TemA Online, 27 Janar 2013
Edhe pse vetëm pak ditë më parë, Ministria e Financave mori afro 27 miliard lekë hua në tregun e brendshëm, javën e ardhshme qeveria sërish do të hapë një ankand për bono thesari. Këtë herë shuma që kërkon ekzekutivi,është 15 miliard lekë. Në një njoftim për shtyp nga Ministria e Financave, thuhet se ditën e martë banka e Shqipërisë zhvillon ankandin ku do të shiten bono me afat maturimi 3 mujor dhe 12 mujor, raporton Vizion Plus.
Marrja e parave borxh në tregun e brendshëm, rrit kostot e financave, për të shlyer borxhin publik, pasi norma e interesit është më e lartë, se huatë që japin institucionet financiare ndërkombëtare. Aktualisht norma e interesit për bonot me afat 1 vjeçar ka arritur 6.6%, nga 6.08 që ishte para disa javësh. Sipas ekspertëve rënia e kërkesës së individëve apo bankave, për të investuar borxhin e qeverisë, rrit automatikisht edhe normën e interesit. Ky është ankandi i dytë, që realizohet brenda janarit.
Më parë qeveria mori hua, e detyruar nga situata financiare, e vështirësuar si pasoje e fillim vitit dhe pjesa më e madhe e tatimeve dhe taksave arkëtohen ne fund të muajit. Jo më larg se te shtunën shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë Nadeem Ilahi e cilësoi borxhin publik të vendit, si më të lartin në rajon, ndërkohë që nga ana tjetër e konsideroi të rrezikshëm, pasi pjesa më e madhe e tij është afatshkurtër.
Kjo te thotë se në të ardhmen mund të krijojë pamundësi shlyerje. Situata ekonomike në vend ka ndikuar edhe në uljen e të ardhurave për buxhetin e shtetit, pasi realizimi i tyre rezulton si më i dobëti ne 10 vitet e fundit. Nisur nga kjo shoqatat e biznesit ngrenë shqetësimin, se janë krijuar probleme të shumta me gjobat dhe keqinterpretimin e ligjit,nga ana e organeve tatimore. Sipas bizneseve kjo situatë mund të ndikojë në largimin e investitorëve të huaj, që operojnë në Shqipëri.







