Raimondaaah!

0
70

Nga Bledi Mane, 15 Nëntor 2011
facebook.com/bledi.mane

1./Ti s’je as Berluscon as Papandre

Eh të shikoje çfarë gallate plasi javën e shkuar nëpër Shqipëri. U mpreh kot gjindja e gëzonte para kohe. Kujtuan se vala e dorëheqjeve mesdhetare që fryu nga Athina në Romë do të tranzitonte edhe mbi Tiranë. Ngaqë vendi po lundron mbi llumin e krimit, korrupsionit, maskarallëkut, varfërisë, fudullëkut opozitarëve të vjetër e rishtas të rinj iu duk sikur kapërcyen ngërçin 6 vjeçar të qeverisjes tënde që u ishte bërë komb në fyt e klithën si të pataksuar: Iku S.B-ja e Italisë e bashkë me të edhe S.B-ja e Shqipërisë!!!

Festë e madhe anembanë vendit, lumturi e pllakosur forcërisht në fytyrat e plakura para kohe ngase çdokush besonte në fisnikërinë tënde e edhe për arsye moshe fjetën mendjen. Përfundimisht po ikje duke i hapur rrugën një qeverisjeje teknike deri në hartimin e kodit të ri, të ri, të ri zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Eh sa gabojnë njerëzia në këtë vend, gabojnë se nuk ta njohin mirë lëkurën.

Donin të krahasonin me ish kryeministrin Jorgo Papandreu, djalin e legjendarit majtist grek Andrea Papandreu (idhullin e Fatos Nano Nanos). Hoqën shenjë barazie mes tij dhe teje e harruan se ai greku i lindur në Minesota të Amerikës ishte vite larg kasolleve pa drita e me pleshta të Viçidolit. Kur ishte fëmijë e adoleshent atë e priste school bus te dera e shtëpisë, ndërsa ti pasi pije qumësht të freskët direkt nga cica e dhisë së vetme që kishit, vrapoje 3 orë mal më mal e kodër më kodër për të shkuar në shkollën më të afërt.

Ai argëtohej me lodra, filma, kinema, dhurata ndërsa ti garoje me ujkun dhe arushat e pyllit të fshatit se kush do të kapte lepurin më shpejt. Ti flije mbi dyshekët me kashtë bashkë me kunupin, miun, urithin dhe lopën, ndërsa ai greku u rrit e u edukua me shërbëtore te koka. Ti mësove intrigat, vjedhjet, poshtërsitë se duhej të mbijetoje në atë humbëtirë ku linde e u rrite, ndërsa ai greku përballë u arsimua në Toronto, Boston, Stokholm e Londër e mësoi çfarë janë klasikët, filozofia, toleranca, ekonomia, dashuria…

Ai grek laj- thaj vetëm në një parti politike u anëtarësua, ndërsa ti e nise me Parti Komuniste, Pune e dole te PD.

Ai e mbrojti vendin e tij edhe kur po zgripohej drejt humnerës së falimentit, e pasi siguroi këstet e shpëtimit u tregua burrë e dha dorëheqje si babaxhan duke ia lënë vendin personalitetit botëror të financave Lukas Papadhimos. Ti as nuk e rruan e as nuk e qeth kur shikon se këtu jetohet buzë zgripit çdo ditë dhe mizerja është legalizuar si të jetë barakë Kamze.

Numëroja pak sesa protesta janë bërë vetëm në Athinë gjatë qeverisjes së Papandreut, sa dëme të pronës publike e private, por ai nuk shtiu e vrau asnjë protestues.

Një njeri i lindur e i rritur mes njerëzve e me njerzillëk padyshim do të reagonte e sillej kështu me situatën apo kundërshtarët ndërsa ti…

Ti vjedh vota e para publike, vret hallexhinj e shan të vdekur e të gjallë, monarkon me dorë të hekurt e ndërkohë unë dyshoj te e kaluara jote. I katandisur në këtë lloj derexheje ti patjetër do të kesh pasur fëmijëri e jetë të vështirë. Ti vjedh votat e kundërshtarit sepse të kanë vjedhur bukën e misrit familjarët e tu, ty të pëlqen të dhunosh sepse të kanë rrahur e masakruar çunat e fshatit, të pëlqen të vrasësh tinzarisht se nuk ke pasur kurrë bythë të ndeshesh ballas me më të zotin se ti, ti shan e mallkon sepse do tu kenë sharë para e mbrapa dhe ende ato sharje të gumëzhijnë në veshët e tu plot lesh. Ti biologjikisht, organikisht, shkencërisht, folklorikisht, shqiptarisht je dhe mbetesh produkt i një familjeje fshati dhe rrethi social tepër ordiner e të varfër në xhepa e në shpirt ndaj edhe Shqipërinë mundohesh ta viçidolizosh sipas gustos tënde.

Donin të krahasonin edhe me Silvio Berlusconin (idhullin e Fatos Nano Nanos), perversin italian që la pa frymë Evropë e Amerikë, por përsëri edhe me të je vite larg. Jo sepse ti nuk lyen flokët në ngjyrë karote apo tërheq lëkurën si ai, por pavarësisht se mund të kesh bërë para pa fund edhe ti prapë stonon nëse u krahason të dyve.

Berlusconi është dorëhequr qysh nga 1994 të paktën 2-3 herë e ka formuar edhe dy parti të reja ndërsa ti edhe në 1997 u dorëhoqe me 2 mijë të vdekur mbi vete. Kavalieri më plak se ty, por i qante orgjitë “bunga-bunga” e i vinin dashnoret tufa-tufa zerdeli, ndërsa ti ke vite i tredhur e nuk të shkon më mendja për qejfe e sevdaja, por poshtërsitë dhe diktati janë kthyer në orgazmën e andropauzës tënde. Njerëzit qejflinj janë babaxhanë të pa rrezikshëm e nëse ti do të ishe i tillë, e meritoje edhe një mandat tjetër. Të krahasojnë me Berlusconin e kujtojnë se edhe ti si ai e more Erla Mëhillin të vogël porsi marokenia Ruby, por ndryshe nga Silvio ti nuk e argëton e as e relakson me qejfe dhe para, por e ke bërë si veten e nuk i ke lenë poshtërsi pa mësuar.

2./Rajmondaaah!

Kemi rreth dy vjet që këto gratë- burra dhe këta burrat- gra të PD-së nuk lanë njeri pa sharë e pa ua marrë erzin. E nisën me gratë e kundërshtarëve, me prindërit e vdekur, me lojërat e fëmijërisë, me biografi komshinjsh dhe përfunduan te dashnorët e gocave të tezeve të opozitarëve. Një nga zërat më melodiozë e më të spikatur të korit blu ishte edhe cërriksja aktore Rajmonda Bulku, e cila u kthye si pa kuptuar në personazhin e muajit. Si bumerang i ranë mbi vete sharjet dhe klithmat histerike që nxirrte nga goja partia e saj, kryetari i saj, dhe ajo vetë. Si një prej aktoreve modele të realizmit socialist që prodhoi Kinostudio ndër vite, edhe kësaj here besoj se roli që i ka veshur vetes do t’i dalë prej duarve.

Rajmonda! Ke dhe ti fatin tënd dhe ke betejën tënde për tu mbrojtur. Si nuk tu dhimb motra e Taulantit, gruaja e tij, koleget e tua aktore që u përfolën nga kryetari yt… Si nuk tu dhimbsen kur i dëgjoje si fyheshin dhe heshtje dukë “merituar” të qenit në ushtrinë e kryesharësit. Tani fati të solli ty në pozitën e atyre. A e shikon sa të njerëzishëm janë pala tjetër. Askush nuk të ka thënë kurvë, askush nuk të ka thëne e përdalë… Kanë heshtur gjithë fisnikëri.

Por ajo që më tremb në këtë histori nuk është fati yt, por falsiteti i brezit të ri “të emancipuar”. Më trendy ngjan Helena, Ismaili, bile dhe personazhet e tyre se sa fëmijët e tyre (jo vetëm biologjik), që nxitojnë të lexojnë libra jo se u duhet kulturë, por se u duhen të dinë dashnorët e prindërve. Raimondaaah ç’na bëre! Na nxore gjithë të palarat.