Qofte Beogradi dhe gjeniu pa brekë

1
49

Kolec Traboini

Në Panairin e 13-të të librit në Tiranë

Pyes veten, anipse e di se kurrkush nuk më përgjigjet. E megjithatë në Panairin e Librit Tiranë tek Pallati i Kongreseve, vazhdon të qëndrojë një shënim me gërma të mëdha “Beograd”, me gërma sllave sigurisht se serbët e kanë alergji latinishten e gërmave që përdor mbarë Europa, gjithë kjo sepse ata që kanë në dorë çelsat e Tiranës ua kishin lëshuar lejen serbëve me shitë qofte e birrë shqiptarëve… Kuku moj nanë…

A jam në Beograd apo në Tiranë. Si nuk flet kurrkush kurrgja. Hë, mo, – të thonë – se qofte e salçiçe janë. Po edhe kënga serbe buçet në atë shesh e përzihet me erë tym salçiçesh. Kamarieri, një gjatojë që duket edhe si pronar, të flet serbisht. Në sheshin para pallatit të Kongreseve buçet kënga serbe si të vinte kah terrinat e mesjetës. E fortë paske qenë, moj Serbi!

Këtu nuk është problemi tek qoftet, tymi e kënga, por tek mentaliteti prej skllavi që kanë politikanët shqiptarë…, që zgërlaqen tek shohin fjalën Beograd në ballë të Panairit të librit Shqiptar, që në të vërtetë nuk është aspak shqiptar, sepse vetëm tre librave me lëng supe të Elena Kadaresë, Blendi Fevziut dhe Ben Blushit. Foto-busti i Blendi Fevziut shfaqet dukshëm në konkurencë me fotobustet e Enver Hoxhës në kohë të diktaturës. Nuk ka asnjë shkrimtar që në të gjallë t’i jetë bërë foto-busti kaq i madh sa i Blendi Fevziut, këtë megallomani ia ka ushqyer një universitet me emër të madh, por me reputacion të vogël, Universiteti Europian i Tiranës.

Dhe natyrisht libri i fundit voluminoz i politikanit Ben Blushi, ku fiksioni përzihet me politikën krejt ngjashëm me lesh e linë, që bën sot politika klanore shqiptare. Në tre këta soj libra gjysmetrosh, nxirren Kadareja, Shqipëria dhe Enver Hoxha pa brekë, tjetër gjë shqiptare nuk shihet kurrkund në këtë Panair. Duhet te shtohet dhe “Kurbani” i Edi Ramës, që panairi të shfaq një kuadraturë solide të shkrimtarisë pa shkrimtarë.

Shkojnë e vinë shqiptarët dhe pasi blejnë libra të huaj që maten me metër (shqiptarët po përbuzin vetveten) kthehen e pijnë një birrë Stela dhe hanë qofte “Made in Beograd”. E ju duket se janë në Serbi.

Megjithatë duhet me gjetë një farë mënyre me u kënaqë me këtë farë Panairi, se t’i shohësh gjeniut të letrave koqet nuk është pak….

E rri e mendon në të thella i shkreti gjeni i shpupluem prej të vetëve… të gjitha Helenat paskan qenë Trojë.

Përshëndetje nga Beogradi i Tiranës.

1 COMMENT

  1. Kolë, reagimi yt i fuqishëm e me plot të drejtë, duket se i ndikoi ato legenat, që drejtojnë Tiranën dhe serbët ikën nga sytë këmbët – ka shumë mundësi se ka qenë një provokim i radhës, një letër lakmuesi për të na ofruar miqësi me serbët… se biznesin serb po e futën Berisha me qeverisjen e tij në Shqipëri, e kështu do që të na miqësojë me serbët dalë ngadalë…

Comments are closed.