Enterprise) me adresë: Tabaris Building, Charles Malek Avenue, Bejrut, me tel. 0096113381888 me përfaqësues firme zoti MARWAN K. HADDAD.

Sipas informacioneve të bëra publike nga agjencia inteligjente izraelite SAYRET MATHAL, firma libaneze shërben si mbulesë për MOUNTAMAT AL-JIHAD AL-ISLAM, që është degë e organizatës Hezbollah. Kjo firmë, sipas izraelitëve, u ka shërbyer trafikantëve të Hezbollahut për të kontrabanduar armë nga vendet ish-socialiste, përfshirë Shqipërinë. Ndër trafikantët më të shquar që kanë përdorur shërbimet e kësaj firme janë: IMAD HADJ HASSAN SALAME, TALAL AD DIN, MUHAMMAD DARBAKAH dhe IMAD BAKRI, ish-kontrabandist diamantesh bashkëpunëtor me famëkeqin Viktor Bout. Në mesin e viteve ‘90, Viktor Bout ka kryer kontrabandë armësh me Shqipërinë në drejtim të talebanëve. Në këtë kontrabandë Bout u ndihmua nga aktualisht zv/presidenti i Sudanit, i cili këtë pranverë vizitoi Shqipërinë si pjesëmarrës i forumit të Krans Montanës. Ndihmës i Viktor Bout ishte edhe një 007 nga Arabia Saudite, i cili pak kohë më parë bleu tokat e Fazlliçit në Porto Romano.

Shitja e raketave dhe blerja e armatimeve të tjera u bë nëpërmjet bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, por jashtë kanaleve zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. Paratë u lëvizën me firmën e një personi anonim të quajtur Arben Toska me nr. pasaporte z. 0773395. Llogaria u çel në emrin e tij personal pranë Bankës Credins. Nga paratë e kësaj llogarie janë bërë pagesa për blerje materialesh, pagesë shërbimesh dhe janë çelur letra kredie.

Mbetet i paqartë destinacioni i këtyre raketave, pasi u blenë nga firma libaneze off shore IFC. Në duar terroristësh të trajnuar këto raketa përbëjnë rrezik për avionë civilë dhe luftarakë në lartësi më pak se 5 mijë metra. Në 12.8.2006 Hezbollahu me raketë NAAD, inferiore krahasuar me SA-18, rrëzoi një helikopter izraelit në incidentin e kodrës YATER. Me raketat nga Shqipëria rrezikohet supremacia ajrore izraelite deri në lartësinë 5 mijë metra. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme që provojnë se Hezbollahu i ka përdorur këto raketa në luftim. Burime publike izraelite pohojnë se Hezbollahu tashmë raketat SA-16 dhe SA-18 prodhim ukrainas dhe MISAGH-2 prodhim iranian i ka vendosur në bunkerë e depo të fshehta municioni në jug të lumit Litani.

Në këtë histori trafiku përfitimet prej miliona dollarësh shkojnë në xhepat e pak trafikantëve shtetërorë, ndërsa pasojat i paguajnë shqiptarët dhe shteti i tyre anëtar në NATO, por partner me shtete batakçinj dhe organizata terroriste, si fjala vjen Hezbollahu.