Qyqarë, skandali u kry!

0
39


Arben Rrozhani, 04.12.2010

“Qytetari duhet ta njohë dhe kontrollojë pushtetin”. Me këtë moto shumica dërmuese e të anketuarve online kanë votuar në një blog, për të mbrojtur rrjedhjen e lumit të informacionit, me të cilin “Wikileaks” po trondit botën. Në fakt, nuk ka shumë vend për të tronditur shqiptarët.

Gazetarët nuk po gjejnë “skupet” për të bërë bombastike mediat e shkruara dhe vizive. Publiku, përveç lajmeve globale, nuk po merr ndonjë “gjë të re” për Shqipërinë dhe qeverisjen e saj vitet e fundit.

Dhe të gjithë më kot presin. Ato çfarë mund t’u thotë “Wikileaks”, shqiptarët i kanë parë dhe i kanë “ngrënë”. Ato çfarë mund të provonin se është bërë në vendin e tyre kanë qenë hallka të zinxhirit të skandaleve qeverisëse, ata i kanë përjetuar në kurrizin e tyre.

Kur gazeta “Shekulli” publikoi dy ditë më parë skandalin e përdorimit të biznesit nën hyqmin e qeverisë për të shkatërruar jetët njerëzore, skandali ishte konsumuar dy vite më parë dhe ishte publikuar.

Kompania e naftës që me etjen për të shtuar fitimet për vete dhe mbështetësit në qeverinë shqiptare, kishte arritur që të bëhej vetë “Zoti” duke iu sjellë banorëve të mbi 300 shtëpive të Zharrëzës në Patos tërmetin që u shkatërroi shtëpitë, duke i bërë të pabanueshme.

Ata dolën në rrugë, deshën të përzinin firmën grabitëse të naftës dhe të jetëve njerëzore, kërkuan më kot ndërhyrjen e qeverisë dhe e lanë me aq, protestën e tyre legjitime në mbrojtje të jetës dhe të pasurisë. Si qyqarë!
Edhe më tragjikisht në Gërdec.

Nuk ka pse na e thotë “Wikileaks”, nëpërmjet diplomatëve të huaj, se NATO ishte dhuratë për një qeveri që merr jetë njerëzish. Të gjithë e mbajmë mend shendin e kryeministrit në 3 prill 2008, kur mori ftesën për anëtarësim në NATO në samitin e Bukureshtit.

Aty mungonte vetëm ish-ministri i Gërdecit dhe ish-shefi i shtabit, që të plotësohej “krahu i armatosur” qeveritar, që vetëm 18 ditë më parë kishte marrë 26 jetë njerëzore, mes tyre disa fëmijë dhe nëna të reja, kishte hedhur në erë një fshat të tërë pranë kryeqytetit të vendit dhe kishte hapur një krater të madh korruptiv, që sot pas dy vitesh e gjysmë është bërë edhe më i thellë. Qeverisë i duhej kjo kamerdare shpëtimi dhe Perëndimi ia hodhi atë në emër të NATO-s dhe zgjerimit të frontit anti-terror.

Sot ende ata njerëz që kanë mbetur, siç thotë populli, “gjallë e për seri”, zvarriten nëpër seanca gjyqësore që nuk bëhen kurrë, shohin se si vrasësit e tyre me kostume qeveritarësh janë edhe më lart dhe më harbutë se sa ishin para masakrës që u mori të dashurit e tyre dhe bëjnë apele të dhimbsura për drejtësi. Si qyqarë!
Tragjikomike edhe më keq në Shkodër.

Duhet të qeshim apo të qajmë për dramën njerëzore që po luhet në djepin e kulturës dhe të inteligjencës? Ku është ai popull që katër dekada e sfidoi regjimit më obskurantist të lindjes komuniste, me shpirtin e rezistencës qytetarë dhe sarkazmën shkodrane?

Nuk është moti se siç thonë në Shkodër “shkodran të terun dhe lezhjan të krehun nuk ka”, por është qeveria. Është ai model qeverisës ndaj të cilit, në vitin 1989 nisën të parët në Shqipëri rrëzimin e busteve, protestat e hapura politike dhe sfidën e hapur ndaj komunizmit shkatërrimtar.

Sot shpirti rebel, qytetar dhe intelektual i Shkodrës ka vdekur, bluja politike është mavia në fytyrat e mardhura prej të ftohtit që u ka hyrë në palcë nga uji, një bojë njeriu që ka pushtuar për të pestën herë brenda vitit ultësirën më pjellore dhe më të bukur të veriperëndimit.

Shkodranët nuk e kanë bjerrë humorin, por kanë humbur sarkazmën dhe thonë se tani po hedhin grepin për peshk nga dritaret e pallateve për përmbytura, prej nga shohin dhe dëgjojnë prej gojës së Berishës dhe Topallit komplotet galaktike që natyra i paska bërë Shkodrës në vitin 2010. Si qyqarë! Tragjikisht për të gjithë ne.
Megjithatë, po i presim “kabllat” e sajtit të Julian Assange.

Ndoshta aty gjejmë bisedimet e fshehta mes qeveritarëve shqiptarë dhe partnerëve amerikanë për rrugën e kombit, që iu dhurua një firme amerikane, nën bekimin e ish-ambasadores amerikane në Tiranë, Marsi Ris, se çfarë mendonte ambasada amerikane për lobimin e ish-kongresmenit republikan Tom Rixh për afrimin e Shqipërisë në NATO, se si e shihte ajo faktin që në krah të tij ishte Damir Fazlliç, njëri prej sekserëve ballkanas, mik i deklaruar i kryeministrit Sali Berisha; se si një aksident i dyshimtë, në 12 shtator 2008 i mori jetën dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe u mbyll shpejt e shpejt nga një ekspert amerikan; se çfarë mesazhesh shqetësuese përcillte në ambasadën amerikane e te të tjerat, import-eksporti i dyshimtë i armatimeve nga Serbia apo Irani për ta dërguar në duart e krahut radikal të Hezbollahut në Liban, apo në Azerbajxhan; se si është harta e paktit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilën ekipi negociator shqiptar tha vjet se e kishte, por nuk mund ta bënte publik; se mos aty do të jepet korrespondenca diplomatike për masakrën zgjedhore të 28 qershorit, qëndrimin amerikan apo të OSBE/ODIHR-it për vjedhjen që iu bë vullnetit të shqiptarëve për të rrëzuar me votë keqqeverisjen; se si përcillen nga diplomatët e huaj në Tiranë lidhjet e hapura të qeveritarëve shqiptarë, nën emra kunetërish, motrash apo dajallarësh në afera të dyshimta, në pastrim parash, apo real-estate; se si nëse gjatë kohës së qeverisjes kleptokrate të Nanos, nëse i bije me “thupër” qeverisë me një shkrim në gazetë, ai i tërhiqte duart, duke u distancuar nga skandali, kurse gjatë qeverisjes së Berishës nëse kërkon t’i biesh me ,po atë thupër, ai ta merr nga dora e ta thyen kokës dhe jo vetëm që nuk i ikën skandalit, por është tutori i tij, i ministrave, e turli familjarësh të tyre…

Tragjikisht bashkë me ne të medias, pret edhe opozita. Që kur kanë dalë “kabllat” e sajtit të Julian Assange, nuk del më as deputeti i radhës me fletushkat e korrupsionit qeveritar në duar. Presim pra, që skandalin, që ka shoqëruar jetët tona këto vite, të na e thotë “Wikileaks”. Si qyqarë!