Qeveria mendon ç’të bëjë me denoncuesit e jo me drogën

0
60

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Kryeministri i vendit Sali Berisha rrezikon të shndërrojë në një konflikt etnik mungesën e ligjit dhe shtetit ligjor në jug të vendit, ku kultivimi i drogës në Lazarat është kthyer në problem ndërkombëtar. Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, ka pasur guximin të denoncojë hapur këtë fenomen, duke nisur kështu një debat të vështirë dhe delikat për raportet e tij me Partinë Demokratike dhe drejtuesit lokalë të saj në Gjirokastër.

Që situata në Lazarat është jashtë kontrollit, kjo dihet prej të gjithëve. Që policia shikon se si punohet toka për drogë, si plehërohet ajo, si ujitet, si rritet, si korret e pastaj si shitet, edhe kjo dihet. Problemi është që për Lazaratin duhet të fliste deputeti i Lazaratit, Genc Ruli dhe ky do të ishte një mesazh direkt i qeverisë për ato grupe që diktojnë atë situatë jashtë kontrollit. Por tërheqja e zotit Ruli, madje në ndonjë rast dhe bashkëpunimi me njerëzit që bëjnë ligjin për drogë në atë fshat, ka bërë që një ministër i pakicës greke të thotë diçka të guximshme dhe serioze, por që mund të degjenerojë në konflikt etnik.

Zemërimi në Lazarat për deklaratat e Kserës është i madh. Ai nxitet edhe nga krerët lokalë, por mbi të gjitha nga heshtja e ministrit Ruli, i cili është përgjegjës për atë situatë. Edhe më parë zoti Ksera ka tentuar te ngrejë zërin për Lazaratin, por si kundërpërgjigje kanë qenë grushtet dhe shpesh krisma mbi fshatin e tij. Me heshtjen e Berishës dhe përfaqësuesve të tij të ligjit në Gjirokastër si dhe deputetit Ruli, situata mund të riacarohet. Ministri Ksera ka bërë deklarata të guximshme dhe duhet të lavdërohet për kurajën politike. Heshtja e tij e menjëhershme pas këtyre deklaratave tregon qartë se është nën terror nga politika e lidhur me këto grupe që po degradojnë tashmë situatën.

Problemi është se vetë zoti Berisha është i pavendosur se si duhet ta përdorë deklaratën e ministrit të tij. Ajo i ka mbetur në dorë si një patate e nxehtë, të cilën as e flak dot, as e mban dot në dorë. Dhe si gjithnjë kjo situatë mund të shkojë drejt keqpërdorimit të saj nga zoti Berisha, i cili në varësi të situatës mund të dekorojë ose ndëshkojë zotin Ksera. Dekoratat si zakonisht i jep vetë, kurse ndëshkimet ia lë në dorë atyre që u ka lënë dhe drogën dhe trafiqet. Fakti që hesht deputeti i zonës Genc Ruli, i cili shihet vazhdimisht nën shoqërinë e njerëzve që diktojnë çfarë bëhet në atë fshat lidhur me drogën, është një sinjal i qartë se qeveria është duke u menduar jo se ç’të bëjë me drogën, por ç’të bëjë me denoncuesit e saj.