Racës sime

0
25


Koloreto Cukali

Personalisht, nuk prisja që ngjarja e Stacionit të Trenit, Tiranë, të ndillte vëmendjen e shtypit. Pse? Sepse kam jetuar me idenë që shqiptarët “dinë të ndajnë punët e tyre nga punët e jevgjëve”. Madje, në një nanonews të asaj dite me titull “Shoqëri raciste apo e dehumanizuar?” e shprehja këtë gjë mes rreshtave. Mirëpo, ditët më pas e përgënjeshtruan “bindjen” time. Pati reagime që ç’ke me të. Gazeta Tema është marrë mirë me këtë problem. Sokol Balla më provokoi një déjà vu, teksa përmendte në shkrimin e vet të revistës Mapo disa fraza, që mua m’i ka zënë veshi në të ritë tim buzë lumit Osum, gjatë verës, kur aty zbarkonin tributë e vockla e të paqme “të arixhinjve”: Lluku lluku babashta, Kuarafti Minxhi, Kuarafti qibufti, etj.

Ndërsa në Shekulli ishte një shkrim i Koloreto Cukalit, të cilin “e kam krehur pak” (për ta bërë më të online-izueshëm). Është dëshmi e atij humanizmi, të cilin unë s’mund ta lexoja në shoqërinë shqiptare në momentin e parë të lajmit; është ndoshta dhe dëshmi e pranisë së vizioneve e këndvështrimeve gjenuine liberal-progresiste në shoqërinë tonë, të cilat dallohen për beteja në mbrojtje të të drejtave të pakicave të margjinalizuara. Reagimi i ngjashëm i Vasilika Hysit, eksponente e rëndësishme e PS-së, ecën në të njëjtin drejtim. M. Nano.

1. Pas Gërdecit, ngjarja më e rëndë që kam përjetuar në këtë vend, është ajo që u denoncua me mjaft vonesë: spastrimi racor i 45 (a më shumë) familjeve rome në periferi të Tiranës. Edhe 21 janari është i rëndë, e unë nuk e harroj 21 janarin. Por romët e djegur te Stacioni i Trenit nuk kanë ardhur kurrë në derën e kryeministrit. Ata ndoshta nuk kanë hyrë kurrë as në qendër të Tiranës, përveçse për të lypur.

2. Vetë termi “rom” sot, më duket një hipokrizi mediatike. Për ne, ata janë jevgj, tërë ditën e ditës, në të tëra komunikimet tona të përditëshme, që nga ministri e deri tek vetë jevgjit. (term jo i saktë ky, por që ne e përdorim në mënyrë gjithëpërfshirëse për të tërë shqiptarët me ngjyrë)…. Unë nuk mund t’i quaj “romë” sa për protokoll, kur ne tërë ditën i trajtojmë si jevgj. Deri dhe i djegim si jevgj. Këto gjëra, ndodhin si të ishin normale në shtetin tim. Po ky nuk është shteti im. Ky është shteti i tropojanëve.

3. Dua t’u kërkoj paraprakisht ndjesë atyre tropojanëve të ndershëm që jetën e tyre e kanë ngritur pa u kacavjerrë në hardhinë e të parit të fisit që pushtoi Tiranën. Dua t’u kërkoj ndjesë, se ka shumë prej tyre që Tiranën e kanë fituar me mund, e nuk ua kanë dhënë në pjatë nga torta e pushtetit. Aq më tepër kur problemi nuk është thjesht e vetëm te tropojanët. Janë skraparlinjtë. Janë shkodranët. Janë gjirokastritët. Janë dropullitët…. Problemi është tek koncepti tribal i ardhjes në pushtet “krahinçe”. Krahina nga vjen, është CV-ja jote.

Mentaliteti qeverisës është se kur vjen në pushtet e quan normale të tërheqësh në punësim në administratën e shtetit të tërë rrethin prej nga vjen, tërë kushërinjtë deri në 4 breza. Bizneset favorizohen në bazë krahine, shokësh klase e kushërinjsh që më parë as i kishe parë kurrë. Çdo ministër, e kthen ministrinë e vet në oaz ku peshkojnë tërë farefisi e krahina që e ka votuar….. Jo më kot, emrat e të dyshuarve për krimin ndaj jevgjve te Stacioni i Trenit kanë rrjedhur vjedhurazi nga dosjet e shtetit. Sepse janë nga krahina që është në pushtet. Për policinë, romët kanë ikur me dëshirë.

Ky sistem i administrimit të pushtetit me baza krahinore ka rrënjë të thella, që tek Zogu, klani Kapo, e deri sot. Lufta e famshme e klasave jo rrallë u shndërrua në luftë raciste, mbi bazë feje e krahine. Tropojanët vetëm se janë më me fat se korçarët, meqë kanë qëlluar më gjatë “në pushtet” se krahinat e tjera. Jam kurioz të di si do jenë korçarët kur të kenë një kryeministër, president a kryeparlamentar të tyrin. Kjo mënyrë e ndërtimit të shtetit, ka bërë që të tërë të presim rradhën që bashkëfshatari ynë, të ngjitet në piramidë. Sot ata, nesër ne. Sot tropojanët, nesër vlonjatët. Do vijë dhe dita jonë. Të vetmit që nuk kanë kurrë shpresë as të lypin (e jo më të ngjiten) poshtë piramidës së pushtetit janë jevgjit. Prandaj, ata që ndjehen që “janë në pushtet” mund të marrin flakëhedhësen e të bëjnë spastrim racor.

4. Nëse ato do të ishin 45 familje pukjane, matjane, skraparliote, aq më tepër tropojane, askush nuk do kish guxuar t’i digjte. Por, meqë janë familje jevgjish, dhe shteti nuk është e s’do të jetë kurrë i jevgjve, ata mund të digjen kollaj. Ndoshta, ajo tokë dikujt i duhet e pastër. Mos të guxojnë më të kthehen! Në një kohë kur tërë Shqipëria është “tokë e xanun”, barrakat e jevgjve janë më të pambrojturat. Ato nuk kanë peshën e shtëpive të të ardhurve të tjerë të vendosura dhunshëm në tokë të tjetërkujt këto 20 vjet. Ata të tjerët, janë krahina që nesër pasnesër do të vijnë në pushtet. Jevgjit mund të përzihen nga banesat e tyre të mjera, të dhunohen e të digjen, sepse, shteti im është një shtet i ndërtuar mbi racizmin.

5. Racizmi ynë si popull as nuk fillon e as mbaron me jevgjit. Ne kemi shpikur termin “çeçen” për gjysmën e popullsisë. Ne i quajmë “skocezë”, me ironi, ata që vijnë nga Skrapari. Ne i quajmë me përbuzje “turq” myslimanët e Shkodrës, dhe themi “grekët e ****t” për sarandiotët. Ne, tropojanëve u themi ligësisht “malokë”. Në 97’n në jug të bënin provën e gjuhës së “malokut”: po ta shqiptoje “xhashtë” në vend të gjashtë, mund të haje plumbin. Sepse, urrejtja ndaj një personi ishte shnëdrruar në racizëm ndaj krahinës prej nga vinte. Ne, që jemi populli i përbuzur i trotuareve të Evropës. Dhe paradoksi është, që po ata tropojanë që (dyshohet se) dogjën barakat e jevgjve, kur shkojnë në Greqi trajtohen pak më mirë se ata jevgjit e Stacionit të Trenit.

6. Njeriu më i klikuar në Youtube, është Marseli i Selitës, në një këngë të Aurela Gaçes. Dhe kënga nuk është e klikuar aq prej Gaçes, sesa prej jevgut Marsel. Ne nuk i kemi dhënë asnjë shans jevgjve të integrohen. Ne nuk kemi bërë asnjë përpjekje për ta kuptuar kulturën e tyre, e cila, në disa aspekte mund të jetë më superiore, të paktën për nga vlerat njerëzore, se e jona, që jemi racë e bardhë nga jashtë e e zezë nga brenda.

Unë kam pasur mundësi të intervistoj jevgj, dhe kam parë me habi që dashuria mund të mbijetojë dhe te fusha e plehrave; që përkushtimi, mund të jetë më i fortë mes njerëzve që skanë as bukë të hanë; që mirësia, mund të jetë më e thellë aty ku ngjyra është më e errët…. Ne nuk kemi për t’i hasur kurrë ata në Living Room, as në zyrat e Ministrisë së brendshme, as në bankat e shkollës së mesme. Ata nuk janë kurrë aty, sepse ato dyer janë të mbyllura për ta, falë edhe heshtjes sonë fajtore. Ne harrojmë që ata ekzistojnë, sepse, i vemti kontakt i yni me ta është ose kur ata lypin, ose kur ne klikojmë videon e Marselit të Selitës. Ose, kur shohim në lajme shkrumbin e barakave të tyre.

7. Unë nuk kam si ta di se çfarë fshihet pas spastrimit racor të jevgjëve nga zona pranë Stacionit të Trenit. Policia nuk do të tregojë se ç’po ndodh. Politika ka halle diabeti – secili e do tortën e pushtetit për vete. Do bëhet ca zhurmë, ndoshta, por ata jevgj, sado “skema kafshate” të ngrejë Kryeministri, nuk kanë për t’u rikthyer më kurrë aty. Edhe sikur të dalim e të lidhemi me zinxhirë te Ministria e Rendit, edhe sikur të vijnë dhjetëra delegacione nga Evropa, ata janë tashmë të djegur pa kthim.

Ne nuk i shpëtojmë dot më, sado shkrime të bëjmë në gazetë e kronika në TV. Jetojmë në vendin ku qeverisin shurdhët e ku çudia më e madhe, 3 ditë zgjat. Në ditë si kjo, e urrej veten që i përkas racës sime. Racës së bardhë, me shpirtin e zi.