Qyteti “Studenti”, 32 lokale e disko, 20 internet-kafe, vetëm 1 bibliotekë

0
98

—- Nga Matilda Alku, gazeta IDEA—-

Tiranë – Të gjithë, mendoj, e keni parasysh Pinokun naiv që u gënjye nga një djalë i keq, i cili i tha: Hej Pinoko, çe do shkollën, hajde se do ikim në një qytet të mrekullueshëm. Atje nuk ka shkollë, nuk ka libra, ka vetëm gallatë, ka femra, ka pije, ka muzikë, u ça qejfi…”.

Por të tilla vende nuk ka vetëm në përrallën e Pinokut, ka edhe në Shqipëri një qytet të tillë. Ai quhet Qyteti “Studenti”. Nëse dikush mendon se atje ka stres provimesh, ka studime, salla leximesh ku të rinjtë ngulin kokën mbi tavolina, ka biblioteka me libra e literaturë shkencore, e ka gabim. Atje ka vetëm lokale, kafenera, diskoteka me muzikë live, pije energjike dhe alkoolike, ka internet pafund në çdo konvikt, ku çunat e gocat bëjnë gjithë ditën gallatë në facebook, gjejnë dashnore, zihen… Ka edhe një bibliotekë, por ajo është me librat që nga koha e prindërve të studentëve, kështuqë nuk iu hyn në punë….

Eshtë fillim shtatori dhe kjo kohë përkon me rikthmin e gallërisë në Qytetin “Studenti”. Edhe pse ende pa nisur viti i ri akademik, valixhet e atyre që kanë për të shlyer detyrimet e vjeshtës, kanë nisur të zhurmojnë rrugicave të këtij qyteti. Duke patur parasysh shprehjen e famshme për studentët, që një provim për vjeshtë, të paktën një e dashur dhe ca para borxh të bëjnë vërtet student, atëherë këto ‘të vërtetët’ janë rikthyer në kampusin e tyre.

Qyteti Studenti këtë vit vjen me dy risi që çuditërisht nuk tingëllojnë shumë studentore. Një superlokal, i ndërtuar në Sheshin Demokracia, i cili ka kohë që ka ndaluar së qënuri një shesh, i zaptuar nga karriget e lokaleve aty pranë, dhe risia e dytë është një godinë për çiftet e dashuruara. Dy të reja që janë larg qëllimeve studentore, ashtu siç i githë qyteti është në fakt larg filozofisë së të studiuarit.

Në një vëzhgim të Gazetës IDEA, Qyteti i Studentëve vetëm brenda vijës së tij të verdhë numëron plot 32 lokale, mbi 20 internet kafe dhe vetëm një bibliotekë dhe një kancelari që shërben njëkohësisht edhe si librari. Në të vetmën bibliotekë të kampusit më të madh studentor në të gjithë vendin, fondi i librave nuk është rinovuar prej vitesh, madje edhe ato pak studentë që preferojnë bibliotekën në vend të larmishmërisë së lokaleve ankohen se nuk gjejnë në këtë bibliotekë literaturën që u kërkohet në fakultet.

“Biblioteka nuk ofron asnjë nga literatura që na kërkohet në shkollë sepse aty mungojnë librat e viteve të fundit. Nëpër sallat e studimit ka shumë pak student dhe një pjesë e tyre e shfrytëzojnë këtë rast për të “gjuajtur”, jo për të studiuar.”- tregon për IDEA, Lorena Kapxhiu, student e anglishtes.
Në Qytetin Studenti lulëzojnë çdo ditë e më shumë biznese nga më të ndryshmit, shtohen lokalet, fast foodet, dyqanet, pakureritë dhe në mënyrë të papreçedentë pakësohen çdo ditë e më shumë hapsirat e studimit.

Një nga këto hapsira kanë qënë sallat e studimit në katet e para të godinave, të cilat prej dy vitesh janë përgjysmuar nga një hapësirë interneti ku vajza dhe djem të zhurmshëm komunikojnë tërë kohën me miqtë e tyre virtual, pra janë shndërruar në salla facebook-u. Dhe e vetmja gjë që ndan sallën është një mur kartoni që përçon çdo zhurmë dhe çdo tingull. Realteti në këtë ish-hapirë dedikuar qetësisë dhe studimit tashmë është i tillë, i ndarë në dy kampe nofkash. Nëse je në anën e “qejflinve të facebook-ut” do shqetësohesh tërë kohën nga një goditje që vjen nga përtej murint prej kartoni, që simbolizon faktin që duhet ta kyçësh gojën, por nëse je në anën e “murgeshave studioze” do të duhet të mos e kesh problem të lexosh nën sfondin e muzikës, valës së të qeshurave dhe zhurmës së vazhdueshme të tastave të kompjuterit.

Kemi patur shumë probleme me sallat e internetit. Vajzat shpesh zihen me njëra tjetrën, disa duan të lexojnë në qetësi, të tjera duan të dëgjojnë muzikë. Ka patur raste të caktuara ku më kanë njoftuar të ndërhyj për t’i qetësuar.” – pranon Mirsie Vulaj, administratore e Bujtinës 11.

Për t`iu rikthyer numrit rekord të lokaleve, që ia kalon edhe numrit të godinave të studentëve, problem para së gjithash përbën vendodhja e tyre që është shumë pranë konvikteve të studentëve. Në qytetin Studenti, ndryshe nga çdo pjesë tjetër të Tiranës, ka party çdo ditë, jo vetëm në fundjavë. Në një marrëveshje të pashkruar, pronarët e lokaleve kanë rënë dakort të ndajnë ditët kur të organizojnë festa me këngëtarë dhë banda live. Nëse jeni duke kërkuar për një party gjatë javës, nga e hëna në të premte, në QS me siguri do të gjeni diçka.

Lokali më i madh që ka të ftuar këngëtar live dy ditë në javë dhe që organizon party-t më të zhurmshme është vetëm 20 metra larg godinës 11. Dhe nëse qëllon të kesh provim ditën e mërkurë apo të enjte, gjithçka të ngelet të shkruash në provim janë tekstet e këngëve që të duhet t’i dëgjosh vazhdimisht deri në orët e para të mëngjesit. Dhe fakti alla studentësh shqiptar në të gjithë këtë, është se me apo pa sezon provimesh, lokalet janë gjithmonë plot.

Me gjithë panoramën e mësipërme të përbërë nga dhjetra lokale luksoze në pak metra, nga party dhe muzikë live thuajse çdo natë, nga me vajza me taka dhe minifunde, me qëndra internet që më shumë sesa vende kërkimi informacionesh shërbejnë si qëndra facebook-u, Qyteti Studenti e meriton pa frikë nofkën “Qyteti i Qejfi dhe Argëtimit”.