Qumështi kancerogjen vazhdon të shitet në markete

0
95

TemA, 25 Shkurt 2013

Qumështi i nxjerrë nga tregu prej Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUVK), vazhdon të jetë i ekspozuar në marketet e Prishtinës.

Zyrtarisht qumështi “Zott” me 3,5 për qind yndyrë me datë të skadimit, 10.06.2013, 25.06.2013 dhe 20.05.2013 me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina është i nxjerrë nga tregu, por i njëjti të dielën është parë të jetë i ekspozuar në një nga qendrat më të mëdha tregtare në vend. Po ashtu, nga tregu me vendim të AUVK është hequr edhe qumështi “Dukat” me 2,8 për qind yndyrë.

“Ne nuk e dimë që ky qumësht nuk duhet të shitet, ne do ta njoftojmë menaxherin dhe ai vendos për këtë çështje”, tha njëri nga punëtorët e një supermarketi që nuk deshi të identifikohej për gazetën. Por, ndërsa qumështi kancerogjen po shitet nëpër markete, zyrtarët e AUVK-së vazhdojnë të këmbëngulin se produkte të tilla nuk ka në treg, por vetëm në depo të kontrolluara dhe të bllokuara.

300 mijë litra qumësht të bllokuara

Zyrtarë të AUVK-së thonë se një sasi e madhe e qumështit, prej më shumë se 300 mijë litrash, është bllokuar nëpër depo të kompanive private që e kanë importuar, pasi që gjatë analizave që ka bërë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AVUK), ka konstatuar se prania e alfatoksinës në atë sasi është shumë më e madhe se normat e lejuara në vendin tonë.

Zëdhënësi i AUVK-së, Lamir Thaçi, thotë se sasia e qumështit që po bllokohet nëpër depo dhe pika kufitare çdo ditë është duke u rritur. Sipas tij, aktualisht AUVK ka nxjerrë nga shitja dhe ka bllokuar nëpër depo më shumë se 300 mijë litra.

Por, sipas tij, kjo nuk është shifra finale pasi që sasia është duke u rritur çdo ditë e më shumë. “Shumë maune i kemi bllokuar nëpër pika kufitare, dhe ato janë duke u kontrolluar në detaje. AUVK nuk do të lejojë që të dalë në treg qoftë vetëm një litër qumësht që është më përmbajtje të dyshimtë”, tha ai.

Ç’është alfatoksina?

Alfatoksina është prodhim i zhvillimit të mykut Aspergillus Flavus. Krijohet në vendet ku ka klimë të lagësht, si edhe si pasojë e thatësirave. Në Serbi është krijuar si pasojë e misrit gjatë thatësirave të vitit 2012, ku vlerësohet se rreth 70% e misrit është e infektuar.

Nëpërmjet misrit që përdoret për ushqim të kafshëve, alfatoskina ka arritur në organizmin e kafshëve. Alfatoksina që gjendet në qumësht është kancerogjeni më i fortë dhe më i njohur që gjendet në natyrë. Në Serbi sasia e lejuar e alfatoksinës në qumësht është 0.05 mikrogram për litër, ndërsa në BE është 0.0025.

Për t’u prodhuar një kilogram djathë, nevojiten më së paku 3.5 litra qumësht, çka do të thotë se 3.5 herë më shumë sasi e qumështit të infektuar duke rrezikuar po aq shëndetin e njerëzve. Kur një herë hyn në zinxhirin e ushqimeve, alfatoksinet shumë vështirë mund të shkatërrohen.

Personat e rritur kanë tolerancë të lartë në alfatoksina, pasi janë të përhapura shumë në natyrë. Nëse janë për një kohë të gjatë të ekspozuar, rreziqet janë më të mëdha, dhe sëmundja më e shpeshtë që paraqitet është kanceri i mëlçisë.

Ushqimeve të kafshëve dhe koncentrateve mund t’u shtohen minerale të caktuara që mundësojnë që kafshët me lëngje ta nxjerrin helmin nga organizmi dhe të mos lidhet me mishin. Pas tri deri shtatë ditë pas ndërprerjes së ushqimit të lopëve që milen, alfatoksinet zhduken nga qumështi.

Pasi ushqimet e kafshëve janë të helmuara me misër, atëherë ky kancerogjen do të paraqitet tek secili prodhim që është pasojë e konsumimit të ushqimit të helmuar, si qumësht, djathë dhe prodhimet tjera të qumështit.

Përdoruesit as nëpërmjet aromës apo shijes nuk mund ta vërejnë se qumështi është toksik. Efektet toksike primare manifestohen me ndryshime të organeve të tretjes. Alfatoksikozat veprojnë me përkeqësim të shpejtë të gjendjes së organizmit, me gjakderdhje të brendshme dhe vdekje. Për të ndodhur një gjë e tillë, duhet të konsumohet një sasi e madhe e alfatoksinës./ZERI