Nga Arben Manaj, 20 Mars 2013
Vizitën e kryeparlamentares së Shqipërisë në Londër nuk kisha mundësi praktike ta mbuloja për shkak se atë ditë që ajo ka shkuar në Londër, kam qenë fizikisht në Tiranë.
Është njoftuar zyrtarisht se Britania ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e integrimit. Nuk kam arsye ta dyshoj një gjë të tillë, dhe do doja të ishte kështu, edhe pse një gjuhë dhe zhargon i tillë takimesh zyrtare, thotë ose nuk thotë asgjë shpeshherë. Por sinqerisht po e besoj.
Takime të natyrave të tilla përgjithësisht janë me vlerë dhe ndihmojnë në promovimin e vendit dhe kanë një mision të caktuar politik. Nuk e di se sa vlerë reale kanë takime të tilla në përcaktimin e politikave zyrtare dhe nëse janë ose jo politikanë të nivelit të tillë si ai i Kryetarit të Parlamentit, në rastin konkret ai britanik, që merren përditë me marrëdhëniet dhe politikën e jashtme të një shteti.
Nuk besoj, edhe pse një Kryetar Parlamenti i çdo vendi mund të prononcohet diplomatikisht në emër të vendit të tij. Por realisht politikën e madhe dhe të përditshme e luan në rastin e Britanisë Kryeministria dhe Forin Ofisi.
Prononcimet nga këto dy instanca, padyshim kanë një vlerë tjetër politike dhe janë të ardhura nga burimi, sa për të tjerët, të jem i sinqertë, janë fjalë që thuhen se duhen thënë për kortezi politike.
Ajo që më duket shqetësuese në vizitat e shumta të Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë anekënd botës, përkundër versionit zyrtar të promovimit të qëndrimeve politike dhe axhendës integruese dhe promovimit të çështjes së Kosovës, siç është thënë disa herë në disa vende, janë kostot financiare të vizitave të tilla që shpesh shoqërohen me shpura të fryra deputetësh, e deri tek korrespondentë mediash shqiptare që me gjithë respektin që kam, bëjnë vetëm rolin e stativit.
Shqipëria është vend i varfër, duke lënë pas edhe Gjermaninë, siç tallen rrugëve të Tiranës, dhe si i tillë nuk ka luksin të tolerojë shpenzime të tilla për vizita që nuk jam i sigurt nëse realisht sjellin gjë me vlerë politike apo diplomatike.
Politika dhe diplomacia britanike, ashtu si edhe ajo vendeve të tjera, ka format e veta të formëzimit të qëndrimeve të tyre politike në relacion me një vend të caktuar dhe nuk mbetet të influencohen ekskluzivisht nga vizita të natyrave të tilla.
Parlamenti shqiptar është një institucion publik qe financohet nga taksapaguesit shqiptarë dhe shpenzimet e deputetëve dhe Speaker-es, do të duhet të jenë nën kontroll dhe auditim të rreptë financiar. Ky është leksioni që vjen së pari nga parlamenti ose “Nëna e Parlamenteve” siç është ai britanik.
Kur mendoj gjendjen në atë repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Tiranës që pashë me sytë e mi disa ditë më parë, kur një e afërmja ime ju nënshtrua një operacioni, me ato muret e nxira nga egrasia dhe korridoret e pista dhe pa pllaka, që të ngjallte krupën dhe frikën, do të ishte mirë që Shqipëria të shpenzonte në rregullimin e këtyre gjërave më parë, sesa te shpenzoj në vizita dhe qoka të shtrenjta për një vend të varfër si Shqipëria.
Me këto shpenzime mund të ishte rregulluar edhe gjendja e ndonjë familje të përmbytur në Shkodër së fundmi, apo të ndihmohej ndonjë familje që i është prishur shtëpia nga rrëshqitjet e dheut në Mallakastër.
Do të doja që integrimi i Shqipërisë të jetë përshpejtuar nga kjo vizitë edhe pse e dyshoj. Po ashtu, shpresoj që Kryeparlamentarja shqiptare të ketë mësuar nga përvoja britanike e drejtimit të parlamentit britanik, që është një nga më të spikaturit dhe më demokratikët në botën e qytetëruar, një kryeparlamentare, e cila e ka edhe për detyrë shtëpie të korrigjohet, pasi është më e kritikuara zyrtarisht nga raportet ndërkombëtare.
Ose në fund të fundit në të kundërt të saj, shpresoj të mos ketë ndikuar për keq në mbarëvajtjen e kështu e tutje të parlamentit britanik dhe infektimin e homologut të saj britanik me eksperiencën shqiptare të drejtimit të parlamentit.