Endri Xhafo, 22.07.2011
Tregojnë një histori të fortë me Skënder Gjinushin, kur u prish me Sali Berishën:
– “Po ti ç’pate”, e pyetën.
– “Po boll më”, shpërtheu asokohe “profesori”. “Më ka ardhur në majë të hundës të hyj në zyrën e tij me mendtë e mia dhe të dal me të tijat”!
Në fakt, Kryeministri Berisha ka një aftësi të rrallë sugjestionuese. Në sajë të kësaj aftësie, gërshetuar me autoritarizmin politik që i buron prej pushtetit, ai e ka vulosur grupin e vet parlamentar. Jo vetëm homogjenizimi i mendimit, por edhe artikulimi i argumentit është thuajse identik. Rasti i fundit, ai i miratimit të ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.
Tani t’i kundërvihesh prishjes së Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori” (QNK) është paksa delikate. Në këto kohëra mund të të marrin për komunist dhe të të akuzojnë si anti-parlamentar, ndonëse qendra mban emrin e një disidenti që u krahasua me Mandelën pikërisht për vitet e burgut që bëri si antikomunist, kurse në vitet e para të pluralizmit mbajti për dy legjislatura rresht postin e kryetarit të Kuvendit. Ndaj, loja me simbolet nuk qëndron.
Nëse do të niseshim nga simbolet, godina “fashiste” e Kryeministrisë dhe ajo e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës duheshin prishur të parat. Mirëpo, askush nuk prish nisur vetëm nga simbolika. Simbolika është interpretim i imagjinatës kolektive, pra një e dhënë e ndryshueshme dhe shpesh subjektive. Për shembull, QNK krahasohet përherë me “Piramidën”, çka sjell në mend novelën e Ismail Kadaresë: “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, ku luhet me simbolikën dhe alegorinë për të evokuar botën e mbyllur dhe mizore të familjes së diktatorit. Mirëpo, askush nuk flet për formën fizike që arkitektët i kanë dhënë godinës, atë të shqiponjës dykrenare. E parë në plan, QNK është një prezantim skematik i thjeshtëzuar i shpendit që ne kemi në flamur, në shqytin e stemës së republikës dhe kudo tjetër.
Godina ka një problem funksional, që vihet re kur punon gjatë në të: hyrja e dritës është e kufizuar. Kjo e bën godinën në thelb të papërshtatshme për ambiente zyrash. Por godina nuk u konceptua si e tillë. Sigurisht, kudo dhe kurdo prishen godina. Godina që e kanë humbur funksionin fillestar për të cilin u ngritën, godina të shëmtuara, aksidente të arkitekturës apo godina të rrënuara nga koha e të pista. Godinat prishen edhe për krijimin e hapësirave të reja publike, rivitalizimin urban etj.
Por në rastin konkret, të tërë arkitektët me peshë në Shqipëri, por edhe të tjerë jashtë saj, bien dakord se QNK-ja, pavarësisht se nuk është funksionale si godinë për zyra, nuk është një godinë e shëmtuar. Përkundrazi! Por funksionaliteti dhe stili nuk shkojnë gjithmonë bashkë. A ka godinë më të shëmtuar në Tiranë se sa godina multifunksionale e Pallatit të Kulturës?
Sigurisht, (mos)funksionaliteti shtron pyetjen e mbajtjes në këmbë të godinës së QNK-së, përderisa brenda saj nuk mund të strehosh një Parlament, ministri, pallat drejtësie, apo edhe televizion? Duke u rikthyer në origjinë, godina mund të shërbejë fare mirë si muze i komunizmit – apo antikomunizmit, quajeni si të doni – ku në mënyrë më të shtjelluar se në Muzeun Historik Kombëtar mund të përvijohet tërë e shkuara 50-vjeçare e vendit, lufta kundër kësaj diktature deri në momentet e fundit të saj, fiks në momentet e para të vendosjes së pluralizmit. E ku më mirë se në këtë rast do të kishim një triumf të simbolikës së të mirës mbi të keqen, kur muzeu i diktatorit të shndërrohej në muze të triumfit mbi të?
Nejse, kjo është vetëm një ide, me dhjetëra të tilla mund ta rivitalizonin godinën, e cila mbetet padyshim… simbolike.
Por debati për fatin e godinës së QNK-së është bërë prej kohësh politik, sepse të tillë e ka shndërruar argumentimi i partizanëve të prishjes së saj. Diskutimi në seancë plenare një javë më parë ishte një paradë argumentesh identike. Megjithëse seanca në veçanti dhe çështja e QNK-së në përgjithësi mund të shërbejnë si rast studimi për raportin mes luajalitetit politik si zgjedhje e vullnetshme kompromisi dhe sugjestionimit kolektiv si robërim intelektual, përsëri kjo seancë nuk duhet të prekte askënd individualisht.
Por më se një person ka pasur arsye të ndihet i fyer nga një deputet, pasi deklaroi me pathos se, “harrami i Tiranës (nënkupto Edi Rama) gënjen edhe enversitët kur u thotë se shqetësohet për mauzoleumin e Enverit, të cilin në fakt e dha me qira, duke e shndërruar në një grumbull kioskash dhe qebaptoresh, sociale, politike apo edhe mediatike”.
Ky deputet, sado i rëndësishëm që të dojë të jetë për Kryeministrin brenda masës homogjene të grupit të vet parlamentar, në rastin konkret ka thënë një budallallëk me brirë! Ai ka zbuluar qëllimin e vërtetë të prishjes së QNK-së, dëbimin e “Top Channel”. Por televizioni një ditë do të dalë nga godina. Ta rrafshosh godinën vetëm për të larguar prej saj një biznes që ka një mision të qartë publik, është kriminale. Megjithatë, kaq “krim” brenda amoralitetit të politikës edhe nëse nuk mund të kapërdihet, të paktën kuptohet. Por ajo që është e pakuptimtë për një deputet është nihilizmi meskin i vlerave dhe misionit publik të informimit, edukimit dhe argëtimit të publikut prej televizionit.
Mirëpo televizioni, përveç pronësisë mbi objektet dhe sendet, përbëhet prej njerëzve. Do goxha guxim dhe ndjenjë superioriteti intelektual ta krahasosh këtë masë gazetarësh, kameramanësh, artistësh apo profesionistësh të ekranit me qoftexhinjtë. Në rastin më të mirë dëshmon një diskordancë afektive dhe aktivitet delirant, që ka për pasojë një ndryshim të perceptimit për vetveten në raport me të tjerët. Në këtë rast kjo provokon keqardhje. Mirëpo në rastin tjetër, atë më të keq, kjo dëshmon keqdashësi të qëllimtë. Ky rast i dytë, po, meriton të luftohet!







