Aleksandër Çipa
Prej disa muajsh në opinionin publik të vendit vërtitet diskutimi për një nevojë lëvizëse në qeveri. Në këtë gjeratore diskutimi, opozita shfaqet më e avancuar, duke ripërsëritur sipas saj objektivin e ri për rrëzim të qeverisë dhe hyrjen në zgjedhje të parakohshme. Natyrisht ky shfaqet si objektiv i pamundur opozitar, ndonëse rastet e deputetëve Tavo dhe Sterkaj dhe dyshimet pezull të shtyjnë të mendosh se trafiku i mandateve brenda Parlamentit është një opsion i hapur për ndryshim të shumicës. Gjithsesi, kjo është skema që favorizon vetëm përkohësinë e rezultatit dhe përfitimit politik. Kjo skemë ndot në një pikëpamje çdo përdorues, por sidomos çdo përfitues prej saj.
Nga ana e vet, shumica po e mbulon “zierjen” e brendshme që ka lidhje me pakënaqësitë e menduara dhe të shprehura në konfidencialitete, si brenda grupit parlamentar për të zëvendësuar ministra dhe për të bërë të tjerë, ashtu edhe në mjediset partiake. Kjo shumicë po hyn në vitin e dytë të mandatit qeverisës dhe delikatesa e numrave i shtyn psikologjikisht deputetët e saj për të menduar dhe ideuar skema të hipjes së tyre në karriget ministrore. Presioni për këtë ide të shumëgjendur deputetësh bëhet edhe më i lartë sa herë shfaqet kriza dhe nevoja e numrave në aktet votuese. Parë në një këndvështrim, marrëdhënia aktuale e koalicionit Berisha-Meta të lë shijen e reminishencës me qeverisjen e dikurshme të trazuar dhe antagoniste Nano-Meta. Raporti i administrimit aktual të portofolave dhe sidomos hisesë së administratës mes Kryeministrit Berisha dhe zëvendëskryeministrit Meta, ndonëse duket sikur është “çështje inekzistente si debat”, thellësisht është një skemë vepruese, potencialisht e ndryshueshme.
Ndërkaq, axhenda e shprishur e Parlamentit, shtyrja e herëpashershme e saj dhe sidomos mosrespektimi i rregullores për ta njohur ditë më parë këtë axhendë, së paku byroja parlamentare, po e bjerrin në mënyrë të drejtpërdrejtë funksionimin real të Kuvendit. Shumica vijon qeverisjen me brengën dhe sikletet e shtuara e të zgjatura prej këtij anormaliteti parlamentar. Legjislativi në këto kushte është vetëm imazh i një realiteti politik që mund të zgjatet dhe pak, por që nuk mund të vijojë dhe në muajt e tjerë të mandatit në këtë gjendje. Dueli i ftohtë politik mes kreut të opozitës Rama dhe kundërshtarëve të tij Berisha-Meta, nëse vijon të zgjatet në këtë gjendje, më së shumti do të kërcënojë kryeopozitarin. Mesa duket ai e ka kuptuar këtë dhe për ta ndryshuar skemën ka zgjedhur së fundmi të përballet me zotin Berisha, madje i pajisur me logjikë të re makiaveliste. Intuitivisht Kryeministri Berisha, dhe jo vetëm ai, por sipas gjasave dhe bashkortakët e shfaqur rishtazi në skemat përballëse me Ramën, ku mendohen natyrshëm zotërinjtë Meta, Nano dhe individë me potencë e ndikim në politikëbërje, po reagojnë duke pretenduar rikthimin e debatit të brendshëm në PS.
Pavarësisht kësaj tabloje, skemave dhe kontakteve të shpeshtuara, diskutimeve dhe intrigave të pritshme parlamentare, situata politike e vendit vijon të mbetet e ndenjur dhe buzë paqëndrueshmërisë. Ndëshkimet vlerësuese prej institucioneve ndërkombëtare dhe sidomos ato europiane, ka gjasa të shumështohen dhe të sjellin penalizim, pse jo politik, për vendin. Kjo situatë e investuar si qëndrim dhe sjellje prej palëve, realisht po jetëzgjat statusquo-në dhe vanitetin politik e qeverisës. Askush nuk duhet të besojë se kapitulli mbulues i efekteve dhe ndikimeve të gjendjes mund të mjegullojë leximin real të asaj që derivon prej saj.
Shoqëria ndihet e lodhur, por kjo lodhje e shumëshfaqur pason edhe me shtimin e shpërfilljes përbuzëse ndaj përfaqësimit jo vetëm politik, por dhe qeverisës. Mekanizmat e kontrollit real të nivelit të korrupsionit, të abuzimit të administratës publike dhe nëpunësisë, në gjithë nivelet e qeverisjes, por në veçanti të sektorëve të shërbimit, janë amortizuar dhe kapur. Ato fatkeqësisht janë shndërruar në vjetërsira të lodhura prej shembjes së principeve dhe referencave publike morale. Ky cenim i rëndë i funksionimit të demokracisë institucionale dhe i modelit të pretenduar të shtetit të së drejtës parathotë prej disa vjetësh se vendi ka humbur ndjenjën aspiruese të cilësisë dhe standardit.
Peizazhi trishtues politik bëhet edhe më i zymtë kur konstaton se modeli aktual qeverisës nuk po kontraston me modelin konkurrues që duhet të sjellë opozita. Ideja pezull e besimit se kjo opozitë mund të futet në zgjedhjet e dekretuara vendore, apo dilemat që ajo po shfaq përmes kushtit për transparencën e zgjedhjeve 2009, si dhe marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin, janë “çelësa” për të hyrë në korridorin e gjatë të dyerve që fshihen nën emërtimin diplomatik të “ngërçit” politik. Ditët e mëtejshme të këtij ngërçi janë të lidhura pazgjidhshmërisht me fatin e ri të qeverisë së ndryshuar, ose në më të keqen e qeverisë… së rënë.