Qeveria sulmon kompanitë e 2K Group

0
48

Shekulli Online, 22.12.2009

Bordi i 2K: Ndërpresim bashkëpunimin dhe i drejtohemi gjykatës. Kallëzim penal për Boden

Ka rregjistrime dhe dëshmi që provojnë se në datën 10 Dhjetor Ministri i Financave, z. Ridvan Bode, ka thirrur në zyrën e tij Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, ku me porosi të Kryeministrit Sali Berisha i ka dorëzuar këtij të fundit një listë me 40 biznese duke i kërkuar që ‘ose të sjell 60 milionë Euro gjoba nga këto subjekte ose të dorëzojë detyrën’.

Qeveria është në pamundësi të qartë financiare për të përballuar detyrimet e saj më elementare. Kjo pamundësi ka ardhur si pasojë e abuzimeve financiare të vazhdueshme, që kanë boshatisur arkën e shtetit. Në këto kushte qeveria po shndërrohet në bandë, duke përdorur organet e shtetit si çeta që vijnë në selitë e bizneseve për të “ushtruar kontroll” megjithëse kontrollet e parashikuara nga ligji sapo kanë përfunduar dhe për të vendosur gjoba me paramendim, pavarësisht nëse gjejnë apo jo, shkelje ligjore.

Në listën e 40 bizneseve që janë piketuar për tu gjobitur apriori, ishin edhe kompanitë e “2K Group”. Lista e cila posedohet nga disa redaksi mediash, përmban edhe disa emra të tjerë kompanish në pronësi të personave të klasifikuar si kundërshtarë të qeverisë, ose “punisto-mafiozë”, sipas ulërimave histerike të kreut të egzekutivit.

Megjithëse takimi në zyrën e Ministrit u denoncua nga mediat, egzekutivi nuk hoqi dorë.
“2K Group” është sulmuar dje me “kontrolle” nga tatimorët. Me anë të një deklarate për shtyp kompania ka njoftuar se: “Vetëm gjatë ditës së sotme (dje) punonjës të tatimeve janë paraqitur në pesë subjekte në pronësi të “2K Group” apo z. Koço Kokëdhima, pavarësisht se në to kishin përfunduar kontrollet gjatë tre muajve të fundit.

“Në kompaninë “Sirius”, kontrolli ka përfunduar dhe kompania është njoftuar për mbarimin e kontrollit nëpërmjet aktit të njoftim-vlerësimit në shtator të vitit 2009, – thuhet në deklaratë.

Kompania tjetër që është sulmuar paraditen e djeshme është Remonti Elektrik sh.a në Elbasan. Kjo kompani ka qenë objekt i kontrollit të tatimeve të Elbasanit deri tre javë më parë. “Kontrolli i parë pas paraqitjes të inspektorëve në të gjitha këto kompani, ka nisur sot tek Remonti Elektrik i Elbasanit, ku inspektori i kontrollit ka marrë jo vetëm informacionin e kompjuterëve por në kundërshtim flagrant me ligjet e shtetit, ka larguar nga kompania të gjitha faturat dhe dokumentet origjinale. Ky veprim është konsideruar nga bordi drejtues i “2K Group” si një grabitje”, – thuhet më tej në njoftimin e “2K Group”.

Në këtë situatë presioni kompania ka mbledhur bordin drejtues për të përcaktuar veprimet që do të ndjekë në të ardhmen. “I alarmuar dhe i shqetësuar nga ky precipitim i paimagjinueshëm i veprimeve arbitrare të policive të Sali Berishës, bordi drejtues i “2K Group” ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimet me inspektorët e qeverisë në të gjitha kompanitë që janë kontrolluar gjatë gjashtë muajve të fundit dhe t’i drejtohet gjykatës që ajo të shprehet me një vendim për këto veprime.

Bordi Drejtues i “2K Group”, gjithashtu ka vendosur që të kallëzojmë penalisht Ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe disa drejtues të tjerë të Tatimeve. Këto janë veprime abuzive, të paligjshme dhe me prapavijë politike”, – thuhet në njoftimin zyrtar të kompanisë.

“Shekulli” ka tentuar që të lidhet me zyrtarët e tatimeve në Elbasan por të gjithë i kanë bërë bisht detyrimit ligjor për transparencë me median. Telefoni i fikur dhe kalimi i përgjegjësive tek “ai lart” ishin përgjigjet që morën përpjekjet tona. Por punonjësit që kanë marrë pjesë në aksion kanë pranuar që të dëshmojnë (duke kërkuar ruajtjen e anonimatit) të vërtetën e kësaj ngjarjeje.
“Është e vërtetë që kontrollet në këto kompani sapo kanë përfunduar por na ka ardhur një listë nga Tirana. Në to ndodhen emrat e bizneseve që duhet të kontrollohen sërish nga ana jonë”,- tha për “Shekullin” një nga punonjësit e tatimeve që ka marrë pjesë në aksion.

WAN kontakton me mediat në Shqipëri

Sulmet e qeverisë ndaj medieve që publikohen nga “2K Group” kanë alarmuar shoqatat e gazetarëve nga e gjithë bota. Pas letrës që është publikuar pak ditë më parë ka reaguar edhe “World Association of Newspapers”. Organizata në fjalë është duke përpiluar një raport të detajuar në lidhje me këtë rast por edhe për lirinë e medias në Shqipëri. Të kontaktuar nga “Shekulli”, përfaqësuesit e WAN-it thanë dje se raporti është në fazën e parë, atë të mbledhjes së informacionit.

Pasi janë njohur me letrën së bashku me 20 fakte tronditëse që tregonin sulmin e qeverisë “Berisha” ndaj medias dhe kompanive të tjera nën të njëjtin grup, WAN ka nisur verifikimet në terren. Përfaqësuesit e saj kanë kontaktuar me organizatat e medias në Shqipëri, gazetarë të ndryshëm dhe njerëz që kanë njohuri ose lidhje me situatën e lirisë së medias. Raporti pritet që të bëhet publik në ditët e para të vitit të ardhshëm.