Racionaliteti, talismani i padukshëm i veprës së autorit Spartak Ngjela

0
47

Nga Minella Aleksi, 13 Mars 2013

Nё volumin e dytё “Pёrkulja dhe rёnia e tiranisё shqiptare” autori duket që i ka vënë vetes detyrë ta udhëheq lexuesin nëpër një tur të klasit të parë në rrugёn e gjatё tё historisë së tiranisë shqiptare. Vepra e autorit S. Ngjela na vihet në dispozicion sikurse thotë M. Prust për librin, si një mjet optik shumë i fuqishëm me anë të të cilit lexuesi arrin të depërtojë e të dallojë brenda diktaturës komuniste gjëra të cilat do i kishte të pamunduara që t’i shikonte e kuptonte pa ndihmën e këtij mjeti optik.

Volumi i dytë është ndërtuar sipas një strukture në funksion të dy qëllimeve kryesore: së pari të dëshmojë sesi formimi intelektual, intelektualizmi e kultura e përgjithëshme dhe karakteri human me cilësitë gjenetike më të forta arrijnë të predominojnë mbi përçudnimet që të imponoheshin brenda mureve të qelive komuniste. Së dyti, bazuar në këtë qëndrueshmëri, njohje të thellë dhe kthjelltësi mendimi të bëj analizën më të plotë dhe më të saktë të mekanizmit të diktaturës së Enver Hoxhës shikuar edhe në raport me qëndrat komuniste të Moskës dhe të Pekinit brenda bllokut komunist.

Ndryshe nga shumica e autorëve që kanë shkruajtur për diktaturën dhe historinë e saj, te vepra e Ngjelës ka një kombinim të papërsëritshëm të burimeve historike, të njohurive të thella të doktrinave social filozofike me ato të historisë, me interpretimet e analizat teoriko-shkencore. tё analizuara me metodё shumё racionale, të shprehura me stilin mjeshtëror të të shkruajturit sipas modelit të traditës së historianëve të mëdhenj anglosakson si Edvvard Gibbon, Thomas Babington Macaulay, deri te më aktuali Simon Schama, professor në universitetin Columbia të Nju Yorkut. etj.

Stil qё dallon ngaqë racionalja klasike gërshetohet harmonishëm me romantizmin tradicional duke ndikuar te lexuesi emocione të forta. Nuk mund të njohësh historinë e rënies së perandorisë Romake apo historinë e Britanisë, Francёs, etj. pa kaluar në veprën e këtyre autorëve të mëdhenj. Duket që kësaj shkolle historianësh e filozofësh i përket vepra e Spartak Ngjelës për diktaturën shqiptare, e destinuar për një publik të gjërë të kultivuar.

Fillimisht, i ndodhur në qeli, i prangosur në robëri, autori fillon të arsyetojë, të qartësojë veten se në konditat e reja të humbjes së lirisë, ndodhet i vetëm përballë monstrës diktaturë. Lind pyetja: në këto rrethana burgu çfarë e ka bërë kaq stoik këtë njeri? Përgjigjen e gjen në libër përgjatë leximit të pёrshkrimeve jo si qëllim në vetvete, për autolavde, por për të kuptuar mirë rolin e disa faktorëve familjar e shoqërorë si katalizatorë të proçesit zhvillues të stoicizmit në rrethanat e burgut.

Kërkon dhe jep nëpërmjet tyre fenomenin, çfarë përfaqson sjellja e tillë. Tregon me vërtetësi bindëse në mënyrë shumë tё ftohёt, për prejardhjen prindërore e më thellë në disa breza të fisit të tij. Është pasardhës i një fisi gjenetikisht me cilësitë më të dalluara humane. Lidhur me këtë veçori, më duket me vënd të sjell një definicion të Frojdit, neuropsikiatrit të njohur i cili pohonte se: trashëgimia gjenetike riciklohet në brezat që vijnë sipas një rregulli rigorozisht strikt, njëlloj si shinat e trenit rigorozisht të barazlarguara nga fillimi në fund, ndryshe nga personaliteti i njeriut që manifestohet me ulje ngritje, hapje e ngushtime njëlloj si një rrugë diku më e gjërë e diku më e ngushtë.

Në libër mësohet me doza realiste, shumë larg sforcimeve për të rikrijuar skena apo interpretime të pavërteta se, tradita kulturore e familjes Ngjela, në disa breza ka transmetuar vlera thelbësore të një karakteri shumë të qëndrueshëm, të hekurt dhe këtu e gjejmë shpjegimin bindës të qëndrueshmërisë së papërkulur të autorit përballë diktaturës. Ndryshe e konceptonte qënien e tij përpara futjes në burg, kur ishte i lire, kur në rreth shoqëror shprehte mendime që binin ndesh me parimet e partisë, kur për rrethanat e tij familjare diktatura për atë vet ishte në një farë mënyre evazive, ndërsa ndryshe tani kur qënia e tij ishte në kthetrat e xhelatëve të diktaturës.

Si individ në konditat e burgut komunist Spartak Ngjela e ka gjetur veten të mbërthyer brenda një trekëndshi raportesh elementet e të cilit janë: raporti me veten (arrin nga paqënia abstrakte të ndjehet Qënie konkrete), raporti me familjen (s’ka mes anëtarve të familjes si të burgosur e si të atyre jashtë burgut momente squlljeje, lëshimi, çdonjëri fatkeq stoik në rolin e tij) dhe raportin me diktaturën (ndeshje dhëmb për dhëmb me përbindëshin). Ngjela i kushton një vëmëndje të veçantë konceptit filozofik të Qënies, si një temë që përshkon të gjithë rrugën e filozofisë njerëzore.

Qënien si ekzistencë, si identitet dhe si predikim, vendosjen e Qënies në analizën e logjikës, të arsyes dialektike si aftësi nëpërmjet të cilës shprehet mendimi. Arrin të artikulojë qartë, me vendosmëri qëndrimin dhe formimin e tij intelekual, mbas një para përgatitjeje të mirë mbi këto koncepte bazë të qënies së njeriut. Gjëja e parë që i bëhet në burg, i hiqet ora e dorës. Koha e tij ndërpritet dhe ai nga ky moment del jashtë kohës që përjetonin bashkëkombsit e tij. Ndjen që shqiptarve kjo kohë u kishte grabitur Qënien, se Shqipëria nuk kishte ide, gjithëçka kishte ngrirë, prandaj shqiptarët ata nuk mund të imagjinonin dot një të ardhme. Shqipëria jetonte me një kontradiktë thelbësore: shqiptarët e zhvilluar nuk ishin në të njëjtën kohë me drejtuesit e tyre. Përplasja e kohëve do sillte shkëndijën elektrike, kryengritjen.

Çdo pjesëtar i burgosur i familjes Ngjela duket qartë se ka vetëm një shqetësim tronditës, të arrijnë që të dalin njerëz të lirë të pa dhunuar nga diktatura kriminale në atë që përbën thelbin e qënies së tyre, dinjitetin njerëzor, njeriun e lirë me dinjitet të papërkulur. Ata të kujtojnë atë thënien e urtё për të tilla raste se: i dituri e përmban veten, as gëzohet me tepri dhe as nuk mbytet në rrëkenë e lotëve të tij.

Dinjiteti njerëzor, qëndrueshmëria e karakterit, formimi intelektual, si njësi matëse të njerëzores, virtytit, gjënden në libër të përfaqsuar në dy grupime njerëzish. Njihesh me grupin e M. Jerosh dhe D. Mamaqit që janë thyer, kanë pësuar transformimin tronditës, rrënues shpirtëror, mohimin që i kanë bërë Unit të tyre, duke u çfaqur si qënie të gjalla, si manekinë të xhveshur nga mendimi racional, që vetëm vegjetojnë në pisllëkun e kriminelëve persekutorë. E kundërta e këtyre janë grupi i dinjitarëve si Z. Mala e klerikët katolikë, tё diplomuarit nёpёr univeristetet perёndimore, por edhe njerёz tё pa arsimuar por me rrёnjё tё forta nё traditёn e edukatёs familjare etj., të cilët janë ndarë përgjithmonë nga llumi i diktaturës duke ruajtur vlerën më të lartë njerëzore, njeriun e virtytshëm.

Te i burgosuri politik Spartak Ngjela mbas kalimit nga paqënia abstrakte në Qënie konkrete, arsyetimi racional, imagjinacioni dhe fantazia e ndihmojnë që të shikoj me sytë e mëndjes të vizatuar në murin e qelisë imazhet, konturet e një vlerë të re qëndrueshmërie, imazhin e kokës së demit te piktura Guernika e Pikasos. I burgosuri ynë politik me Guernikën që tashmë e ka bërë të vetën si mishërim rezistence njerëzore, e ndjen veten të pozicionuar në një stad të ri konceptimi vlerash intelektuale, kulturore e filozofike. Jam i sigurtë se Spartak Ngjela para burgosjes e ka ditur mirë se, Guernika është për pikturën ajo çfarë për muzikën është simfonia e nëntë e Bethovenit.

Një ikonë e kulturës që i flet qënies njerëzore jo vetëm kundër luftës, por edhe për shpresën dhe paqen. Ngjela në burg me Guernikën në mëndje dhe në murin e qelisë përpara syve, e ka pasur të qartë se ajo pikturë është bërë një simbol i fuqishëm dhe universal që paralajmëron njerëzimin kundër vuajtjes dhe shkatërrimit. Larg të qënit një pikturë thjeshtë politike, Guernika është konceptuar prej Ngjelës ashtu si e ka komentuar vet piktori, një çfaqje e asaj se çfarë dhe sesi arti mund të kontribuojë në vetpërfshirjen e njeriut përpara drejt arritjes së lirisë së vërtetë. Mbrojtje individuale kundër forcave të krimit politik, të luftës dhe të vdekjes. Frymëzim e aromë idealesh humane.

Njehsimi i vetëdijshëm në burg i qëndrueshmërisë së të burgosurit politik me kokën e demit te piktura Guernika si në rastin e S. Ngjelës përbën një rast të jashtëzakonshëm qualiteti intelektual, krahasuar edhe me rastet e të burgosurve politikë nga vëndet e Lindjes komuniste, të cilët kanë përshkruar vuajtjet dhe qëndrimet e tyre në burgjet e regjimeve komuniste.

Jeta e S. Ngjelёs u vendos përpara një sfide në një moshë të re kur ai ishte plot energji, agresiv në ide, i aftë që të përqëndrohet në çështjet më themelore të shoqërisë, tek i cili racionaliteti dhe emocionet janë në ekuilibër, vëmëndja e kontrolluar në çdo hap të jetës së përditëshme, me vizion të gjërë krijues. Racionaliteti mendor është talismani i tij i padukshëm që konverton dijen historike, kulturën e përgjithëshme në mendim krijues, në karakter personal të qëndrueshëm, stoik. Duke e ditur mirë atë që kërkon prej shoqërisë ku jeton, është i gatshëm ta nuhasё e ta njohë atё që në momentet e para.

Ngjela, hap pas hapi, shkallë mbas shkalle, arrin që të ndërtojë brenda vetes busullën e tij shpirtërore e cila e drejtoi qartësisht drejt Nordit, njeriut të lirë. Busulla e tij shpirtërore u kockëzua si një konstrukt i ndryshëm nga konstrukti i squllët, i lehtë përpunueshëm si karakter i dobët i njeriut të ri të krijuar nga partia. Unë nuk e di, nuk kam lexuar se çfarë ka shkruajtur në ato njëmijë faqe Zef Mala në izolim, por tablloja filozofike e psikoanalitike që përshkruan Spartak Ngjela në volumin e tij të dytë mbi rënien e diktaturë shqiptare, është një metodë sesi kristalizohet nga mjegullor, sesi precipiton botëkuptimi i njeriut në maksimum i përgjegjshëm për rolin e tij në shoqëri. Në libër autori bën atë që mund të quhet proçes i distilimit të esencës së ngjarjeve, të shkaqeve të lëvizjeve të mëdha politike të diktatorit, të reflektuara në binomin shkak – pasojë.

Librin e përshkon tej e ndanë një linjë thelbësore, racionale: koncepti ekonomik anglosakson i konkurencёs sё tregut të lirë. Ripërsërit Ngjela mes miqve të afërt dhe në biseda të ngushta në familje se sistemi komunist do vetshkatërrohej, ishte pa të ardhme ngaqë nuk pranonte tregun e lirë. Disa herë autori thotë: nuk ndërtohet sistem ekonomik me fleta lavdërimi. Lёvizja e mallit dhe e parasё ёshtё gjaku qё lёviz nё dejet e ekonomisё. Pa kёtё lёvizje, pa kёtё karburant njё ekonomi ёshtё e destinuar tё falimentojё. Si shumë të tjerë kuptonte qartë se karburanti që mbante në lëvizje makinën diktatoriale ishte lufta e klasave nё shёrbim tё verbёr tё luftёs pёr karrigen e pushtetit tё diktatorit.

Shkolla e Partisë nё Tiranё diplomonte specialistët e kësaj lufte gjakatare klasash. Kёta specialistё tё luftёs sё klasave, hordhitё e 67ёs siç i quan Ngjela, ishin njerёz tё pa aftё qё çertifikoheshin nga autoriteti i Parisё komuniste pёr ti shёrbyer me besnikёri pushtetit diktatorial, njёlloj siç çertifikohen sot nё universitetet private shqiptare studentёt e pa aftё pёr tu punёsuar në të ardhmen e shpejtë nё institucionet e pushtetit jolegjitim pёr ti shёrbyer atij me besnikёri tё verbёr.

Nga një njeri si shumë të tjerë nëpër rrugët e Tiranës në vitet 70-të, S. Ngjela në ndryshim nga pjesa dërrmuese e bashkëmoshatarve të kohës konceptin e njeriut të lirë e vendosi si veriun e busullës në sjelljen e përditëshme dhe aq më tepër përballë persekutorëve në burg. Këtë shkallë kuptimi e rritjeje qëndrueshmërie nuk mund ta arrinte kushdo. Duhej një përgatitje, një studim sistematik social filozofi mbi baza shkencore.

Me këtë libër të dytë Ngjela vazhdon misionin e nisur me librin e parë, rikthimin e koshiencës politike reale të shqiptarëve, riorientimin mbas 50 vjet përpjekje të regjimit komunist për ta degraduar deri në modelin e njeriut të ri komunist.

Impulsi historik te Ngjela manifestohet nëpërmjet një racionalizmi shumë të saktë si metodë. Të jesh racionalist do të thotë që të jesh i pajisur me aftësi intuitive, me aftësi perceptimi të thelbit të diçkaje pa pasur nevojë për arsyetime të tejzgjatura. Racionalizmi i Ngjelës duket edhe nëpërmjet një aftësie të veçantë, si natyrë e lindur, për të bërë konkluzione tërësisht logjike, të provuara nga eksperienca e mëvonshme.

Kjo metodë racionale ka bërë që zhvillimet, kthesat e tronditjet brenda diktaturës së Enver Hoxhës të shikohen pazgjidhmërisht me zhvillimet në Moskë dhe Pekin. Falë stilit të tij mjeshtëror analizat e ngjarjeve në Kinën e asaj kohe jo vetëm që lexohen me një interes të madh, por përshkrimi dhe interpretimet e tyre të bëjnë më të qartë tronditjet në Tiranë. Ngjashmëria është çuditërisht kopje e të njëjtit mekanizëm vrastar brenda llojit.

Në libër na shpalosen dy ekstreme: nga njëra anë zbërthimi, analiza e thellë shkencore e mekanizmit të bandës së Enver Hoxhës dhe në anë tjetër varfëria, mizerja, bota shumë e kufizuar e mendimit shqiptar brenda kësaj tiranie.

Me mijëra përshkrime të detajuara faktesh na japin shumë të qartë gjëndjen e mjerë në të cilën zvarriteshin shqiptarët,

Në qeli fillon dalë nga dalë të kuptojë, të realizojë konceptin se tashmë ka filluar të shkruaj librin e tij të jetës. Si përjetim dhe si histori. Si raport mardhëniesh njerëzore, si vetmi apo si vdekje. Bashkëbisedimet e ndërtuara si leksione filozofie e teologjie ndihmojnë autorin nё burg për lulëzimin e një numri idesh krijuese, zhvillimin e motivimit instruktiv. I bindur se motivimi është si një lloj zjarri i cili shuhet po nuk e ushqeve vazhdimisht,.

Si lexues fillon të ndjesh një frymë, të përshkohesh nga një element force psikologjike që të shton qёndrueshmёrinё psikoemocionale si qënie njerëzore, për të qënë më i guximshëm dhe më optimist në përballimin e situatave. Një njeri në një gjëndje psikologjike të rënduar nga faktorë të jetës së përditëshme e gjen veten në libër duke u fuqizuar me energjinë e fuqishme shpirtërore që të injekton autori personazh me arsyetimet dhe veprimet e tij. Ngjela ka krijuar modelin shpirtëror të njeriut të paepur. Liria e njeriut ёshtё gjithё thelbi i pёrsiatjeve tё autorit. Kur dhe si është i lirë njeriu, ky pёrbёn misionin e argumentave tё Ngjelёs. Në analogji me pyetjen që shtron Albert Camy te “Miti i Sizifit” se në cilin segment kohor Sizifi ishte i lirë. I lirë ishte kur zbriste kodrën dhe jo sepse nuk kishte mbi shpinë peshën e gurit, por sepse në këto raste ai ka mundësi të mendojë.

Mbas kësaj Ngjela na jep konkluzionin befasues për shoqërinë shqiptare në ato dekada komunizmi: shoqëria ishte pa ide, i mungonin idetë. Mendimi vinte I gatshëm nga guzhina e demagogjisë së diktatorit. I formuar me botëkuptim solid anglosakson kishte kuptuar mirë thelbin e thënies së Adam Smith: tragjedia e vërtetë e njeriut është varfëria e aspiratave të tij. Kjo është pika e nisjes. Tronditёs ёshtё pohimi i autorit lidhur me tri arsyet se pёrse ne shqiptarёt kemi kaluar gjithmonё situata qё na kanё bёrё tё ndihemi pa tё ardhme: nuk kemi ditur tё koperojmё me njёri tjetrin as nё politikё, as nё ekonimi e as nё jetёn shoqёrore, nuk e kemi pasur traditёn e sakrificёs pёr vendin tonё dhe, e treta gjithmonё kemi pasur frikё nga pushtetet e paligjshme.

Atёhere fatalisht duket shumë e vërtetë se nuk ka sens që të përpiqesh të bësh të lirë këta njerëz, të cilët nuk duan të jenë të lirë, ose e thënë në një mënyrë tjetër, njerëz që duan të jenë të lirë të jetojnë sipas mënyrës së tyre, në botëzën e tyre të lirisë, sipas mendësisë personale. Sikur njёra nga kёto arsye tё qёndrojё, ёshtё e mjaftё qё njё shoqёri tё mos egzistojё. Pale kur qёndrojnё tё treja. Sot, a janё pёrsёri shqiptarёt nё mes tё kёtyre tre arsyeve? Situatën e sotme të rrënuar të moralit të shoqërisë e shikon të lidhur ngushtë, si pasojë direkte e dëmit të jashtëzakonshëm që i solli hoxhizmi moralitetit njerëzor shqiptar dhe dinjitetit njerëzor.

Aftёsia pёr tё kombinuar disa elemente stilistikё, pёrshkrimin e fakteve tё jetuara me interpretimet socio-filozofike tё shkrira te njёra tjetra krijon njё harmoni tё orkestruar mirё, jep pёrshtypjen e njё toni unitar, pa monotoni. Eshtё treguar shumё i aftё nё ndёrtimin e tregimit bazuar nё burime tё ndryshme, pёrfshin thёnie dhe pohime tё ndryshme, bёn pohime personale dhe sinteza. Krijon te lexuesi imazhin e njё lidhjeje vazhduese midis sjelljes nё plan personal me papёrkulshmёrinё pёr njё qёllim tё caktuar, drejt lirisё. Analizon frikën si princip operativ të sjelljes në despotizëm dhe virtytin civik si princip operativ në demokraci. Autori trajton ato nocione bazë që përbëjnë strukturën e botëformimit të tij si qënie universale.

Na kujton pёrsёri nocionin filozofik se, njeriu me strukturë mendore gënjeshtare bie shpejt pre e një gënjeshtre akoma më të madhe, sistemit diktatorial. Në këtë kontekst Ngjela citon Albert Kamynë i cili në fjalën e ceremonisë së Çmimit Nobel u shpreh: Dy janë zotimet tona, të mos gënjesh për atë që di dhe të kundërshtosh shtypjen. Ngjela shtron pyetjen analoge: Për sa kohë do vazhdojmë të durojmë edhe shtypjen edhe gënjeshtrën që po na sundojnë?. Janë koncepte themelore të jetës njerëzore. Shtrimi me forcё i kёsaj pyetjeje dhe nevoja pёr tё dalё nga kjo letargji mendoj se pёrbёn ushqim tё shёndetshёm pёr mёndjen e shqiptarёve nё kohёn e sotme.

Autori e ka ofruar nё momentin mё tё duhur. Me kёtё vepёr Ngjela po provon edhe vlerёsimin maksimal por mbi tё gjitha heshtjen mbytёse tё elitёs kulturore shqiptare tё ngёrthyer keq me pushtetin. Edhe pёlqehet në heshtje, por edhe heshtet nga frika sepse nuk mund tё flitet hapur. Njё pjesё alarmohen kur mendojnё se nё volumin e tretё sё afёrmi (sikurse e ka deklaruar nё media) ai do marrё nё analizё periudhёn nga rёnia e regjimit komunist, nё vazhdim dy dekadat e proçeseve demokratike.

Mbi tё gjitha dy volumet e deritanishme tё Ngjelёs nuk janё njё ditar historik i diktaturёs komuniste, qёndrojnё pёrpara lexuesit si njё traktat, si njё metodё tё mёsuari, tё interpretuari dhe kuptuari bazat e tiranisё shqiptare. Ky libёr është si një hartë e cila të jep drejtimet e një të ardhmeje më të denjë, një program që të mundëson, që të lejon të ristrukturosh të ardhmen mbi bazën e të drejtave të njeriut.Pohimet e figurave politike realё nё libёr, tё pёrdorura jo me tepri, ndihmojnё shumё nё funksion tё interpretimit objektiv tё ngjarjeve. Ndihmojnё shumё lexuesin si elemente lidhёs, si nyje qepёse pёr tё bashkaur e mbajtur tensionin tёrёsor tё lexuesit pёr veprёn.

Unë nuk e di sesa i vetëdijshëm mund të jetë autori Ngjela për nivelin e lartë artistik të librit që ka shkruar. Vet ai që shkruan në shumicën e rasteve e ka të vështirë që të shikoj brenda stilit të tij, që të shijoj njëlloj si lexuesi artin e vërtetë. Meritë e këtij niveli të lartë është fakti që libri lexohet me të njejtin tension nga fillimi deri në fund. Tensioni mbahet, nuk jepet nё asnjё kapitull falë stilit mjeshtëror të të shkruajturit, duke ditur se stili nuk është gjë tjetër veç fytyra e shpirtit tё autorit, thoshte Seneka. Stili i Ngjelës nuk është gjë tjetër veçse një rend, një rregull dhe lëvizje që autori ka vendosur në organizimin e ideve të tija me një aftësi të veçantë për të shprehur artistikisht një koncept apo një ndjenjë.

Krahas kësaj më vjen të shtoj që Ngjela e trajton, e zbërthen historinë e tiranisë shqiptare njëlloj si ai mjeshtri në mësim përpara një auditori studentësh. Mjeshtri ka mbi tavolinë një orë të madhe antike, i zbërthen kapakun, duke shpjeguar fillon t’i heq një e nga një të gjitha mekanizmat sipas një radhe me numra të caktuar saktësisht. Ditën tjetër zhvillon temën e mbërthimit, shpjegon hollësisht montimin e ingranazheve pa gabuar në asnjë vidë deri sa në fund e mbyll kapakun, e kurdis dhe ora fillon të punojë në sytë e të pranishmëve.

Fakti që autori, duke qënë në qëndër të veprës edhe si protagonist aktiv edhe si tregimtar interpretues dhe argumentues i historisë e i kohës që analizon të shtyn të mendosh e të shtrosh pyetjen se, a çfaq ai nё libёr doza narcisizmi, megallomanie, vetpëlqimi duke qënë në qëndër të kësaj analize? A e ruan masën e autovlerësimit si autor protagonist në ngjarjet e librit?

Mendoj se këtu një parantezë do të na ndihmonte për të absorbuar përgjigjen e drejtë të kësaj pyetjeje.

Xhorxh Oruell në artikullin me titull- Përse shkruaj? shprehet: Mendoj se janë katër motive të mëdha që të shtyjnë të shkruash në çdo nivel të të shkruajturit prozë. Ato katër motive egzistojnë në shkallë të ndryshme te çdo shkrimtar dhe te çdonjëri nga ata proporcioni i këtyre motiveve ndryshon nga koha në kohë, në akordancë me atmosferën në të cilën ai jeton. Katër motivet janë:

a-egoismi i qartë, dëshira e të çfaqurit të zgjuarsisë, dëshira që të flitet për ty si shkrimtar, shtysa e fuqishme për të treguar se të tjerët nuk e bëjnë dot atë që bëj unë, dëshira për tu kujtuar mbas vdekjes, etj. Shumica e madhe e qënieve njerëzore nuk mbartin egoizëm të fuqishëm sepse nuk janё nё nivel krijuesi. Shkrimtarët i ndajnë këto karakteristika të mësipërme me shkencëtarët, artistët, politikanët, avokatët, ushtarakët e zgjedhur, biznesmenët e suksesshëm, shkurt me të gjithë shtresën më të lartë të njerëzimit.

b- entusiazmi estetik, me perceptim të bukurisë në botën e jashtëme ose në bukurinë e fjalëve dhe organizimin e tyre të drejtë. Kënaqsia e impaktit të tingullit të një fjale mbi fjalën tjetër, në ritmin e të shkruajturit të një historie të mirë.

(Industria e zbukurimit tё njeriut, tё femrёs, historikisht ёshtё zhvilluar deri nё çudira,M.A.)

c- impulsi historik, dëshira për ti parë gjërat ashtu si janë, të zbulosh të vërtetën e ta konservosh atë për përdorim në të ardhmen.

d- qëllimi politik, duke përdorur fjalën “politikë” në kuptimin më të gjërë të saj. Dëshira për të shtyrë botën që të rrethon në një drejtim të caktuar, të nxitësh te njerëzit e tjerë idenë e asaj shoqërie që ata duhet të aspirojnë. Edhe një herë, nuk ka libër që në mënyrë genuine të jetë i pastër nga retorika politike.

Kam qënë pjesë e shoqërisë ku lëvizte Spartaku në Tiranë përpara burgosjes, më thoshte me keqardhje një miku im (jo pak i ditur), dhe vetja sot më duket shumë i pazoti sepse nuk kam arritur që t’i shikoj e analizoj ngjarjet e asaj periudhe aq thellё sa ai në atë kohë. Spartaku i ka parë dhe analizuar ngjarjet në kupolën e diktaturës së Enver Hoxhës shumë më të avancuara në kohë sesa na dukeshin ne të tjerëve përreth tij. Në Bllok kishte edhe plot të tjerë të rinj që shikonin e që lexonin në gjuhë të huaja, por që nuk paskan pasur atë sy vëzhgues, analizues e sintetizues që ka manifestuar S. Ngjela.

Në raportet tona të përditëshme miqësore logjika argumentuese e tij në avancë shumë të shprehur për kohën kur flasim, neve afër tij na dukej si shenjë mëndjemadhësie, ekscentrike, nganjëherë nёn nxitjen e shakave tё moshёs i vishnim doza sharlatanizmi, nuk nguronim ta quanim mëndjemadh në një kohë që tani duket fare qartë se krahasuar me aspiratat e tij shoqërore ne të tjerët paskemi qënë ekscentrikët dhe shumë mëndjevegjël. Me njohuritë e sistemuara në mënyrën më instruktive në libër prej Z. Ngjela ndihesh i plotësuar intelektualisht në mënyrën më të qartë për sistemin komunist shqiptar. Nuk mbetesh konfuz, për të mos thënë injorant për këtë pjesë të historisë së popullit tënd. Ajo që të bën përshtypje dhe që, sidomos stili i të shkruajturit e ka sjellë shumë të natyrshme është fakti se të treguarit në libër është ndërtuar në formën e ballafaqimit të opinioneve dhe argumentave me ato të shokëve të tij të afërt.

Ai çfaq respekt dhe i vlerëson me konsideratë të lartë opinionet e kundërta tё tyre pa manifestuar nota nënvlerësimi dhe injorimi. E kam kërkuar me paramendim tendencioz çfaqjen sado rudimentare të narcisizmit të Ngjelës në libër. Rezulton shumë qartë se, sa herë ai vendos në ballancë vlerësimin për arsyetimet e veta, drejtësinë e opinionit të tij në raport me opinionet dhe argumentat e miqve të tij aq herë kam gjetur këtë përfundim pohues prej autorit Ngjela: për këtë argument koha më dha mua të drejtë, ndërsa për 1-2-3..etj., argumenta koha i dha të drejtë atij apo këtij tjetrit. Mendimi i tij, argumenti i tij ndodhet në të njëjtin nivel barazie matjeje me atë të të tjerëve.

Ndoshta ne akoma nuk e pranojmë dot supremacinë e logjikës argumentuese të një tjetri mё tё ditur dhe, të indoktrinuar siç vazhdojmë të jemi me mentalitetin barazitar të modestisë e barazisë komuniste kërkojmë barazinë e niveleve atje ku një barazi e tillë duket qartë që nuk egziston. Njerëzit e kultivuar janë superior mendërisht mbi ata të pakultivuarit në atë masë sa të gjallët janë mbi të vdekurit, thoshte Aristoteli.

Sado i vogël ose i parëndësishëm një detaj për logjikën e metodёn korrekte tërësore të analizës në libër, mendoj se ka një moment që lë shteg për koment kritik. Është fjala për detajin kur Kadri Hazbiu largohet në Hotelin e Lezhës mbasi i dërgon Enver Hoxhës letrën denoncuese për Mehmet Shehun. Autori këtij detaji mendoj se i ka dhënë ngjyra dramaciteti teatral joreale, të egzagjeruar për realitetin. Të gjithë e dinin mirë se në periudhën për të cilën flitet, kur tensioni psikologjik i kontrollit e survejimit mbi Mehmetin dhe Kadriun, ashtu si edhe rrethin e bashkëpunëtorve të tyre në atë kohë ka qënë në shkallën maksimale. Enveri e kishte Kadriun në çark, të kontrolluar në çdo hap e sekond e ky i fundit nuk kishte se nga të lëvizte, e jo më të arratisej. Ky është një detaj që mendoj se nuk qëndron brenda zhvillimit shkencor strikt të analizës së autorit. Kam një rezervë, nuk dua të nxitohem.

Mbase, mbase Z. Ngjela zotëron informacion më të hollësishëm dhe shumë më bindës për këtë moment të cilin për arsye të ndryshme nuk dëshiron ta bëj të njohur për lexuesin, mirëpo vetëm kaq sa ka dhënë të jep shkak për të arsyetuar si më sipër. Ndoshta mund tё mos e pёrmendja fare kёtё mikrodetaj pёr gramin qё pёrbёn nё raport me tonin e librit, por skrupuloziteti i metodёs shkencore tё vet autorit, imponon evidentimin edhe tё kёtij detaji qё jep pak paqartësi në raport me saktёsinё e tё vёrtetave të panumërta tё analizuara në libër.

Së fundi dua të them se në veprën shumë të rëndësishme të z.Spartak Ngjela bëhet fjalë për një vuajtjen tonë të madhe si popull, për një historinë tonë më të dhimbshme e gjakatare, të abuzuar në mënyrën më të papërgjegjëshme nga klasa politike dhe grupe të caktuara shoqërore, bëhet fjalë për përgjumjen popullore dhe makabritetin e luftës për pushtet në kupolën e diktaturës komuniste, e cila në libër është faktuar, shpjeguar, vërtetuar, analizuar dhe projektuar për të ardhmen në mënyrën më dinjitoze, si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëhet kulturës dhe historisë shqiptare. Një fjalë e urtë thotë: leximi i një libri shumë të mirë është njësoj si të bashkëbisedosh me njeriun më të ditur të kohës.

Mendoj se në ndërtesën e madhe tё historisë shqiptare, departamenti i diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dominohet tërësisht nga vepra e Spartak Ngjelës “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Do imitoj autorin duke pёrdorur shprehjen e tij qё, koha do ta tregojё.