Qeveria” Rama 1”, pa aktorë të komunizmit, pa spiunë me dosje, pa hajdutë; Këto janë “dobësitë” që mund t’i gjejmë para se të nisë punë

1
36

Sokol Pepushaj, Shqiperia-etnike.com, 8 gusht 2013

Përbërja e qeverisë “Rama 1” është vërtet risi përgjatë tërë histories së shtetit shqiptar, por më shumë se kaq, është një “bombë”, që ra mbi “helmetat” e ish diktatorëve, ish spiunëve dhe hajdutëve, është një “çelës” drejt demokracisë, është një start i mire drejt ekonomisë që meritojnë shqiptarët, drejt shtetit të së drejtës dhe penalizimit të SHEIKËVE, që kanë ndërtuar kudo, në qëndra qytetesh, ne plazhe, në turizmin malor, që kanë marrë me “5 lekë” jo vetëm pronat publike, repartet ushtarake dhe tunelet e tyre, por edhe pasuritë private dhe kanë ngritur mbi to, nën arrogancen e forcës së pushtetit criminal, dinastitë e të pasurve, duke lënë popullin me bukë me lista?!

E shihni si bërtasin hajdutët pa filluar ende punë qeveria me shprehje injorante si: “Peshëngritësi” (Ilir Meta) takon ministrat sipas shijes së “Piktorit” (Edi Rama) dhe anasjedhtas?! Kërkojnë në vrimë të gjipërës të gjejnë një emër ish komunisti dhe gjejnë ministrin e financave Shkëlqim Cani, gjejnë pra një economist pa dosje si ish Sigurims i Shtetit, pa një post në ish Partinë e Punës, kur deri sot thuajse gjithkund, në çdo pozicion kyç, vetëm komunistë, spiunë, hajdutë, mund të gjeje sa të duash.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e përshëndeti kabinetin e ri me vlerësimet që nuk jemi mësuar t’i shohim deri tash. Këta pra janë një ekip i shkolluar në Amerikë, në shumë shtete perëndimore,
me përvoja pune atje dhe që kanë qënë 20 vjeçarë e më pak në vitet `90, kur ish komunistët e kuq u turrën për të mjelur kolltuqet e pushtetit dhe ia arritën për 23 vjet, derisa populli u tha, shporruni. Ndoshta kjo votë kaq kundra, don t’u thotë edhe: “Na i ktheni paratë e pronat e vjedhura, shkoni para drejtësisë se e meritoni, ishit të varfër si ne dhe sot jeni SHEIKË…”

Shqiptarë, ju e thatë fjalën si popull që nuk pranon të kapet për hunde, të ripet deri në kockë, prandaj edhe nuk është çudi që pas prezantimit të emrave të kësaj qeverie që nis punën në shtator, të mbeteshin
të shokuar gjithë aktorët e vektorët e politikës banditeske me taban nga diktatura komuniste, ata që ishin mësuar ta mjelin karrigen si të ishte lopë, të mbeteshin të shokuar ish Spiunët e Sigurimit të Shtetit, të paaftët, jashtëqitjet që populli me votën e tyre i nxorri jashtë sistemit si jashtëqitjet e kombit, se ka edhe nga këta ndoshta. Në pastë, drejtësia duhet të bjerë mbi ta. Drejtësia, jo hakmarrja. Ky do ishte leximi i votës së sovranit. Partitë, asnjëra, si kjo në pushtet dhe ajo në opozitë, nuk kanë “bekimin” e sovranit të bëhen mbrojtëse të hajdutëve e abuzuesve me paratë publike dhe taksat e pronat e popullit.

“Dita”, nëse është e mire, duket në shtator, pasi në aparencë kemi një qeveri me kapacitete intelektuale, me teknicentë e polikbërës model europian, kemi një qeveri me 6 ministre femra dhe asnjë si Majlinda Bregu, kemi një qeveri me moshë të re rreth të dyzetave dhe me asnjë minister si Fatmir Mediu, (FISHEKU) a Arben Imami, (GËRDECI.)

Fenomeni më negativ që pengoi prej 23 vitesh shtetformimin ligjor, ishte pikërisht boshti politik që u materializua si diktaturë kundër popullit, varfëria ekstreme e shoqërise, autoritarizmi i pushtetit, abuzimi me paratë e taksapaguesve dhe krijimi i sheikëve, të tërë në pushtet ose afër tij. Ky model qeverisës i keq, i urryer deri në neveri, prodhoi një rezultat ndëshkues më shumë se fitues në zgjedhjet
e 23 qershorit, një rezultat që përveç votueit nuk mundi ta parashihte askush. Të pasurit nuk ua dinin të varfërve dhe të varfërit nuk e dinin se janë aq shumë.

Tri ishin partite që pritnin tepër më shumë se morën, PD-ja e Berishës, Aleanca e Topit dhe Fryma e Spahiut. Te tria këto forca politike bënë një fushatë jashtë modelit civilizues, të egër, nacionaliste, të fryrë, duke u paraqitur edhe kësaj here si “shpëtim” nëpër mitingje e tribuna, megjithëse vinin nga një “thes”. Sali Berisha, burri që drejtoi më shumë shtetin pas Enver Hoxhës në tërë historinë 101 vjeçare e shtetit shqiptar, duke u kujtuar shqiptarëve vetëm suksese e duke harruar ose mospranuar asnjë
humbje, shkoi nga vota mbarëpopullore në humbjen më të thellë që njeh historia në tërë botën demokratike. Unë nuk di një rast tjetër, ku ndëshkimi është kaq i fortë.

Kreshnik Spahiu, njëri ndër superpërgjegjësit e lëkundjeve të sistemit të drejtësisë, pasi qëndroi e drejtoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë për shumë vite, sipas devizës së ish Presidentit Topi, i cili tashmë, pasi drejtoi shtetin për pesë vjet si përfaqësues i “Unitetit të Popullit”, besonin në devizën komuniste, njëlloj si PD-ja, se votuesi gënjehet, se votuesi tashmë është si skllavi që e respekton shfrytëzuesin e vet, pa e menduar as në ëndrra faktin se populli, nga Vermoshi në Konispol, i etiketon si gjynahqarë, si fajtorë të gjëndjes aktuale të jetës shoqërorë, politike e ekonomike të vëndit.

Deri sot Shqipëria ka patur qeveri me orientime nacionaliste, me ide tashmë të vjetëruara për Europën, të lindura, rritura, pikërisht nga politika që ato kritikonin me fjalë dhe që mbartnin pikërisht mashtrimin për shtresën e mesme dhe të varfër të shoqërisë, për ata që mendonin se edhe mund t’i mashtrojnë më lehtë. Në Botën e sotme demokratike, është jashtë logjike të kërkosh “besim të ri” në terren të vjetëruar, të coptosh tortën tënde plot korrupsion e të ndash si për sevap ndonjë thërrime në fushatë, ta shesësh veten të ndershëm, kur je përgjegjës i gjithë të këqijave, të ulesh ne shtrat si Djall e të ngrihesh në mëngjes si Engjëll dhe anasjelltas, duke u përpjekur të gjesh “një qime derri” në një ton lesh, duke u përpëlitur të fyesh qeverinë e re” Rama 1”, para se të fillojë punë.

Qeveria do kritikohet, bile rëndë, tepër më rëndë se ajo që iku e ia harroshim bëmat, pikërisht nga autori i këtyre rreshtave, nëse funksionon drejtësia si deri sot, nëse ekonomia do jetë me panolina nëpër këmbë si deri sot, nëse pushtetarët e rinj do ngrejnë hotele e motele nëpër plazhe si deri sot, nëse korrupsioni nuk do dënohet se më të forte se Silvio Berluskoni nuk i kemi këta tanët, nëse nxënësit e shkollave do shihen të detyruar nëpër mitingje të mazhorancës si deri sot, nëse injorantët që kanë blerë diploma do i shohim si drejtues institucionesh si deri sot, nëse ilaçet nëpër spitale do blihen me para nga të sëmurët deri sot, nëse pronat nuk u merren hajdutëve u t’u rikthehen të zotëve, pronarëve, nëse…

Qeverisjet hajdute dhe ekstremiste me produkt konflikte e diferencime shoqërore, nuk mund të zgjojnë ndjenja popullore, revolucionare proletare, as kombinim orientimi oriental në një shoqëri demokratike, ku klasa e mesme tashmë është bazë e strukturës europiane për ku jo vetëm është qasja jonë, por kemi trokitur pas derës së Europës. Kjo është deviza që duhet të marrë përsipër Qeveria “Rama 1”, për të qeverisur krejtësisht ndryshe, pse jo edhe për të hapur dosjet e korrupsionit, të diktaturës dhe të tjetërsimit galopant të pronave…

Në këtë prag zgjimi, të diktuar nga vota mbarëpopullore prej Vermoshit në Konispol, mjeranët që populli i nxorri si jashtëqitje me votë, duhen lënë në madhështinë e humbjes së madhe, të ndëshkimit të madh. Ekipi i ri qeverisës, ka përgjegjësinë e shpresës së madhe europiane, duke mos krijuar turbulenca mbi turbullira, por duke sekuestruar pronat e SHEIKËVE të politikës e pushtetit (si Jozefina), që hynë në politike e ulën prapanicat në karrige me portofole bosh, e sot janë bërë pronarë të gjysmës së Shqipërisë.

Kujtoj një deklaratë të asaj që i pëlqente kur e përkufizonin si Zonja e Hekurt, të ish kryeparlamentares Topalli në parlament: “Nuk jam çorapegrisur si ju socialistët, jam pronarja e gjysmës së Shkodrës…” Më thoni, është kështu apo jo? Po pronatët e tjerë në Shkodër ku janë, o popull, se kishte Bixhisten, Kafe të Madhe, punishte që prodhonin e bënin tregti me Venedikun, me Europën, kishte shtypshkronja e anije kryeqendra e veriut dhe këta nuk kanë “GJYSMËN E SHKODRËS” sot dhe normale është se populli nuk janë as 100 as 200 shtëpi…

Po. janë me qindra këta ish pronarë, që sistemi dictatorial ua pat sekuestruar pasuritë, por paradoksi është këmbëkryq në faktin se si Jozefina paska gjysmën e pasurisë së Shkodrës, se ajo duhet të ketë patur parasysh në deklaratën publike edhe pasuritë publike dhe të gjithë popullit të Shkodrës, kur ka
deklaruar kështu e Berisha ka qesh, ka qesh fort, se Jozi u dha një grusht të forte njerëzve që janë “ÇORAPËGRISUR”.

Por jo vetëm në Shkodër kështu, kudo nëpër qytete po të pyesësh, kudo nëpër plazhe po të pyesësh, kudo nëpër qendra turistike po të pyesësh, të tregojnë pasuritë e tyre marramëndëse, prandaj edhe vota i ndëshkoi. I ndëshkoi për t’ua sekuestruar pasuritë, siç ka ngjarë edhe në vënde të tjera. Dhe, të mos harrohet, ky popull voton prapë pas katër vitesh, nëse pasuria e grabitur nuk i rikthehet, e gjuan prapë
me “GRUSHT të fortë, malin që s’bzan”.

1 COMMENT

Comments are closed.