TemA Online, 4 Shkurt 2013
Kryeministri Sali Berisha jo vetëm që ka ndërmend të rrisë borxhin, por ai është i bindur se vetëm kur borxhi të shkojë mbi 95 përqind e GDP, atëherë bëhet i rrezikshëm.
Edhe pse që tani organizmat ekonomikë ndërkombëtarë thonë se situata është e rrezikshme, Berisha e quan këtë një borxh pozitiv.
“Në Konferencën e Sigurisë, pa diskutim, kriza ekonomike ishte një nga çështjet kryesore dhe përveç saj, energjia pazgjidhshmërisht e lidhur me sigurinë. Ajo që mund t’ju them, përsa i përket krizës ekonomike, ishte se në dallim nga viti i kaluar, këtë vit tonet ishin qartësisht optimiste nga të gjithë oratorët dhe ajo seancë kishte për oratorë personalitete nga më të shquarat e fushës, siç ishin Robert Zoellick – ish Presidenti i Bankës Botërore, Wolfgang Schäuble – ministri i Financave të Republikës Federale të Gjermanisë, bashkë-Presidenti i Deutsche Bank, etj.. Konkluzionet ishin që kriza akoma nuk është larguar, jemi në krizë, por është e qartë dhe pozitive që po merret një kthesë, e cila pritet të konsolidohet. Ishte një moment shumë i veçantë, kur ministri i Financave të Gjermanisë u ndal te borxhi publik dhe deklaroi se ai është i rrezikshëm kur arrin dyfishin e GDP-së.
Kjo ishte një risi shumë pozitive. Unë edhe një herë dua t’ju them se çdo krizë ka sfidat e saj për t’u përballuar, por kjo kohë krize ka sjellë më shumë se kurrë në vëmendje të qarqeve akademike, të cilat janë shumë të rëndësishme, problemet ekonomike të saj, siç është borxhi, etj.. Ato nuk janë studiuar ndonjëherë më me interes, sesa janë studiuar sot. Pak kohë më parë, një grup brenda Bankës Qendrore Evropiane ka botuar studimin për borxhin optimal. Dhe ata konkludojnë se borxhi deri në 67 përqind të GDP-së ka efekte pozitive. Dhe kjo thuhet nga Banka Qendrore Evropiane. Borxhi mbi 95 përqind të GDP-së, çka korrespondon me studimin tjetër themelor të Harëard-it që thotë se 90 përqind është plotësisht i pranueshëm, pra, ky borxh mbi 95 përqind mund të përbëjë rrezik,” tha Berisha.
Ndërkohë, vetëm një muaj pas miratimit në Kuvend, buxheti i shtetit për vitin 2013 është rrëzuar zyrtarisht, raporton TCH. Brenda një kohe rekord Qeveria ka ndryshuar treguesit më të rëndësishëm të draftit duke devijuar nga varianti që mbrojti në Kuvend vetëm një muaj më parë, në dhjetor të vitit të kaluar.
Ndryshimet nisin me shifrën e borxhit. Në ligjin për buxhetin e shtetit, kufiri i borxhit për vitin 2013 është vendosur 62.6 për qind e Prodhimit Kombëtar. Madje në atë kohë, Kryeministri dhe ministri i Financave u zotuan publikisht se ky kufi nuk do të shkelej. Por në programin ekonomik dhe fiskal, të publikuar vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave thotë se borxhi publik në fund të vitit do të shkojë gati 64 për qind ose me saktë 63.8 për qind e Prodhimit Kombëtar.
Heqja e kufirit ligjor prej 60 për qind, në dhjetor të vitit të kaluar, ka asgjësuar çdo barrierë që ndal rritjen e detyrimeve të qeverisë. Në vetëm pak ditë kufiri i borxhit u rrit me 1.2 pikë përqindje ndaj Prodhimit Kombëtar dhe në fund të këtij viti do të jetë 4 për qind më e lartë se niveli 60 për qind, pavarësisht paralajmërimeve të forta të Fondit Monetar dhe Bankës Botërore për të mbajtur nën kontroll financat publike.
Por treguesi i borxhit nuk është i vetmi që përkeqësohet. Qeveria ka korrigjuar në ulje edhe shifrën zyrtare të rritjes ekonomike për vitin 2013, nga 4 për qind që është në buxhetin e miratuar një muaj më parë, në 3.1 për qind. Këto janë sinjalet e para zyrtare se situata ekonomike do të jetë më e rënduar.
Rreziku është që deri në fund të vitit shifrat të korrigjohen sërish me përkeqësim, sikur ndodhi vitin e kaluar kur shifra e rritjes ekonomike nga 4.3 për qind përfundoi në vetëm 1.5 për qind, ndërsa borxhi nga 58 shkoi në 61.4 për qind e Prodhimit Kombëtar.